BallinaBotaJoe Biden pranë shpalljes së kandidaturës për president

Joe Biden pranë shpalljes së kandidaturës për president

spot_img
spot_img

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden duket se po i afrohet vendimit për të hyrë në garën presidenciale dhe një vendim zyrtar mund të shpallet brenda disa javësh. Nëse zoti Biden kandidon, anketat tregojnë se ai do të ishte në krye të listës së demokratëve që kërkojnë presidencën. Por është shumë e mundur që zoti Biden të përballet me kritika lidhur me pikëpamjet e tij të moderuara nga rivalët demokratë, një pjesë e mirë e të cilëve anojnë më nga e majta e spektrit politik.

Anëtarë të sindikatës së zjarrfikësve e nxisin zotin Biden të kandidojë për president.

“E vlerësoj energjinë që treguat kur po vija në skenë. Ruajeni edhe pak. Mund të më duhet pas disa javësh”, tha zoti Biden.

Në Uashington, zoti Biden dha një ide të temave të fushatës, nëse hyn në garë:

“Njerëzit duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Duhet t’i japim gjithkujt një shans. Të mos injorojmë askënd, të mos demonizojmë askënd, as të varfrin, as të dëshpëruarin, as imigrantin, as ‘tjetrin’”, tha ai.

Zoti Biden kryeson në anketa mes emrave demokratë që kanë kandiduar, por do të ketë mjaft konkurrencë, përfshirë senatorin Bernie Sanders.

“Ato idetë radikale për të cilat folëm para katër vjetësh? Sot, praktikisht të gjitha ato ide mbështeten nga shumica e amerikanëve”, thotë Senatori Sanders.

Mbi 12 demokratë kanë hyrë në garë, përfshirë disa që mund të tërheqin votuesit më të rinj dhe më të larmishëm, si senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris.

“Rregullat nuk po zbatohen njëlloj për të gjithë në vendin tonë. Jo të gjithë kanë qasje të barabartë në rrugën e suksesit”, tha ajo në një nga ndalesat e fushatës.

Presidenti Donald Trump ka akuzuar demokratët se po anojnë nga socializmi, veçanërisht me propozimin ambicioz të mjedisit, të njohur si “Pakti i Ri i Gjelbër”.

“Dua që ta bëjnë temë fushate këtë plan. Dua të jem republikani që kandidon përballë tyre”, tha ai.

Shumë demokratë do ta mirëprisnin hyrjen e zotit Biden në garë, thotë analisti Jim Kessler:

“Tregon që njerëzit e pëlqejnë. Ka shumë pak demokratë që nuk e pëlqejnë. Duan që ai të futet në garë”.

Por zoti Biden mund të ketë vështirësi për shkak të moshës 76 vjeçare dhe historisë së tij të politikave centriste, thotë John Hudak i Institutit Brookings:

“Por edhe për shkak të historisë së tij legjislative si senator, lidhur me çështje si drejtësia penale që nuk përputhen shumë me vlerat e demokratëve të sotëm. Dhe kështu version i vitit 1994 i Joe Bidenit, mund të jetë kundërshtari më i ashpër i versionit të vitit 2020 të Joe Bidenit”.

Por argumenti më i fortë i zotit Biden mund të jetë se ai do të ishte një rival i fortë ndaj Presidentit Trump, thotë analisti Will Marshall.

“Donald Trump mund të jetë një figure polarizuese në shkallë kombëtare, por është bashkues për demokratët. Ata janë absolutisht të bashkuar në vendosmërinë që ai të mos zgjidhet më”.

Zoti Biden dështoi në dy gara të mëparshme presidenciale.

Por ai vazhdon të jetë popullor mes demokratëve pasi shërbeu për tetë vjet si nënpresident për presidentin Barack Obama. VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular