Nga Alfred Lela
Qeveria Rama dhe departamentet e saj janë munduar të tregojnë shkujdesje rreth lëvizjes ekstreme politike të opozitës. Kryeministri është shfaqur i pagatshëm për t’i dhënë betejë kundërshtarit politik, duke urdhëruar të vetët që të mos ulen në studiot e debatit politik përballë ish-deputetëve apo eksponentëve të tjerë demokratë.
Para kësaj shenje shpërfilljeje ka ardhur një tjetër, që ka të bëjë me parlamentin, apo ngutin me të cilin Ruçi dhe administrata e tij i kanë paraqitur KQZ-së vakancat e krijuara pas tërheqjes së opozitës, duke kërkuar plotësimin e tyre.
Shtypi pranë qeverisë është munduar t’i mëshojë kësaj duke e shfaqur si mosshqetësim të Ramës i cili, sipas tyre, buron nga legjitimiteti dhe mbështetja ndërkombëtare e këtij legjitimiteti.
Ndërkombëtarët ndërkohë kanë bërë deklaratat e tyre të të stilit default (të gatshme). Pa dyshim ata e kanë dënuar aktin e paprecedent të opozitës, por edhe i kanë shkuar në zyrë si kryeministrit në detyrë ashtu dhe kryeministrit-hije. Një prej anëtarëve të delegacionit të PE, gjatë një konference për shtyp pas turit në Tiranë, tha se ata nuk do të luajnë rolin e negociatorit mes palëve dhe se ky është një problem i brendshëm.
Kjo ‘tërheqje’ e ndërkombëtarëve ngjan si ‘teprim’, po të kesh parasysh se dy ngjarje të jashtëzakonshme politike janë në prag dhe presin konkludime. Zgjedhjet e 30 qershorit, si edhe një vendim i KE dhe i Këshillit të Ministrave të BE për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Rrjedhimisht, ‘shkujdesja’, si e qeverisë ashtu edhe ndërkombëtarëve, ka gjasa të jetë e lidhur pikërisht me ‘humbjen’. Të dy palët e dinë se çelja e negoicatave, edhe pa opozitën e dalë jashtë sistemit do të qe një iluzion. Siç kuptojnë edhe se, opozita nuk mund të dalë vetëm përgjysmë prej sistemit (pra të jetë pak shtatzanë) duke lënë parlamentin, por duke respektuar ‘parlamentet lokale’ (këshillat bashkiakë). A nuk janë edhe kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë pjesë e të njëjtit ‘sistem zgjedhor’ të cilin opozita e sheh si të prishur, të kapur dhe të infektuar?
Në të njëjtën kohë, si qeveria dhe të huajt e dinë se lëvizja ekstreme e opozitës kërkon një reagim ekstrem i cili do përpunuar në kohë. Nuk është halli për të shpëtuar ‘fytyrën e opozitës’, por të tyren duke qenë se dalja e pakicës nga sistemi, pavarësisht propagandës, flet më shumë për sistemin vetë sesa për pakicën. Sistemi janë qeveria dhe ndërkombëtarët bashkë.
Pa harruar këtu një kontekst më të gjerë që shkon përtej Shqipërisë. Së pari, në Ballkan ku opozitat malazeze dhe serbe kanë braktisur parlamentet e tyre si reagim ndaj autoritarizmit vendas dhe shurdhërisë europiane. Një kontinent në turbulenca politike dhe shoqërore, çka e çoi presidentin francez Macron t’i drejtohej publikut europian me editorialin-manifest Të Rinovojmë Europën duhet gjithaq konsideruar pjesë e pamjes së madhe. Brexit vazhdon të jetë një Boeing 737 Max 8 që sillet e pështillet në këtë qiell të trazuar pa gjetur ende një pistë të sigurt uljeje.
Në këto kushte, qeverisë, por edhe ndërkombëtarëve u duhet të veprojnë nëpërmjet taktikash, ndërkohë që hartojnë strategjinë.
Për shembull, është taktikë dhe jo strategji, mbështetja e hapur që po u japin qeveria dhe ndërkombëtarët çdo honxhobonxheje që Basha dhe Kryemadhi kanë futur në ‘stolin e rezervave’ të listave të kandidatëve të 2017-ës. Të dy palët e dinë se nuk ndez ‘me t’shtyme’ makina politike në të cilën kanë hipur një koktej piktoresk personazhesh, të cilët kanë përfituar për të dalë nga margjinalizmi nëpërmjet një deus ex machina politike që vetëm Uzina e Autotraktorëve shqiptarë mund të prodhojë.
Por, është herët për të negociuar. Kështuqë qeveria do të marrë kohën e saj gjatë së cilës do të jetë ekzigjente në propagandë, duke përfituar nga mjegullat e krizës, për të për të shtuar kapacitetet ekonomike dhe siguruar pandëshkueshmërinë e së ardhmes.
Opozita e ka hapur këtë luftë politike duke e ditur se nuk do ta ketë konsensusin e kancelarive të huaja. Konsensusi popullor, i arritur pas dorëzimit të mandateve do ta ndihmojë për të hapur edhe ato dyer që tani ngjajnë të ftohta e të verbra.
Në ndërkohë, emri i lojës është ‘nuk ka krizë’.