Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar një nënë 30 vjeçare, e cila ka kryer transplantin e veshkave falas, me financim 100% nga shteti.
“Ti Esmeralda je një ndër 20 rastet, të cilët përgjatë vitit 2018 e në vijim kanë kryer transplantin falas nëpërmjet financimit publik në spitalet jo publike. Mua më vjen mirë që rasti yt është një rast suksesi dhe që ja dole” – është shprehur ministrja gjatë vizitës në spital.
30-vjeçarja nga Vlora, nënë e dy fëmijëve, vuante prej 12 vitesh nga insuficenca renale. Ka marrë shërbimin e dializës në QSUT dhe jashtë vendit, por sipas mjekëve, nëse nuk do të kryente transplantin, rrezikonte jetën.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është që qytetarëve të cilat vuajnë nga sëmundjet e veshkave të mund t’i ofrojmë shërbimin më të mirë të mundshëm. Atyre pacientëve të cilët bëjnë dializën por që kanë mundësi të kenë pajtueshmëri për të bërë dhe transplantin, të mundemi t’ua ofrojmë transplantin falas” – deklaroi Manastirliu.
Transplanti i veshkave është pjesë e paketave shëndetësore falas, të cilat financohen nga shteti në spitalet publike dhe jopublike. Me ofrimin e këtij shërbimi falas, 62 pacientë kanë përfituar transplantin e veshkës pa pagesë në spitalet jopublike, me financim nga buxheti i shtetit. Kostoja e një transplanti është 1.2 milion lekë të reja. Nga Janari i këtij vitit janë kryer 5 transplante, ndërkohë që gjatë vitit 2018, 20 pacientë e kanë kryer transplantin falas.
Qeveria financon paketat e shërbimeve për kardiologjinë, kardiokirurgjinë, transplantin e veshkave, terapinë e flakjes akute, kataraktin etj, pa pa pagesë në spitalevet publike dhe jo publike, nga të cilat përfitojnë rreth 8 mijë pacientë/vit.