Kryeredaktoi i gazetës “Panorama” Robert Rakipllari i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi protestën e sotme të opozitës, lajmi kryesor i së cilës mund të konsiderohet pjesëmarrja siç tha ai.
“Protesta ishte simbolike u menaxhua në mënyrë pozitive. Lajmi kryesor është pjesëmarrja. Policia është treguar profesionale, përjashto polemikat për hedhjen e gazit lotsjellës disa e cilësojnë si lëndë të lehtë helmuese ushtarake. Unë besoj se sot në shesh ishin njerëzit që ndihen të vjedhur. Sot kishte shumë njerëz që ishin në shesh. Një pjesë e motivimit të qytetarëve ka qenë edhe një pjesë irritomi nga kjo maskarada e zëvendësimit të opozitës me njerëz të tjerë brenda Parlamentit. Por zgjidhja nuk është që njëra palë qëndron në pjesën e vetë dhe pala tjetër në pjesën tjetër. Duhet të ketë diçka ndryshe, të lëvizin gjërat. Duhet dialog për zgjidhje”, tha ai.
Nga simbolika që mbartte, Rakipllari tha se protesta e 16 Marsit ishte më e arrirë se ajo kur protestuesit iu sulën derës së Kryeministrisë.
“Tërheqja nga Kryeministria drejt Parlamentit tregoi se opozita nuk e kërkon pushtetin përmes rrugës por është një protestë që kërkon zgjedhje të lira dhe legjitimitet. Nga pikëpamja e simbolikës është e gjetur. Opozita s’ka si e kërkon pushtetin përmes rrugës. Synimi i opozitës është këtu, të vendoset përmes një qeverie neutrale se kush është shumicë në këtë vend”,- vijoi ai.
Sa për komentet e ndërkombëtarëve, Rakipllari pranoi se zyrtarisht si SHBA ashtu edhe BE janë shprehur kundër djegies së mandateve. Sipas tij, mbështetja më e madhe që mazhoranca e sotme ka, është faktori ndërkombëtar.
“SHBA dhe BE nuk e kanë mbështetur lëvizjen për djegien e mandateve. Goditja në bllok i është bërë pikërisht për djegien e mandateve. PD është një parti e rëndësishme, ka miq e aleatë që mund të mbështesin kauzën e saj, por zyrtarisht qëndrimet zyrtare të ndërkombëtarëve nuk e mbështesin djegien e mandateve”.