Nga Oerd Bylykbashi
Shembulli i keq per rajonin
Të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t’i bësh deputetë, më pas kriminelët përdhunues vrasës e trafikantë t’i bësh kryetarë bashkish që të kontrollojnë territorin dhe zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.
Të mbjellësh me drogë të gjithë Shqipërinë, të përmbytesh me drogë Europën, të shndërrosh vendin në lavatriçe të parasë së drogës, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kriminalizosh politikën me paranë e drogës, korrupsionit dhe oligarkisë, të blesh zgjedhjet dhe të kthesh shtetin në parti, duke bërë presion mbi administratën dhe abuzuar me shtetin për të fituar zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kesh prova tëregjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.
Të zhvatesh çdo para dhe pronë publike për t’ia dhënë oligarkëve që të financojnë, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kapësh sistemin e drejtësisë duke deformuar dhe korruptuar reformën në drejtësi, që të emërosh ushtarët e tu në organet e drejtesisë që, më vonë të të mbrojnë kundër hetimit penal për zullumet e tua, ky është shembull i tmerrshëm për rajonin.
Të mos reagosh, të mos thuash gjysëm fjale për të gjitha këto, të mjaftohesh vetëm me përmbledhje ekzekutive raportesh dhe të relativizosh problemet e rënda, është nje shembull i keq për të gjithë.
Të reagosh duke e refuzuar këtë sistem të kalbur dhe të dalësh në protestë për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, ky është një precedent që i bën mirë rajonit, sepse i tregon kujtdo që kërkon të bëhet kryeminister, se çfarë ndodh, nëse qeveris si Edi Rama.