Kosovë, përleshje dhe përplasje mes politikanëve serbë

3
288

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Slobodan Petroviç, njëherësh kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, tha se është sulmuar të mërkurën në qendër të Prishtinës nga dy persona të afërt me Listën serbe, subjekt ky i mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Në një konferencë për gazetarë në mjediset e parlamentit të Kosovës, ai tha se është sulmuar pas një interviste në televizionin publik të Kosovës gjatë së cilës siç tha, kishte shpalosur disa punë të ministrit të shkarkuar të Bujqësisë nga lista Serbe, Nenad Rikalo. Zoti Petroviç tha se “ishin njerëzit e afërt të ish ministrit Nenad Rikalo që e sulmuan”.

Policia e Kosovës tha se kishte shoqëruar tre persona të përfshirë në një mosmarrëveshje dhe se çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë, por nuk dha hollësi të tjera.

Por, Lista serbe hodhi poshtë akuzat e deputetit Petroviç, duke e akuzuar atë ndërkaq për sulm ndaj zyrtarëve të saj. Përmes një reagimi, lista Serbe tha se “është sulmuar anëtari i shquar Milan Kostiq pa ndonjë arsye nga kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviç, i cili e ka goditur në kokë me telefonin celular duke i shkaktuar plagë”.

Në reagimin e listës serbe thuhet se “ky është sulm i turpshëm mbi Milan Kostiçin të cilin serbët në Kosovë e njohin si një njeri familjar dhe i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbijetesën e popullit serb. Pas vitit 1999, kjo është hera e parë që një serb në Prishtinë është viktimë e sulmeve nga serbë të tjerë”,thuhet në reagimin e këtij subjekti, duke kërkuar nga policia dhe prokurorët të marrin të gjitha veprimet e nevojshme dhe të dënojnë deputetin Petroviç.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e dënuan incidentin, të cilin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit.

“Si president i Republikës së Kosovës e dënoj ashpër këtë sulm dhe nga institucionet e zbatimit të ligjit kërkoj që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që sulmuesit t’i sjellin para drejtësisë. Integrimi institucional dhe pluralizmi politik duhet të jenë vlera të përbashkëta demokratike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”,thuhet në reagimin e presidentit përmes rrjetit social.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, kërkoi ndricimin e plotë të incidentit dhë vënien e përgjegjësve para drejtësië.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se “është i papranueshëm çfarëdo sulmi që cenon mendimin e lirë dhe bindjet politike të kujtdo qoftë”.

Slobodan Petroviç, që udhëheq partinë të Pavarur Liberale është pjesë e institucioneve të Kosovës për një kohë të gjatë ndërkaq në vazhdimësi ka kundërshtuar politikat e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës.

Partia e tij në zgjedhjet e fundit fitoi një vend në parlamentin e Kosovës nga gjithsej dhjetë që mbahen nga komuniteti serb. Së fundmi, zoti Petroviç ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për kërcënim dhe trysni ndaj tij dhe anëtarëve të partisë për shkak të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

Zoti Petroviç tha sot se ndjehet i kërcënuar.

“Mund edhe të më vrasin, por unë nuk jam njeri që mund të më frikësojnë”.

3 KOMENTET

Comments are closed.