Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik të zonës lidhet me faktin se të ardhurat gjenerohen kryesisht nga sektorët me produktivitet të ulët. Ekonomia e kësaj bashkie mbështetet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, e cila zë mesatarisht 33% të së gjithë vlerës së shtuar bruto për rajonin.
Bujqësia ofron punë për pjesën dërmuese të popullsisë, ndërsa sektori privat jobujqësor ka ndikim të ulët në punësimin e përgjithshëm, thotë kryetari i Bashkisë së Kukësit, zoti Bashkim Shehu. Ai pohon se qyteti është i pasur me burime natyrore më shumë se çdo qark tjetër, për shkak se ka burimet energjetike që furnizojnë gjithë vendin me energji dhe rezerva të mëdha kromi, bakri dhe hekur-nikeli.
Megjithatë, kompanitë që i shfrytëzojnë këto burime nuk i paguajnë detyrimet ligjore që rrjedhin nga renta dhe pagesa e FI-së koncesionare. Z. Shehu pohon se shpopullimi i zonës dhe taksa e re në Rrugën e Kombit do ta përkeqësojnë situatën.
INSTAT raportoi se numri i të papunëve të regjistruar në zyrat e punësimit në Kukës ra me mbi 4 mijë persona në vitin 2017. Rënia vjen për shkak të ikjes së popullsisë apo hapjes së vendeve të reja atë punës?
Shifrat e INSTAT dhe realiteti janë krejt ndryshe. Po të shohim shifrat e papunësisë, sipas të dhënave zyrtare nga zyrat e punësimit Kukës, në vitin 2014 janë 5,877 punëkërkues kurse në vitin 2017, 4,802 punëkërkues.
Nga informacionet e marra nga administratorët e Njësive Administrative, në vitet e fundit ka pasur një numër të madh të emigrimit të familjeve drejt vendeve të BE-së për një jetë më të mirë. Rreth 3,000-3,500 familje kanë emigruar drejt vendeve të BE-së.
Nga të dhënat zyrtare për vitin 2016 të Drejtorisë së Shërbimit Social në Kukës, rreth 6,000 individë të papunë kanë emigruar jashtë Shqipërisë, kryesisht në Gjermani. Qartësisht nga këta 6,000 të larguar, ata ishin të papunë dhe pastaj shihet se ku anon dhe shkon realiteti i shifrave të papunësisë.
Cila është sfida më e madhe me të cilën po përballet ekonomia e Bashkisë së Kukësit?
Papunësia, mungesa e tregut të punës. Mungesa e investimeve nga qeveria qendrore për Bashkinë e Kukësit. Nuk ka mbështetje me fonde nga qeveria për projektet e Bashkisë së Kukësit, ndonëse me të ardhura të bashkisë nga taksa dhe tarifat vendore (kujtojmë se jemi nga të paktat bashki ku niveli i taksave është në kufirin minimal të ligjit), kemi arritur të realizojmë disa investime të nevojshme në infrastrukturë dhe shërbimet publike. Kjo mjafton për të krijuar modelin e punës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik të zonës lidhet me faktin se të ardhurat në këtë zonë gjenerohen kryesisht nga sektorët me produktivitet të ulët. Ekonomia e kësaj bashkie mbështetet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, e cila zë mesatarisht 33% të së gjithë vlerës së shtuar bruto për rajonin. Bujqësia ofron punë për pjesën dërmuese të popullsisë, ndërsa sektori privat jobujqësor ka ndikim të ulët në punësimin e përgjithshëm.
Të punësuarit në sektorin privat bujqësor përbëjnë pjesën dërmuese, me mbi 75% të totalit të Kukësit. Organizimi i biznesit është më shumë biznesi individual apo familjar dhe kryesisht mbështetet te tregtia e vogël. Shumica e bizneseve janë të përqendruara në qytetin e Kukësit (85%), ndërsa njësitë e tjera administrative paraqiten me një numër të reduktuar biznesesh në totalin e tyre.
Kukësi njihet si një nga katër qarqet më të varfra në vend. Sipas INSTAT, burimet e të ardhurave për këtë zonë variojnë si më poshtë:
· 46,70% vijnë nga Ndihma Ekonomike (NE)
· 35,12% janë të ardhura nga punësimi
· 28,54% janë të ardhura nga pensionet
· 4,08% janë të ardhurat nga remitancat.
Siç shihet dhe nga shifrat, burimi kryesor i të ardhurave për këtë bashki mbetet ndihma ekonomike.
Në muajin dhjetor 2017, janë trajtuar me Ndihmë Ekonomike 6,351 familje. Në muajin janar 2018, janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike 3,630 familje ose 57.2% e përfituesve të mëparshëm, me arsyetimin se i ka larguar sistemi dhe kriteret e reja, që për qytetarët nuk u bënë asnjëherë transparente. Në strukturën e shërbimeve sociale, trajtohen dhe 2760 invalidë të kategorive të ndryshme.
Si po ndikojnë zhvillimet demografike (tkurrja e popullsisë) tek ekonomia e Kukësit?
Siç e përmendëm më lart, nga të dhënat zyrtare për vitin 2016, kanë emigruar rreth 3,500 familje, rreth 6,000 individë. Situata pasqyrohet në rënien e numrit të nxënësve në shkollat e Bashkisë së Kukësit. Sipas të dhënave nga Drejtoria Arsimore Rajonale në Kukës, diku janë bashkuar dhe diku janë mbyllur klasa.
Fenomeni është i përhapur në të gjithë fshatrat e Kukësit, por më të prekur janë zona si Njësitë Administrative Shishtavec, Zapod, Kalisë, Arrën, Gryke-Caj, Kolsh etj. Ndjekja e arsimit të mesëm (parauniversitar) ka pësuar rënie. Nga të dhënat vihet re rënie e përgjithshme e regjistrimeve. Në vitin akademik 2015-2016 krahasuar me vitin akademik 2012-2013, rënia ishte 16%. Rënia vijoi, janë mbyllur shumë klasa. Shkolla e mesme profesionale me 4 degët e saj, në këtë vit shkollor u mbyll, pasi ka mbetur vetëm një degë, ajo e TIK-ut, që po mbyllet.
Në vitin 2008, Universiteti i Tiranës hapi degët e tij në Kukës, me tre fakultete. Numri i nxënësve të regjistruar në nivelin e lartë të arsimit u rrit me 75%, nga 240 studentë në vitin 2008 në 420 në vitin 2010, dhe 680 në vitin 2011. Pas vitit 2013, në kuadër të Reformës në Arsimin e Lartë, të dy filialet u mbyllën.
Çfarë burimesh ekonomike ka Bashkia juaj dhe sa ka në dorë pushteti vendor t’i zhvillojë këto burime?
Edhe pse jemi bashkia më e varfër, ne kemi potenciale, burime tokësore e nëntokësore nga më të pasurat në Shqipëri, por që fatkeqësisht nuk jemi ne përfituesit e këtyre pasurive tona. Në territorin e Bashkisë së Kukësit kanë marrë leje nga strukturat përkatëse të qeverisë rreth 34 kompani minerare në shfrytëzimin e mineraleve krom, bakër, hekur-nikel, nikel-silikat, kuarc dhe boksite.
Sipërfaqja e dhënë në shfrytëzim të këtyre kompanive minerare është 2,678 hektarë dhe mendohet se ka një rezervë minerali rreth 74 milionë tonë mineralë.
Në territorin e Bashkisë së Kukësit ushtrojnë aktivitetin 17 kompani hidroenergjetike që shfrytëzojnë pothuajse të gjithë rrjedhën e lumenjve të vegjël të bashkisë. Pritshmëritë e Bashkisë së Kukësit dhe të komuniteteve ku operojnë këto kompani minerare dhe hidroenergjetike janë të larta. Ato janë i vetmi biznes fitimprurës që shfrytëzon pasuritë tokësore e nëntokësore të këtyre komuniteteve, infrastrukturën e brishtë të këtyre zonave. Kontributi i tyre në buxhetin e bashkisë nëpërmjet taksës kombëtare, renta minerare “është pothuajse inekzistent”.
FI-ja koncesionare që paguajnë këto HEC–e, shkojnë të gjitha për llogari të pushtetit qendror, bashkia nuk është përfituese nga të ardhurat që gjenerojnë këto kompani. Kukësi është i dyti me rezervat më të mëdha ujore në vend pas Shkodrës. Liqeni i Kukësit është një nga liqenet artificiale më të mëdha në vend, i krijuar në vitin 1978 nga lumenjtë Drin i Bardhë, Drin i Zi dhe lumi i Lumës. Me një gjatësi 72 km dhe sipërfaqe 8169 hektarë, ky liqen përbëhet nga 40 gjire.
Drini është një nga lumenjtë kryesorë të qytetit të Kukësit, por edhe të vendit, i cili kalon përgjatë pjesës juglindore të Gadishullit Ballkanik dhe nëpërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, me gjatësi 335 km.
Bashkia e Kukësit është një zonë që mbart potenciale për zhvillimin e turizmit, por në të njëjtën kohë, ky potencial mbetet ende i pashfrytëzuar. Në këtë aspekt, zhvillimi sa më i shpejtë i këtij sektori mbetet përparësi.
Avantazhet kryesore dhe mundësitë që ofron zona për zhvillimin e turizmit në Bashkinë e Kukësit janë:
(i) pasuria natyrore e pakursyer dhe relievi piktoresk;
(ii) histori e kulturë të pasur;
(iii) tradita të punimeve të artizanatit;
(iv) afërsia me rrjetin kombëtar rrugor;
(v) çmimet konkurruese;
(vi) interesi në rritje dhe mundësi të mëdha për zhvillim të qëndrueshëm të zonës.
Kukësi është i pasur dhe me bimë mjekësore.
Nga ana e saj, bashkia ka mbështetur dhe nxitur biznesin vendas dhe familjet në nevojë me një politikë fiskale lehtësuese e stimuluese si më poshtë;
-Uljen me 30% të taksave për biznesin dhe njësitë familjare, në veçanti ulja me më shumë 50% për bizneset prodhuese.
-Uljen me 50% e taksave e tarifave për zonat turistike, duke i përjashtuar 5 vjet nga taksat vendore.
-Ulja nga 8% në 5% të TNI për ndërtimet për qëllime shërbimi e banimi në zonat turistike.
-Ulje me 30% të taksave për biznesin e ndërtimit për seli administrative, etj.
Të ardhurat që vijnë nga taksat dhe tarifat vendore shkojnë në 30-35% të të ardhurave të Bashkisë.
Duke qenë se jeni qarku më i varfër në vend si ka qenë mbështetja e pushtetit qendror ndaj jush?
Mbështetja nga pushteti qendror ndaj pushtetit lokal në Kukës ka qenë e papërfillshme, në problematikat, kërkesat dhe nevojat e bashkisë. Bashkia mbarti borxhe nga ish-komunat dhe Bashkia e Kukësit (para vitit 2015). Përkundrazi, me gjithë përpjekjet tona për ta kapërcyer këtë situatë, rritjen e të ardhurave nga mirëmenaxhimi i taksave dhe tarifave, nga pushteti qendror patëm bllokim të fondeve tona dhe aktivitetit të bashkisë pikërisht për këto borxhe.
Bashkia e Kukësit, me të gjithë këto pasuri minerare, hidroenergjetike, asnjëherë nuk ka marrë të ardhura nga këto kompani, me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme dhe mbështetjes që na u afrua nga ndërkombëtarët në këtë të drejtë tonë. Nuk u mbështetëm me fonde në investime në infrastrukturë dhe shërbimet publike, me gjithë modelin e mirë që krijuam me fonde modeste nga të ardhurat vendore.
Funksionet e deleguara asnjëherë nuk u mbështetën me fondet përkatëse, investimet në infrastrukturën shkollore të nisura, u lanë pa përfunduar. Qeveria asnjëherë nuk i mbështeti në mënyrë të plotë dhe ligjore të drejtat e studentëve për trajtim me bursë, pasi as 1/3 të kërkesave nuk i ka mbuluar, duke detyruar bashkitë të kompensojnë me të ardhurat pjesën tjetër, detyrim i qeverisë qendrore.
Largohen nga skema e ndihmës ekonomike, pa asnjë arsye, pa transparencë, krejt në mënyrë të njëanshme 50% të familjeve të Bashkisë së Kukësit, duke krijuar probleme nga më të ndryshmet sociale dhe duke rënduar gjendjen ekonomike të banorëve të bashkisë.
Zgjerimi i sipërfaqes për administrim duke u 100-fishuar në krahasim me para ndarjes territoriale, nuk u shoqërua me rritje të fondeve për menaxhim dhe përmirësim të shërbimeve publike. Bashkia e Kukësit, asnjëherë nuk u bë pjesë e vendimmarrjes apo e marrjes së mendimit paraprak në territorin e Bashkisë së Kukësit (për subjektet minerare, energjetike, vendosja e pagesës në Rrugën e Kombit, problemet e përmbytjes nga HEC-it Fierzë etj).
A ka një axhendë se si mund të zhvillohet ekonomia e qarkut pas reformës territoriale?
Bashkia e Kukësit ka një Plan të Përgjithshëm Vendor të hartuar me specialistët më të mirë vendorë. Jemi ndër bashkitë e para ku dhe lejet e ndërtimit janë online. Ne kemi identifikuar të gjithë problematikat, anët e forta, burimet dhe potencialet e shumta që ka Bashkia e Kukësit.
Për çdo prioritet, kemi hartuar projekte konkrete zhvillimore. Kemi hartuar një Paketë Fiskale, favorizuese për biznesin vendas dhe të huaj. Falë kësaj pune, është rritur baza e tatimpaguesve dhe të ardhurat e bashkisë.
Janë organizuar dy-tre tryeza të rrumbullakëta me biznesin vendas e donatorë të ndryshëm. Është rritur fryma e bashkëpunimit konkret me bizneset ndërkufitare, sidomos me biznesin nga Kosova, i cili po jep një kontribut të rëndësishëm me praninë e tij në bashkinë tonë.
Në aspektin e bashkëveprimit ndërkufitar, Kukësi është edhe qendra kryesore e ndërveprimit tregtar me Kosovën, për shkak të afërsisë së tij me tregun e Kosovës e veçanërisht me dy qytetet kryesore të Rajonit Ekonomik Jugor të Kosovës, Prizrenin dhe Gjakovën.
Elementet e rëndësishme administrative si pikat kufitare e kthejnë Bashkinë e Kukësit në një prej Portave Kryesore të vendit tonë.