Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama do të mbledhë sot Kongresin Elektoral me temë “Bashkitë që duam për Shqipërinë që duam”. Ky Kongres parapërgatit forcën politike në pushtet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, pavarësisht krizës politike ku ndodhet vendi dhe protestave të pareshtura të qytetarëve për dorëheqjen e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme.
PS-ja ka publikuar programin e Kongresit, që do të nisë në orën 8:30 me regjistrimin e delegatëve.
Seanca hapet në orën 10:00 me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Ballës. Më tej, për bashkëqeverisjen me njerëzit do të flasin Zv.kryeministri Erion Braçe dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj të pasuar nga fjalimet e shumë socialistëve, që do të dëshmojnë se bashkëqeverisja ka pasur sukses.
Më tej do të mbajnë fjalime për punën e qeverisë për bashkitë, 6 ministra të qeverisë, 4 kryetarë bashkie, dy prefektë dhe deputeti Pjerin Ndreu.
Në vijim, tema ndryshon në “Shqipëria në Bashkimin Europian”. Për këtë temë do të flasin ministrat Gent Caka dhe Elisa Spiropali.
Kjo temë e Kongresit do të mbyllet me miratimin e Deklaratës së Kongresit.
Në orën 12:00, seanca e dytë e kongresit.
Kjo seancë nis me fokusin “Bashkitë që duam” dhe posaçërisht me Tiranën.
Në këtë seancë do të flasin sipas radhës: Blerina Gjylameti, Erion Veliaj me prezantimin e listës së kandidsatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe i tretti, Kryeministri Edi Rama.
Me fjalën e Ramës përfundon seanca e dytë, në orën 13:30.
Në orën 15:00 nis seanca e tretë e ndarë në tre panele.
Temat do të mbahen në godina të ndryshme.
Ato do të jenë: Bashkitë që duam dhe Edukim cilësor dhe punësim për të rinjtë në plaatin e Kongreseve si dhe Reforma zgjore dhe vota e emigrantëve në hotel Sheraton.
Në orën 17:00, Kongresi Elektoral i PS mbyll punimet.