Nga Izmira Ulqinaku
Maskarada e pashembullt e bërë sot në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, në të famshmin Kongres të PS-së, na tregoi se në ç’pikë të hallit kemi rënë si shoqëri. Një turmë e madhe mjerane, gjithë administrata e vendit, sjellë rrokopujë, me të afërm e soj e sorollop, ishte shpërngulur në shesh për të qenë spektatorët e një kryeministri, sot pothuaj të lajthitur, dhe e bandës së tij. Dhe në këtë shfaqje të neveritshme, të rënies së çdo dinjiteti të zyrtarit të shtetit, ku secili ruhej dhe vëzhgohej nëse kanë sjellë edhe dhjetë vetë të tjerë me vete, sipas porosisë së debatikasit Elio, nuk mungonte edhe prononcimi mediatik i zj.Mesi. Ish zv.kryeministrja na tha se kishte ëndërr ta shihte Shkodrën të ndryshuar, gati sa nuk u përlot kur tha se e donte Shkodrën të bëhej si Fieri, apo si Vlora (që për dy vitet e fundit, Qeveria, jo Bashkia, ka investuar 122 milionë euro). Nuk harroi të theksonte se dëshira e saj, që na përkonte dhe me atë të Kryemnistrit ishte Shkodra socialiste.
Po kush të pengoi moj zonjë, ty dhe Kryeministrin tënd, të investonit në Shkodër këto 7 vite që jeni në qeveri? Po mirë se nuk e dashke Bashkinë, po në sektorët dhe drejtoritë që varen drejtpërdrejt nga Qeveria qendrore pse nuk investoni. Ajo çfarë keni bërë për këtë qytet, ju dhe qeveritë e tjera socialiste para jush ka qenë pothuaj zero. Kjo është arsyeja që qytetarët e lirë të Shkodrës nuk jua kanë dhënë dhe nuk do t’jua japin asnjëherë votën. Si shkodrane që je, të paktën sot, në atë maskaradë, ta kishe kursyer veten.