Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar 40 ditë burg për shtetasin indian, Hitesh Patel, ndërsa brenda këtyre ditëve pritet që nga autoritetet indiane të vijë kërkesa për ekstradim.
Seanca për caktimin e masës dhe vlerësimin e arrestit u zhvillua në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ndërsa Patel nuk ka qenë dakord me arrestimin për ekstradim. Patel mësohet se është kunati i dy vëllezërve Sandesara, të cilët pavarësisht se janë në kërkim nga autoritetet indiane me akuzën e pastrimit të parave, në Shqipëri kanë bërë “karrierë” në biznes, por edhe në diplomaci.
Skandali u bë i njohur pak ditë më parë, ndërsa asnjë nga institucionet
në vend nuk ka mbajtur përgjegjësinë për sa ka ndodhur, duke ia kaluar “topin” njëra-tjetrës.
MASHTRIMI
Referuar medias indiane, “The Times of India”, Patesh, së bashku me dy vëllezërit Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara, kanë marrë rreth 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, duke i zhdukur më pas përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”, të krijuar prej vetë atyre.
Për këtë skandal, Gjykata në Indi ka dhënë katër urdhërarreste dhe është në kërkim të tyre. Referuar medias indiane, më herët gjatë këtij viti kishte dyshime se vëllezërit Sandesara ishin ndaluar në Nigeri e Itali dhe se ishte dhënë drita jeshile për ekstradimin e tyre, por deri në arrestimin e Patel në Shqipëri, ende nuk është bërë e mundur një gjë e tillë dhe ata vazhdojnë të jenë në kërkim për akuzën e pastrimit të parave. Vëllezërit Sandesara, së bashku me Patel (ky i fundit konsiderohet nga mediat indiane si koka dhe krijuesi i skemës mashtruese) kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike “Sterling Biotech”. Sipas informacioneve, përgjatë viteve 2008-2011, ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore dhe i kanë zhdukur.
SKANDALI
Ndërkohë që dy vëllezërit Sandesara dhe Hitesh Patel ishin ndër më të kërkuarit në Indi për shkak të mashtrimit, në Shqipëri ata jetonin të qetë dhe kishin investuar në disa zona, duke pastruar kështu paratë. Gjithashtu, një prej tyre, Nitin Sandesara, rezulton të jetë dhe konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri, me zyrën e konsullatës së nderit në Abuja. Ndërkohë, ata kanë marrë nënshtetësinë shqiptare në shkurt të 2018- ës dhe pas kësaj, çdo gjë ka vazhduar në normalitet. Bazuar në procedurën e marrjes së nënshtetësisë, institucioni i Presidentit, me anë të një njoftimi, bëri të ditur të premten se ka qenë ministri i Turizmit, i cili ka propozuar që dy shtetasit për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, duke u bazuar në arsyen se do të kryenin investime të rëndësishme në Shqipëri.
“Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit “Për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese, nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”, sqaroi Presidenca. Kështu, rezulton se ka qenë ministria e drejtuar nga Blendi Klosi, që ka rekomanduar dy vëllezërit e shpallur në kërkim për mashtrim, për të marrë nënshtetësinë sepse do të kryenin investime, të cilat i kanë kryer në sektorin e ndërtimeve. Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me anë të një postimi në faqen e tij në “Facebook”, hoqi përgjegjësinë nga institucioni që ka drejtuar duke thënë se janë zbatuar të gjitha procedurat për emërimin e si konsull nderi.
“Në çdo rast janë agjencitë e specializuara të vendit propozues dhe atij pritës që kryejnë verifikimin e pastërtisë së personit. Mjafton hulumtimi i dokumentacionit për këtë rast për të kuptuar se është zbatuar në mënyrë rigoroze procedura”, shkruante Bushati dy ditë më parë. E ndërsa drejtuesit e ministrive që kanë kërkuar apo pranuar kërkesat e vëllezërve Sandesara, deri më tani, në reagimet e tyre janë shprehur se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, duket se “faji do të mbetet sërish jetim”.
Ndërkohë, rasti i shtetasve indianë tregon se sa lehtë mund t’u fshihesh urdhërarresteve në Shqipëri, edhe nëse ato janë bërë publike në mediat e huaja. Me arsyetimin se do të kryenin investime, dy vëllezërit Sandesara arritën të merrnin nënshtetësinë shqiptare dhe një gjë të tillë e kanë bërë. Kryesisht, ata kanë investuar në ndërtim, duke ngritur komplekse pallatesh në Tiranë dhe ndërtuar retorte në bregdetin shqiptar, një mënyrë e mirë për të pastruar parat e vjedhura dhe për të cilat ishin në kërkim.