Partia Demokratike e opozitës publikoi sot dy përgjime të reja telefonike, që provojnë, sipas saj, lidhjet e qeverisë Rama me njerëz të botës së krimit.
Përfaqësuesi i PD-së, Ervin Salianji, u tregoi mediave dy biseda telefonike të drejtorit të policisë së Fierit dhe personit që besohet se është dëshmitari i rremë kundër opozitës, që sipas tij provojnë përpjekjet për të mbuluar lidhjet e dyshimta ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të qeverisë Rama me trafikantë narkotikësh, si edhe përfshirjen në këtë çështje të sekretarit të përgjithshëm të PS-së Taulant Balla.
“Përgjimet zyrtare të prokurorisë faktojnë sajimin e dëshmitarit të rremë dhe skandalin e përfshirjes në narko-trafik si dhe lehtësirat e trafikut të drogës për vëllain e ish-ministrit të brendshëm, deputetit socialist Fatmir Xhafaj” – tha zoti Salianji.
Sipas tij, prokuroria zotëron një mori përgjimesh zyrtare, që faktojnë aferat kriminale të drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste në sajimin e një dëshmitari të rremë kundër opozitës.
Partia Demokratike deklaroi se prokuroria po shkel ligjin dhe Kushtetutën, duke mos i zbardhur këto përgjime, ku provohen shërbimet politike antiligjore të kreut të policisë në favor të Partisë Socialiste, qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Opozita deklaroi se përgjimet zyrtare të prokurorisë provojnë degradimin e shtetit dhe policisë deri në lehtësimin për trafikun e drogës dhe në mbrojtjen e trafikantëve të drogës.
“Fakti se si një drejtues policie i dërgon pagesa dëshmitarit të rremë kundër opozitës, tha zoti Salianji – tregon se si në qeverinë e Edi Ramës pushtetin real e kanë kriminelët, tregon nënshtrimin e policisë dhe prokurorisë ndaj tyre”.
Sipas tij, faktet në dosje tregojnë shpërdorimin e detyrës nga ish-ministri i brendshëm, drejtuesi kryesor i policisë dhe ai i Fierit, përfshirjen e numrit dy të partisë në pushtet në sajimin e një dëshmitari të rremë, për të shpëtuar nga drejtësia trafikantët e drogës dhe kriminelët. “Në një vend me drejtësi normale, të gjithë këta sot duhet të ishin në bankën e akuzës” – tha përfaqësuesi i opozitës.