Nga kjo fundjave është aktiv portali “U-Transparenca”, një portal ku publikohen jo vetëm financat e të gjithë universiteteve, por dhe çdo veprimtari dhe vendimmarrje e tyre. Kjo ishte një nga 8 kërkesat e protestës studentore dhe kryeministri thotë se do të jetë një mekanizëm që do të bëjë transparencë për një çështje kaq të debatuar siç janë buxhetet e universiteteve.
Në një takim me rektorë, dekanë dhe studentë Rama ndërsa premton se çdo pikë tjetër e kërkuar nga studentët mund të plotësohet nga qeveria, të vetmen çështje që ai kërkon që të merren përsipër nga vetë universitetet siç e dikton autonomia e tyre është vlerësimi i titujve akademikë, vlerësimi periodik i pedagogëve nga vetë studentet si dhe transparenca për kushtëzimin e notave me shitjen e librave.
Por pavarësisht këtyre “Lëvizja për Universitetin” ka paralajmëruar rikthimin e protestave masive, pasi pretendojnë se Rama i ka gënjyer studentët.
Reagimi i plotë:
Gjatë takimit propagandistik të radhës, kryeministri Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.
1. Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate.
2. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria.
3. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur.
4. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.
5. Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike.
Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare.