Për akademikun Artan Fuga, situata aktuale në Shqipëri nuk erdhi në mënyrë të menjëhershme, por si rrjedhojë e shumë faktorëve. I ftuar në A2, Fuga foli edhe për Parlamentin, që sipas tij prej kohësh ishte kthyer në një vend ku bëhej spektakël, ndërsa tani është kthyer në tragjedi.
“Ai që ishte Kuvendi i Shqipërisë, në një farë mënyre truri i këtij sistemi nervor qendror me të tërë pjesët e veta, por që përmblidhej aty, tani është çarë në dy pjesë dhe ne kemi një dedublim të realitetit, të sjelljeve, të koncepteve mbi Shqipërinë. Ky dyfishim nuk ka ardhur në mënyrë të menjëhershme. Duke e parë nga jashtë Kuvendin e Shqipërisë, ka qenë një lloj spektakli, i cili kalonte çdo lloj telenovele. Çdo të enjte ne shikonim këtë spektakël të centralizuar, ku deputetët që duhet të kontrollojnë qeverinë janë plateja ku qeveria jep shfaqe dhe është e njëjta strukturë e kohës së byrosë politike. Tashmë, e enjtja nga spektakël na është kthyer në tragjedi, në dramë. Jeta politike është ndarë në dysh”, u shpreh profesor Fuga.
Sipas tij një qeveri teknike, me një tjetër kryeministër, nuk është garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Profesori shprehet se procesi zgjedhor dhe ligji elektoral është antikushtetues sepse ne nuk votojmë deputetët drejtpërdrejtë, por votojmë partitë.
Fuga thekson se siguri jep një kuadër ligjor dhe i agjencive të cilat realizojnë sistemin e zgjedhjeve, i cili të jetë i drejtë dhe të shprehet vullneti popullor.