Popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) vazhdon të bjerë në shumicën Europës Perëndimore, por fenomeni ka përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Raporti Rajonal për Trendet e Punësimit më 2019 i Bankës Botërore vërejti se, nga tremujori i dytë i vitit 2017 deri në tremujorin e dytë të vitit 2018 popullsia në moshë pune në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rënë me 0.8 për qind.
Por rënien më të madhe e ka pësuar Shqipëria me 1.6%.
Në Serbi popullsia në moshë pune ra me 1.5 për qind, ndërsa në Malin e Zi mbeti e pandryshuar.
Në Kosovë, popullsia në moshë pune u rrit me 0.9 për qind. Rënie u regjistrua edhe në vendet e BE-së, me përjashtim të Austrisë, ku popullsia në moshë pune mbeti e njësoj.
Midis 2012 dhe 2017, Ballkani Perëndimor përjetoi një rritje të punësimit të popullsisë në moshë pune së bashku dhe kjo u shoqërua me rënie të inaktivëve.
Serbia, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, raportoi rritjen më të madhe të punësimit, ndërsa pjesa e joaktive ra në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.
Rënia më e madhe e papunësisë u raportua për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjen, ndërsa ulja ishte modeste në Mal të Zi.
Pjesa e të papunëve është rritur në Shqipëri dhe Kosovë, por ritmet më të ulëta të pasivitetit tregojnë një lëvizje në drejtimin e duhur.
Për krahasim, në vendet partnere, pjesa e të punësuarve në popullsinë në moshë pune u rrit më së shumti në Hungari, pasuar nga Bullgaria dhe Kroacia. Pjesa e personave joaktivë në tregun e punës ra në të gjitha vendet partnere.
Kosova është i vetmi vend ku rritet norma e papunësisë tek meshkujt, ndërsa shkalla e papunësisë tek femrat është ulur paksa. Në Shqipëri rritja e shkallës së papunësisë ndër femra ishte dy herë më e lartë se së e meshkujve.