Kur Hijet flejnë në Shoqërinë e Hajdutëve

0
345

Nga Fatmir Terziu

(… Hajdutët, Hajdutët, Hajdutët. Nuk dihet nëse duhen shkallë dhe shkallët thyhen. Fjalët nuk shkojnë më në kuptimin e parë. Eh, hajdutët, nëse do të ishin të gjithë njësoj do të kishin ngelur edhe … pa martuar. Mistere që fshihen sikurse vetmitë dhe hijet të cilat janë vetëm zhurma e diellit. Pasi bien drejt horizontit ngrejmë sytë drejt qiellit, sepse na kujton pse ne i duam… I duam?!)

Andruc Hurgaç Lulea përdori shkathtësinë e tij. Dhe që të bënte këtë realitet duhej të stërvitej. Duhej… të lexonte. Lexues në mesin e Çakallit: gjini e mesme omnivore (që ha gjithçka) e llojit Canis, e cila gjithashtu përfshin ujqër, ujqit e stepave dhe qenër të zbutur (të brendshëm e të jashtëm). Dhë kështu mësoi se Çakalli del njësoj si ujqit natën. Po natën a ka Hije? Hijet e mendimeve të tij ishin më të mëdha. U ngjitën nëpër mure, shkurre dhe kapërcenin gardhe. Secila prej hijeve të tij kishte një rol si të fëmijëve. Ngriti sytë. Pa majtas e djathtas, pastaj edhe poshtë, edhe lartë. Ndoqi një gërshetim zvetënak rrotullues të kthjellët. Mbi të qethej kalipso Planeti. Koka e Planetit dukej si një gjysëm yll i dëmtuar me paramendim.
Dhe nga trungu i tij shtrydhej vetëm e pira, e ngrëna, dhe … natyrisht edhe paraja. … të ardhura. Të ardhurat ishin më të larta. Të ardhurat filluan të shtonin pijen në një qytet, që i linte pistoletat e fshehura në vetura. Tingëllonte i mirë nga lagështia që përhapej nëpër cepa muresh dhe nga budallallëku i pushkës së Qytetit pa Det që kishte provuar shënjestrën edhe mbi gomarin me antiplumb.
Një rrëmujë e tillë nuk ishte parë në atë vend që nga lindja e mashtrimit të ciganëve. Macet varroseshin nga fëmijët. Mjaullimat ishin si kore pushkësh që qëllonin në ajër të pastër. Në misër kishte vetëm dengje të shtrira. Dengje që ngjanin si ngjyra e bardhë në shkretëtirë.
Andruc Hurgaç Lulea bëri një foto. Pa nga syri i tij i majtë: u copëtua nga kodra. Syrin e djathtë e kishte të mbuluar. Ishte një zjarr dhe një gjuhë e mistershme. Dhe ja, kishte parë se kishte pasur një vrimë. Ishte gati. Gati ia dha shpirtin magjistarit të formuar nga një re e ftohtë. Lexoi duke shtypur me gisht: “Andruc Hurgaç Lulea/Doli hajdut nga Moreja/Pas ju qep Paganeja/Paganeja pas ju ngjinë/Ndë male mbi Samarinë/Lufton e shkreta martinë/Kapedani nget borinë/Kapedani qan me lot/Çu bëre o niviciot/Kapedani qan me drita/nga vajte Andruc Nivica…”
Ishte një zjarr dhe një gjuhë e mistershme e ikjes. Ikja kishte ndodhur fshehtas. Kishte hypur Hijet në një kompani ajrore. Nuk u kuptua nëse ishte kompani ajrore buxhetore. Por u dëgjuan emrat e Xhorxh, Majkëll, … Stella, u panë kuti me karota irlandeze dhe fillimi i lojës arkade, e cila është e vogël dhe bjonde dhe e thjeshtë. U dukën Hijet memece. Memecëri me torba dhe valixhe, karta bankare të ndryshme, valutë e flori me të madhe. Kishin inat policët që nuk ishin më policë. Edhe sot ata nuk hanë apo flasin me policët me gojë. Ikja ishte me të madhe. Ikje hajdutçe, në fund të fundit ishte ikje.
Andruc Hurgaç Lulea vazhdoi të lexonte. Edhe gjinia e mesme omnivore (që ha gjithçka) e llojit Canis ikën. Kishte ndodhur edhe në qytetin më të madh në Brazil. Ikja ishte gati një vallëzim në dreqin e Lindjes së Mesme. Ikja ishte e ftohtë. E ftohtë si Çmimet e Ftohta në Rusi. Gjini omnivore dhe Riprodhim. Në atmosferë të zezë, ndihej këshilla e bardhë dhe ajo me ekspertë të Amerikës së Veriut. Lëkura ishte gjithashtu shumë e ftohtë.
Pasi rilexoi dhe një herë këto Andruc Hurgaç i kaloi shpejt e shpejt faqet që sillnin rrëmbimin e plehut në qytet dhe vjedhjen masive në Lindjen e Mesme, pastaj kaloi në Rusi të bënte paralelizma, shfletoi faqet për fenë dhe e ndali syrin mbi cepin e shtatzënisë së Marisë, aftësitë kompjuterike të rinovimit të flokëve, zhurmën dhe shqetësimin e tregut të këmbimit të Valutave.
Në versionin e librit koha ishte mjaft herët. Shumë herët në mëngjes. Paganeja, farmacistja, dhëmbëndreqësi dhe tregtari modern mendonin vetëm për gratë moderne dhe botuesin e atij Libri të Madh. Vezët, frutat dhe glasat e një zogu të lazdruar me ngjyrë të verdhë në të zezë ndodheshin në të njëjtën tavolinë të shtruar me çaj të zi me ujë të nxehtë dhe të ftohtë njëkohësisht për autorësinë e atij Libri të Madh. Shumë fjalë i kishte të mbërthyera vetëm për pesë deri në shtatë vitet e fundit. Feja dhe kultura e mirë tradicionale. Mirëqenia, përparimi dhe kondomët e madhësisë dhe shijeve të ndryshme ishin jashtëzakonisht të përfshirë në libër. Të rriturit, shtatzënia, flokët, kompjuterët, atmosfera akustike natyrisht kapitull më vete. Rrapistët e rrinj regjistrohen në një këngë të veçantë të regjistruar në pyllin malor Hija e Fraqtë. Por, edhe në orën 13.00, Teatri zhurmoi nga këpucët e fëmijëve. Xhupa të verdhë, të zezë, të kuq, të zvetënuar do të mishmashen me ide, me probleme dhe rënie të ndryshme, pasi ato do përdoren më pas jo vetëm në krahinë, por dhe në perëndim. Do të jetë një model eksperimental i mirë. Më i miri që nga lindja e frymorëve në Tokë. Ky libër është një yll rrëfyes…
***
Mëshirë. Eh, do të ishte … ndoshta një e tillë. Dhe sytë, duart, veshët… tërë gjinia e mesme omnivore (që ha gjithçka) e llojit Canis, do të shohë vetëm karburant, ushqim, veshje dhe ushqim… Dhe më vonë Ju do ti quani, sikurse i kujtoni tani hajdutë, vjedhës, grabitës, shfrytëzues… mashtrues, Hajdutë. Hajdutë është vetëm një pakuptimësi dhe një kompjuter në shtëpi, një muzë i vjedhur, një vlerë e grabitur… Rrethi shkon rreth rrethit. Andruc Hurgaç Lulea në shkretëtirë dhe gjithashtu edhe detet dhe gjithë lumenjtë e liqenet në hijen e 400 yjeve.

(… vazhdon të dëgjojë ison e largët të Dasmës dhe hedh vallen me Hijen e Hajdutëve. Ndoshta një ditë nuk do të harrohet. Ndoshta … Andruc Hurgaç Lulea komit (hajdut) nga Nivic-Bubari i Sarandës thirej Andruc Luleja sepse ishte djalë i bukur…, thotë në kohët tona studiuesi i Jugut, Timo Mërkuri. Atëhere ishte…
“Gjashtëdhjetë e di senea,
Deshi të martohej Andruc Hurgaç Lulea…”)