Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ilir Meta mori pjesë sot në festimet dhe paradën ushtarake të Forcave të Armatosura shqiptare me rastin e 10-vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior.
Ndryshe nga kryeministri Rama që e shfrytëzoi këtë aktivitet për t’i bërë “publicitet” vetëm qeverisë së tij, Presidenti i Republikës në fjalën e tij, nuk harroi të përmendë me vlerësim kontributin e të gjithë spektrit politik shqiptar dhe të të gjitha qeverive shqiptare për arritjen e këtij projekti madhor.
“E paçmuar mbetet mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithë popullit shqiptar dhe mbarë spektrit politik e të gjitha qeverive të ndryshme ndaj këtij projekti madhor strategjik që u shërben interesave kombëtare si asnjë projekt tjetër”, – nënvizoi ndër të tjera në fjalën e tij Kreu i Shtetit.