Policia e Tiranës ka arrestuar dje dhe sot gjashtë persona, të cilët shpërndanin lëndë narkotike të llojeve të forta dhe marijuanë.
Njoftimi i Policisë:
Tjetër goditje e shpërndarjes së drogërave të forta në bashkëpunim. Finalizohet operacioni policor i koduar “STAFETA”.
Në pranga pesë shtetas që në bashkëpunim, shisnin në kryeqytet në bazë klientele, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë të cilën e sillnin nga qyteti i Laçit. Sekuestrohet lëndë narkotike e llojit kokainë, automjete e aparate celular.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në kuadër të operacionit policor të koduar “STAFETA”, arrestoi në flagrancë shtetasit:
– Gj. D., 36 vjeç, banues në Laç;
– M. P., 44 vjeç, banues në Mamurras;
– A. L., 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe/Patok;
– A. N.,23 vjeç, banues në Fushë Kuqe/Patok;
– E. D., 28 vjeçe, banuese në Laç.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, dyshonte se shtetasi Gj. D., me banim në Laç, në bashkëpunim me shtetasit M. P., A. L., A. N., dhe E. D., tregtonin dhe shisnin në kryeqytet me porosi klientele, lëndë narkotike të llojit kokainë të cilin e sillnin nga qyteti i Laçit.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e policisë duke qarkulluar me dy automjete në rrugën e “Valiasit” në Kamëz dhe janë ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti në njërin mjet një qese me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 249.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; dy automjete dhe gjashtë aparate celular.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale te “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur
Po gjatë ditës së djeshme, në vijim të punës së tyre për evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjse së lëndëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja arrestoi në flagrancë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”, shtetasin :
– Xh. N., 22 vjeç, banues në Laç
Në aksin rrugor për në “Rinas” është ndaluar për kontroll mjeti me drejtues shtetasin Xh. N., dhe pasagjer shtetasin D. N., 27 vjeç, ku gjatë kontrollit të mjetit në pjesën e kroskotit është gjetur një qese me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:37.7 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis; aparat celular dhe automjet.
Gjithashtu u procedua në gjëndje të lirë për “Moskallzim krimi” pasagjeri D. N. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.