Dy ish-presidentët e vendit, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, kanë kërkuar nga pasardhësi i tyre, Ilir Meta, që të iniciojë një tryezë dialogu për të gjetur një zgjidhje për krizën politike që ka kapur vendin. Në një prononcim të shkurt për mediat, dy ish-presidentët u pyetën për qëndrimin e tyre mbi rolin që duhet të marrë kreu i shtetit, Ilir Meta, si personi që qëndron mbi palët politike.
Alfred Moisiu ishte më i prerë në përgjigjen e tij, duke i kërkuar Metës që të bëjë të njëjtin veprim që kishte bërë ai në vitin 2007 kur ishte President i vendit. Sipas Moisiut, Meta duhet të ndërhyjë, por mënyrën sesi, e zgjedh ai vetë.
“Për mendimin tim duhet të ndërhyjë. Si e vendos dhe si e bën është e drejta e tij sepse atë barrë ka në kurriz, por klasa politike duhet të ndërgjegjësohet se kështu nuk mund të ecet përpara”, tha Alfred Moisiu. Ish-Presidenti tjetër, Rexhep Meidani, ndau të njëjtën bindje që Meta duhet të ndërhyjë, por theksoi se pavarësisht kësaj, duhet edhe një ndërgjegjësim i vetë klasës politike për të kapërcyer krizën.
“Teorikisht duhet të ndërhyjë Presidenti. Praktikisht, varet sa është zëri i fuqishëm brenda klasës politike”, tha ish-Presidenti Meidani.
ZGJEDHJET
Ish-presidentët u pyetën edhe për çështjen e djegieve të mandateve parlamentare dhe të kërkesës së opozitës për zgjedhjet e parakohshme. Rexhep Mejdani, si Presidenti në një kohë të trazuar për vendin, dha qëndrimin e tij. Ai u shpreh se zgjedhjet e parakohshme vendosen nga maxhoranca që është në qeverisje dhe është po kjo maxhorancë që duhet të gjejë zgjidhjen që u shërben qytetarëve.
“Të gjitha janë të mundshme, por vendimmarrja kryesore është e maxhorancës që qeveris. Nëse gjykon që mund të kalojë në zgjedhje të parakohshme, vendimmarrjen e merr po kjo klasë politikë që është në qeverisje. Por për mendimi tim, të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe mundësitë për të gjetur zgjidhje që u shërben qytetarëve, zhvillimit dhe procesit të integrimit, ndodhen në tavolinë. Ata duhet të ulen e të gjejnë zgjidhje”, tha ish-Presidenti Meidani, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e parakohshme nuk janë një herezi.
MANDATET
Për sa i përket vendimit të ish-opozitës parlamentare, e cila në datën 21 shkurt ndërmori veprimin drastik duke dorëzuar në bllok mandatet parlamentare, e cilësoi këtë si një vendimmarrje ekstreme të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai tha se gjatë tranzicionit në vend ka pasur shumë bojkote parlamentare dhe të gjata, por jo një vendimmarrje e tillë.
“Djegia e mandateve është një vendimmarrje in esktremis, e pa provuar më parë. Natyrisht, në procesin e tranzicionit ka pasur shumë bojkotime Parlamenti dhe largime nga Parlamenti për kohë të gjatë, por kjo e fundit ishte më e fuqishme”, u shpreh Mejdani për mediat, duke shtuar se politika shqiptare, si nga maxhoranca, ashtu edhe nga opozita, duhet të gjendet një zgjidhe përpara se kjo krizë të shpërthente, duke nënvizuar se: “Nuk duhej futur fitili te një zjarr që ndizej”.
… [Trackback]
[…] Info on that Topic: startnews.news/2019/03/31/kriza-dy-ish-presidentet-moisiu-dhe-meidani-apel-metes-opsionet-jane-ne-tavoline-por/ […]
… [Trackback]
[…] Find More Info here to that Topic: startnews.news/2019/03/31/kriza-dy-ish-presidentet-moisiu-dhe-meidani-apel-metes-opsionet-jane-ne-tavoline-por/ […]
Comments are closed.