Banka Botërore prezantoi sot Raportin e Rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, prej të cilit kërkohet përshpejtimi i reformave. Vendet e BP përballen me të njëjtat sfida, siç është papunësia. Rritja ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 3.7% në vitin 2019-2020, megjithatë ky parashikim mbetet i cenueshëm nga risqe të shtuara, përfshirë këtu edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike të BE-së.
Sipas raportit të BB, vendet e rajonit kanë mundësi t’i çojnë përpara reformat për të zbutur këto risqe.
Në Maqedoni, Bosnje dhe Kosovë pritet të vijojë rritja ekonomike. Ndërsa do të ngadalësohet në Malin e Zi, Shqipëri dhe Serbi.
“Pasiguria politike është një faktor që do të ndikojë. Protesta që vihen re në vendet e Ballkanit lidhen dhe me vonesën e implementimit të reformave strukturore. Qeveritë duhet të mundësojmë lehtësim të aksesit në tregun e punës. Megjithatë ne shikojmë edhe një oportunitet për t’u përgjigjur në mënyrë pozitive.”- theksohet në raport.
Borxhi publik dhe detyrimet e prapambetura u reduktuan në rreth 68.6% të PBB-së, të ndihmuara nga zvogëlimi i raportit të shpenzimeve ndaj PBB-së dhe mbiçmimit të kursit të këmbimit.
Rreziqet fiskale të lidhura me detyrimet jashtë bilancit mbeten të larta dhe përbëjnë një problem për konsolidimin e mëtejshëm fiskal, vë në dukje Banka.
Për sa i përket kontratave PPP, përfaqësues të BB u shprehen se po punojnë me qeverinë në monitorimin e kontratave ekzsituese dhe se ato duhet të shërbejnë për të parë cila funksionojnë.
“Qeveria duhet të shikojë mekanizma për financinin e sektorit të energjisë, për sa kohë varen nga buxheti i shtetit.”-nënvizoi Banka.
Sipas raportit, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mbi 4 përqind në 2018. Zhbalancat e jashtme dhe fiskale janë përmirësuar, janë shtuar vendet e punës dhe borxhi publik është ulur. Megjithatë, kërkohet një ritëm më i shpejtë reformash strukturore për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskaledhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturëdhe kapitalin njerëzor.
“Pavarësisht këtyre përmirësimeve, qëndrueshmëria e mëtejshme e rritjes do të kërkonte një ritëm më të shpejtë reformash strukturore dhe progresi për hyrjen në BE”, thotë Maryam Salim, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Duhen bërë përpjekje për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë në mënyrë që të mbrohet qëndrueshmëria fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor.”
Më pak vende pune
Pavarësisht kësaj rritje më të fortë, në rajon po krijohen më pak vende të reja pune, që pasqyron një dinamizëm të fufizuar në sektorin privat. Në vitin 2018, në Ballkanin Perëndimor janë krijuar vetëm 96 mijë vende të reja pune, kryesisht në industri dhe shërbime, në krahasim me 171 mijë vende të reja në 2017. Papunësia pësoi rënie por vijon të mbetet e lartë, sidomos për gratë dhe të rinjtë. Në disa vende, kjo rënie ka ardhur si pasojë e uljes në pjesëmarrjën në forcat e punës dhe rritjes së emigracionit, dhe jo nga krijimi i vendeve të reja të punës.
2017 | 2018ç | 2019p | 2020p | |
Shqipëria | 3,8 | 4,2 | 3,8 | 3,6 |
Bosnja-Hercegovina | 3,2 | 3,0 | 3,4 | 3,9 |
Kosova | 4,2 | 4,2 | 4,4 | 4,5 |
Maqedonia e Veriut | 0,2 | 2,7 | 2,9 | 3,2 |
Mali i Zi | 4,7 | 4,4 | 2,9 | 2,4 |
Serbia | 2,0 | 4,2 | 3,5 | 4,0 |
Ballkani Perëndimor | 2,6 | 3,8 | 3,5 | 3,8 |
BE28 | 2,6 | 2,1 | 1,8 | 1,7 |
Evropa Qendrore dhe Lindore | 4,9 | 4,3 | 3,6 | 3,2
|
Burimi: Autoritetet kombëtare dhe çmuarje të Bankës Botërore
“Politikëbërësit në rajon duhet të zbatojnë reforma që të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe përshpejtohet krijimi i vendeve të reja të punës,” – thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Firmat me rritje të lartë krijojnë shumicën e vendeve të reja të punës në Ballkanin Perëndimor, por ka shumë pak prej këtyre firmave, madje edhe në krahasim me ekonomitë e tjera të vogla në Evropë. Heqja e barrierave që ua vështirësojnë ekzistencën firmave të reja apo rritjen firmave ekzistuese, krijon mundësi për njerëzit – duke nxitur sipërmarrjen dhe novacionin, rritjen e vendeve të reja punës dhe realizimin e potencialit të kapitalit njerëzor të këtij rajoni dinamik”.
Rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik ka qenë një faktor kryesor i rritjes në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë që investimet private dhe publike kanë nxitur rritjen në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Rritja e eksporteve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut kanë ndihmuar gjithashtu në rritjen e tyre ekonomike. Por investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë vijuar të kenë ritme të ngadalta.
Në këto kushte, sipas raportit, është jetike për vendet e Ballkanit Perëndimor të çojnë përpara reformat për t’i zbutur risqet dhe pakënaqësinë publike në rritje. Fushat e reformës që mund të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, nxisin rritjen dhe krijojnë vende të reja pune përfshijnë: politikën e konkurrencës; tatimin e punës; tatimin mbi të ardhurat personale; diversifikimin e sektorit financiar; eksportet; dhe marrëdhëniet ekonomike.
Raporti sheh edhe vështirësitë lidhur me kapitalin njerëzor në rajon. Nëse mbeten të pazgjidhura, këto vështirësi do t’i kufizojnë shumë perspektivat për rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë.
Për shembull, investimi i pakët për zhvillimin në fëmijërinë e hershme çon në rezultate të dobëta në arsimin fillor dhe të mesëm në disa vende, ku sistemet arsimore shpesh nuk u japin nxënësve aftësitë për të cilat kanë më së shumti nevojë punëdhënësit. Programet e përgjithshme të asistencës sociale shpesh nuk arrijnë familjet e varfra dhe të pambrojtura, ndërkohë që sistemet shëndetësore nuk janë në gjendje t’i përgjigjen rritjes së sëmundjeve jo ngjitëse. Të larta mbeten edhe shpenzimet private individuale për shëndetin. Monitor