Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare në zonën e Gardës së Republikës shihet prej Partisë Demokratike si një taktikë për t’i hapur rrugë ndërtimeve shumëkatëshe.
Në një intervistë për Ora News, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se për ndërtimin e Bibliotekës së Re, përdoret e njëjta skemë si me ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
“Duke prishur Bibliotekën Kombëtare aty ku është njëkohësisht hapin rrugë për të ndërtuar kulla. Ndërkohë Bibliotekën e transferojnë tek liqeni për arsye që edhe aty të jepet kullë. Duke i thënë atij që ti do të ndërtosh Bibliotekën Kombëtarë ti justifikon interesin publik. Është e njëjta skemë që është përdorur në Teatrin Kombëtar”, shprehet zëdhënësja e PD.
Sipas Zhupës, kjo mënyrë veprimi është parashikuar edhe në planin e përgjithshëm vendor të vitit 2017, ku shihet se zona pranë Gardës së Republikës do të jetë ndërtime që përfshijnë shërbime të ndryshme.
“Zona e Gardës që është në hartë është parashikuar me ndërtesa 9 kate dhe 29 metra lartësi. Po ta shikoni përshkrimin thotë banim, argëtim, parkim, shërbime”, shton ajo.
Kujtojmë këtu se, një ditë më parë, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare deklaroi se është hera e parë që Biblioteka do të ketë një godinë të denjë me standardet e duhura për ruajtjen e botimeve.