Zhdukja e Bleona Matës 10 vite më parë, e cila sot është 17 vjeçe, ka ngjallur reagim të madh tek publiku. Kjo histori është rikthyer në fokusin e shqiptarëve pasi kërkimet për të tashmë i ka filluar dhe Anglia.
Që prej lajmit të zhdukjes së saj, kushërirat e Bleonës përfliteshin si pjesëmarrëset në rrëmbimin e saj, e megjithatë kjo nuk u vërtetua kurrë.
Qamile Mata është emri më i përfolur për zhdukjen e Bleonës, ngjarjes së ndodhur më 22 maj të 2010-s. Ajo është kushërira e Bleona Matës, me të cilën vogëlushja atëherë vetëm 6 vjeçe u ngjit në malin e fshatit Zapod të Kukësit, për të kullotur bagëtitë.
Qamilja, e cila në atë kohë ishte 13 vjeçe, gjatë një bisede me gazetarët e emisionit “Pa gjurmë” në “Report TV” tregoi se, nuk ka gisht në zhdukjen e Bleonës dhe kërkoi që të mos shqetësohej më.
“Mos ma përmendni më emrin. Nëna e Bleonës të vijë me mua aty live, jo të më përmendë emrin. Bukuria po shpif. Unë s’kam asnjë faj në atë punë. Ajo erdhi pas meje, si mbaj mend gjërat fort mirë. Mos ma prishni martesën, jam nënë kam një djalë. Emrin tim mos ma përmendi njeri”, tha Qamile Mata gjatë një bisede para se të mbyllte telefonin.