Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu thotë se nuk ka parë asnjë provë bindëse që të lidhë ish-kryeministrin Sali Berisha me presidentin rus, Vladimir Putin. Në intervistën për ‘Top Story’, Arvizu ka theksuar se Berisha ka bërë shumë për të promovuar marrëdhëniet e Shqipërisë me perëndimin, pa lënë pa përmendur edhe defektet e tij.
“Z. Berisha ka bërë shumë në interes të vendit dhe për të promovuar marrëdhëniet me perëndimin, por mendoj që ai është përgjegjës edhe për disa momente të mëdha ndalese dhe nuk e kam fjalën thjesht për skemat piramidale por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të konsoliduar pushtetin. Unë nuk kam parë kurrë ndonjë provë që mund të tregojë se ai ka parë drejt Vladimir Putinit, Rusisë apo ndonjë lideri të huaj. Do të më duhej të shihja prova bindëse sepse është diçka që as e kam menduar kurrë dhe as e kam hasur”, ka deklaruar Arvizu.
Sa i përket influencës së Rusisë në Shqipëri, ish-ambasadori i SHBA-së thotë se rusët kanë sofistikuar mënyrën se si po ndërhyjnë në vendin tonë.
“Kam biseduar me miqtë e mi shqiptar dhe ata thonë që dihet se Shqipëria është vendi më pro amerikan në botë, Kosova mbase është e dyta, kishte një periudhë kur ishim pjesë e Traktatit të Varshavës kur rusët kishin shumë influencë, më pas kinezët, Enver Hoxha vendosi të qëndrojë i vetëm dhe tani jemi vendi më pro perëndimor në botë. Unë bie dakord me çdo gjë që ju thoni, por duhet të kuptojmë që rusët janë shumë të sofistikuar në përpjekjet e tyre. Ata kanë modernizuar mënyrën se si ndërhyjnë”, ka thënë Arvizu.