Nga Azgan Haklaj
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zbarkon në Qytetin e Nobelit Kukës me 250 artistë nga të gjitha trojet etnike shqiptare me dt 16 Prill ora 11.
Shqiptarët startuan mrekullisht në mijëvjeçarin e tretë të historisë së tyre.
20 vjet më parë, Kosova, epiqendra e qëndresës kombëtare për liri e pavarësi, djepi i nacionalizmit shqiptar, i kuvendeve të mëdha e kryengritjeve të fuqishme u ngrit ashtu si Davidi kundër Goliatit përballë kuçedrës së Ballkanit, makinës së përgjakshme ushtarako- policore të kasapit Millosheviç.
20 vjet më parë bota mbarë u ba dëshmitare e masakrave të pashembullta të çetnikëve serbë mbi pleqtë, gratë e femijët e shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës. Garashanianët, karaxhiqët, çubriollviçët, rankoviçët e rinj ëndërruan dhe praktikuan zhbërjen e Kosovës Dardane përmes spastrimit etnik, dhunës, burgosjeve masive e shtypjes me metoda mesjetare, ndaj një popullsie të lashtë e autoktone, në trojet e veta mijëvjeçare.
Bota mbajti frymën tek shihte fshatra e qytete të djegura, bombardime barbare ndaj popullsise civile, grabitje e bastisje që të kujtojnë epokën e hordhive të hunëve të Atilës, vizigotëve të Alarikut që rrafshuan Romën, mongolëve të Çengiskanit, barbaritë e vikingëve të Erik Qimekuqit, fushatat e Sulltan Mehmetit apo krimet e esesëve hitlerianë ndaj hebrejve në Luftën e Dytë Botërore.
Millosheviçi ëndërronte të bahej një Car Dushan i Ri.
Dukej sikur furia dhe egërsia serbe nuk kishte të ndalur e Kosva do gremisej njëherë e përgjithmonë në honet e historisë, ashtu si Kartagjena e Hanibalit, apo Troja e Priamit dhe Hektorit.
Mesjeta trokiti fort me tmerrin dhe barbarinë e saj në vatrat e Kosovës.
Është momenti të kujtojmë vargjet e Kadaresë për mizoritë e Car Dushanit, ideatorit të Perandorisë Serbe.
” Ish kohë e zymtë dhe e egër
Po vdekje s’kishte Atëdheu
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Mberrin rrufeshëm Skënderbeu”
Providenca Hyjnore bëri të mundur që 20 vjet më parë Kombi Shqiptar të rilindë përmes zjarrit të luftërave e betejave ashtu si Zogu Feniks nga hiri.
Kosova i dha Kombit Shqiptar 22 vjet më parë gardën proteriane UÇK- në me Skënderbeun e Ri të qëndresës Kombëtare Adem Jasharin, De Golin Shqiptar Ramush Haradinaj, Bogdanin e kohërave moderne vizionarin gjenial Ibrahim Rugovën, gjeneralë dhe strategë trima të shumtë, mijra deshmorë që dhanë dhe jetën për liri nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Në vitin 1998 bisha serbe mbuloi me zjarr dhe hekur brezin kufitar në trekëndëshin Prizren-Pejë- Gjakovë
Malësia e Gjakovës priti me bujari e përkujdesje vëllazërore 20000 vëllezër dhe motra nga Kosova të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre me operacionin “Patkoi” të ideuar dhe realizuar nga makineria gjakatare e Millosheviçit.
Kukësi -Tropoja dhe Hasi u banë para dy dekadash ashtu si në kohën e Serbisë së parë dhe të dytë strehë e sigurtë për vellezërit dhe motrat e një gjaku dhe Kështjella të pamposhtura lirie.
Një këngë e vjetër popullore monumentale për reprezaljet serbe të dimrit të vështirë 1913 e shpërnguljet e imponuara me forcën e armëve, me zjarr, hekur e terror thotë:
” Ndjefsha mirë për ty Malësi
Mirë mi prite 12 mijë
20 vetë më e vogla shpi”.
Kukesi -Tropoja -Hasi që patën nderin një shekull më parë të prisnin në vatrat familjare e odat e burrave korifejtë e patriotizmit e të luftës për liri Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Shotë e Azem Galicën, një çerek shekulli më parë hapen dyert e zemrat për dasmën e lirisë e krushqit e tyre Adem Jashari, Vëllezërit Haradinaj, Muje Krasniqi Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Mujdin Aliu e mijra luftëtarëve trima të Kosovës e të shqiptarisë që thyen kufirin Shqipëri-Shqipëri.
Kukesi kjo trevë e lavdishme shqiptare i ktheu pergjigje Sulltan Hamidit me koburen e Ramadan Zoskocit e bashkë me vëllezërit dibranë të udhëhequr nga Islam Spahia e Elez Isufi ripërtërinë Epokën e Skënderbeut në betejën lëgjendare me invadarët serbosllavë dhe asgjesuan 12000 agresorë.
20 vjet më parë kur Nato e kombet e lira demokratike bombarduan caqet e makinerisë gjakatare serbe Kukesi priti me bujari mbi 500000 vellezër e motra të Kosovës.
Është rast unikal në botë që një qytet pret 10 herë më shumë mysafirë se popullsia e tij, prandaj me të drejtë është propozuar për çmim “Nobel”
Kjo mikpritje legjendare e humanizëm proverbial i kuksianëve është i ngulitur thellë në ADN e Kombit Shqiptar dhe sanksionohet në shprehjen lapidare të Kanunit të Lekë Dukagjinit:
” Shpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”
Jemi në vitin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në 20 vjetorin e Betejës legjendare të Koshares ku ranë 113 deshmorë.
Ranë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu Abaz Thaçi që sëbashku me Luan Haradinajn e Mujë Krasniqin e shumë trima të tjerë janë simbolet e thyerjes së kufirit, Murit Berlinez mes Shqiptarëve.
Jemi në 20 vjetorin e renies heroike të betejës dhëmb për dhëmb me armikun të Gjeneral Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj Hasim Halilaj në malet e Maznikut.
Jemi në 10 vjetorin e hyrjes së Shqipërisë në Nato.
Shqiptarët e Maqedonisë zyrtarizuan Gjuhën Shqipe, gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe Hyjnores Nanë Tereza.
Ata u banë përcaktues ne rrugtimin e Maqedonisë drejt Natos dhe BE me emër të ri Maqedoni e Veriut.
Pranvera Tuziane triumfoi me fitore spektakolare pasi jetësoi mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit duke realizuar ëndrren e Ded Gjon Lulit pas më shumë se një shekulli.
Eshtë koha të shprehim një mirënjohje të përjetëshme aleatëve tanë përendimorë
NATOS dhe burrave të mëdhenj të shtetit Bill Klintonit, Toni Blerit, Zhak Shirakut, Xhorxh Bushit, shtetet e të cilëve kanë kontribut themelor e historik për lirinë e Kosovës e pavarsinë e Saj.
Sot Kosova është e lirë dhe demokratike, e sigurt në Rrugën e saj drejt progresit dhe integrimit Euro-Atlantik, është kujtesa jonë historike e kombëtare, pjesë integrale e Atdheut tonë e pandashme, Kauzë Kombëtare për mbrojtjen e saj me betimin solemn:
“Një Kokë për një Pëllambë Tokë”.
Muret e ndarjes janë shembur njëherë e përgjithmonë.
Kufijtë janë simbolik.
Përjetësisht s’na ndan ma guri.
Asgjë nuk mund të na ndalë në rrugën tonë Hyjnore të bashkimit Kombëtar.
Me dt 16 prill ora 11 Unionin Artistik i Kombit Shqiptar do të zbarkojë në Kukës, në Qytetin NOBEL me 250 artistë të përzgjedhur nga të gjitha trojet Iliro- Dardano-Arbërore me spektaklin madhështor tematiko-artistik :
“Për Ty Kosovë”.