Me thirrjet “Rama ik, Rama ik” dhe “Shtëpitë tona do t’i mbrojmë me gjak”, banorët e Bregut të Lumit vijojnë protestën prej disa orësh. Me ta sot janë solidarizuar edhe protestuesit e Unazës së Re, që kanë të njejtin hall.
38 banesa në zonën e Bregut të Lumit ku pritet të zgjerohet Bulevardi i Ri i Tiranës janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizmit.
“Dola në mbrojtje të shtëpisë sime, dy policë më ranë me grushte. Shtëpia ime është në proces legalizimi si 240 të tjera që janë shpronësuar tashmë”, tregoi njëra nga protestueset.
Bashkë me protestuesit, ishte edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili denoncoi aktet e dhunës.
“Sot në mënyrën më barbare, me urdhër të Ramës policia i ka dhunuar këta qytetarë. Këta banorë të 38 shtëpive janë penalizuar nga pushtues Rama të mos marrin asnjë dëmshpërblim se rezulton t’i kenë pasur shtëpitë në proces legalizimi”,- tha ai.