Ervin Salianji: Fitojmë 80 mandate nëse zgjedhjet bëhen sot

1
327

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, ka bindjen e plotë se, nëse sot do të kishte zgjedhje parlamentare, opozita do të siguronte 80 mandate në Kuvend. Por Salianji thotë për ‘Gazeta Shqiptare’ se opozita duhet të përmirësohet edhe më tepër pasi sipas tij Edi Ramës i kanë mbetur vetëm edhe disa javë në karrigen e kryeministrit. Z.Salianji shprehet se Edi Rama është përgjegjësi i krizës aktuale në vend ndaj ai mendon se opozita duhet të jetë më këmbëngulëse në sqarimin e ndërkombëtarëve dhe në komunikim të vazhdueshëm me gjithsecilin prej partnereve. Sipas ish deputetit të PD-së, kritikat e ndërkombëtarëve duhen marrë si kritika miqësore dhe reflektive. Ervin Salianji ka një përgjigje dhe për ata që mendojnë se PD mund të shkojë drejt shkrirjes tashmë që ndodhet jashtë institucioneve; “në situata radikalizmi opozita vetëm forcohet”.

Z.Salianji, opozita prej kohesh ka zbritur ne shesh, por cili është efekti që po japin protestat?
Protestat në çdo kohë dhe çdo moment janë instrument i politikës në demokraci, por protestat e sotme janë i vetmi mjet për mbrojtjen e demokracisë dhe rivendosjen e sundimit të ligjit. Protestat kanë dhënë efektin e pritur, kanë treguar mllefin e madh qytetarë ndaj Ramës, mbështetjen ndaj kauzave të opozitës dhe kanë ndërgjegjësuar opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Nuk mbaj mënd ndoshta prej me shumë se 20 vitesh Shqipëria nuk e ka pasur këtë vëmendje nga mediat ndërkombëtare. Ndërkohë që protesta është mjeti i fundit për ruajtjen e demokracisë dhe për të mos lejuar tiraninë!

 

Pavarësisht se opozita dorëzoi mandatet e deputeteve dhe nisi protestat, Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër. Cili është hapi tjetër i opozitës që do të çojë drejt largimit të Ramës nga qeveria?
Djegia e mandateve të opozitës nuk është shkaku i krizës, por është pasojë e krizës se gjithanshme që ka krijuar Rama me keqqeverisjen e tij. Djegia e mandateve nuk ishte një hap i kërkuar nga ne, por i vetmi akt që na kishte mbetur për të treguar që sistemi është në kolaps. Që institucionet drejtohen nga një njeri i vetëm, që opozita parlamentare nuk ka asnjë garanci dhe nuk lufton dot me asnjë mjet as ligjor, as politik. Mjetet ligjore kanë rënë kur Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë thuajse nuk ka, rrugët për zgjidhje parlamentare nuk ka, sepse Rama nuk ka interesin publik dhe as interesohet për të fituar betejën me publikun nëpërmjet debatit të alternativave sepse në fund zgjedhjet i vjedh. Ne këtë kontekst ne dolëm nga parlamenti për të treguar të vërtetën e zhveshur, se ky sistem nuk i shërben qytetarëve dhe se Rama është përgjegjësi! Rama është kryeministër në “Afoljo”, kryeministër për inervi edhe disa javë, që sot Rama është në minorancë sipas çdo sondazhi!

Pse kaq kundërshtarë të huajt ndaj vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve?
Shoh që mediat ndërkombëtare janë mbështetëse, por, nëse flasim për partnerë besoj që ne i kemi dëgjuar me vëmendje. Është detyra jonë që t’i shpjegojmë dhe të qartësojmë arsyet pse në Shqipëri nuk ka proces politik dhe se si Rama dhe shpura e tij e kanë personalizuar pushtetin në dëm të shtetit dhe të qytetareve! Mendoj që duhet të jemi më këmbëngulës në sqarimin e tyre dhe ne komunikim të vazhdueshëm me gjithsecilin prej partnerëve. Jam i bindur që me argumente secili prej tyre do të bindet qe mandatet ishin pasoja e krizës. Shkaku i krizës është qeverisja korruptive dhe pa u bazuar në ligj. Ne do ta ndërtojmë Shqipërinë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Kritikat e tyre duhen marrë si kritika miqësore dhe reflektive. Nga ana tjetër mos të harrojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit apo i çdo kancelarie perëndimore është shkatërrues për qeverisjen e Edi Ramës.

Aleatët e PD-së kërkojnë marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës, ndërkohë që dhe ndërkombëtarët kërkojnë dialog mes palëve. Çfarë e ul opozitën në një tavolinë me PS-në?
Deri sot opozita është e vetmja që ka shtruar rrugën për dialog. Ne kemi kërkuar qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.

Si mund të zgjidhet kriza politike në vend?
Kriza zgjidhet nëpërmjet një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër, një qeveri që ka mandat të përcaktuar për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, që ka mandat për të luftuar krimin dhe korrupsionin, që nuk bën presion për të mos burgosur hajdutët e zgjedhjeve, por që çon para përgjegjësisë cilindo që ka deformuar vullnetin e votuesve apo që ka vjedhur Shqipërinë. Qeveria tranzitore hap mundësinë për reformim të gjithë sistemit të sotëm politik dhe bën të mundur mbylljen e një tranzicioni të gjatë politik në Shqipëri dhe hapjen e negociatave me BE.

Cilat janë kushtet e PD-së për një qeveri transitore? A do ta pranonte PD si kryeministër të qeverisë së përkohëshme për shembull Ben Blushin…?
Kushtet janë ato që thashë më lart, kusht i panegociueshëm për PD-në është që Rama mos jetë kryeministër. Nuk e di dhe nuk mund të them emra konkretë se ky do të jetë një proces dhe cilido prej personaliteteve që merr përgjegjësi mund të jetë jo si garanci vetëm e emrit, por e parakushteve për të shkuar tek emri.

Edi Rama ka deklaruar se opozitën do ta çojë për skrap. A ja lehtëson një gjë të tillë dalja e opozitës jashtë parlamentit?
Shprehje të tilla tregojnë degradimin mendor, lajthitjen e Ramës duke treguar urrejtjen ndaj kundërshtarit politik. Agresiviteti i Edi Ramës vjen pasi në sondazhe ai e ka humbur mbështetjen popullore dhe është më pak se 10 pikë % në raport me opozitën. E sigurt është që pas disa javësh qytetarët do ta çojnë Ramën në leshpunuese, sepse për skrap çohen hekurat.

A rrezikon PD-ja shkrirjen e saj tashmë që është jashtë institucioneve?
Kushdo që e ndjek politikën ose ka njohuri për të e di që në situata radikalizmi opozita vetëm forcohet, dhe kushdo e di që kur ke kauza të drejta mbështetja vjen vetëm duke u rritur. PD nuk e ka këtë risk, PD duhet të përgatitet për programin dhe përfaqësuesit e saj.
Çfarë po i sugjerojnë PD mbështetësit e saj evropianë duke marrë parasysh disa vizita të z.Basha së fundmi në Bruksel dhe Gjermani?
Partia Demokratike ka mbështetjen e partnerëve të saj.

Z.Basha foli për një model evropian të zgjedhjes se kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish me mënyrën online. Kjo do të thotë se opozita po bëhet gati të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit? Apo PD ka sinjale se shumë shpejt do të ketë dhe zgjedhje të parakohshme?
Partia Demokratike vazhdon gjithë aktivitetin e saj si parti politike dhe përgatitet për të qenë alternativa qeverisëse. PD do të jetë në zgjedhje kur të garantojë për qytetarët zgjedhje të lira dhe te ndershme. Proceset nuk lidhen me data konkrete!

Kjo do të thotë që zgjedhjet e 30 qershorit mund të bëhen dhe pa opozitën…?
Nëse opozita nuk hyn në zgjedhje nga vetë kuptimi i fjalës, zgjedhje nuk ka. Zgjedhje do të thotë që qytetari zgjedh të votojë mes dy ose më shumë alternativave. Zgjedhje monopartiake si në Korenë e Veriut nuk besoj se ka dhe jam i bindur që shoqëria shqiptare i ka antitrupat për të ndaluar këtë.

Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, a besoni se do t’i fitojë opozita në situatën ku është aktualisht…?
Opozita paralelisht me protestat po punon me programin dhe me piketimin e personaliteteve, pa diskutim që, nëse zgjedhjet do të ishin sot opozita do të ishte me më shumë se 80 mandate, por pa diskutim që opozita duhet të përmirësohet edhe më shumë duke u hapur, duke propozuar alternativen e saj.

A besoni se ka ardhur koha e listave të hapura përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor?
Çdo sistem është demokratik. Problemi sot nuk është ligji dhe sistemi në vetvete, por mosrespektimi i ligjit. Nëse diskutohet ndryshimi i sistemit, të bëhet një debat serioz dhe ndërhyrja të jetë e plotë në Kushtetutë për të garantuar parimin check and balancë të kontrollit dhe balancimit të pushteteve.

Çfarë po ndodh me çështjen ‘Babale’? Çfarë përmbajnë përgjimet e reja të publikuara nga ju dhe cila është vërtetësia e tyre?
Vërtetësia e përgjimeve është 100%. Janë përgjime zyrtare të prokurorisë të autorizuara me vendim gjykate. Sot nuk besoj se nuk ka qytetar që nuk e ka kuptuar se gjithë shteti është vendosur në shërbim të një banditi ordiner për të sajuar aktor të rremë dhe dëshmi të rreme, të gjithë e kanë dëgjuar se si drejtues policie vendosen në shërbim të banditit duke e paguar me lekë dhe duke ju lutur për takime. Mos harrojmë se këto janë vetëm një pjesë e përgjimeve. Gazeta Shqiptare

1 Koment

  1. … [Trackback]

    […] There you can find 61912 additional Info on that Topic: startnews.news/2019/04/08/ervin-salianji-nese-sot-behen-zgjedhjet-fitojme-80-mandate/ […]

Comments are closed.