Në momentin kur ndodhi grabitja e 10 milion eurove, aeroporti i Rinasit ka qenë nën masa të forta sigurie. Gazetarja Klodiana Lala raporton se pak minuta para se të ndodhte grabitja ka zbritur në Rinas me të njejtin avion, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili kthehej nga një vizitë zyrtare në Austri.
Ndërsa pak minuta pas ngjarjes po nga Rinasi është nisur Kryeministri i vendit Edi Rama, kryeparlamentiari Gramoz Ruçi e personalitete të tjera shtetërore. Ndërkaq gazetarja Rudina Xhunga lexoi mbrëmë edhe një mesazh të ardhur nga dëshmitarë se me avionin e “Austrian Airlines” do të udhëtonte edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Pra, siguria në aeroport ka qënë maksimale, por kjo nuk i ka penguar 5 grabitësit të finalizonin në përsosmëri planin e tyre.
Ata duket se kanë pasur informacione të detajuara për lëvizjen e vlerave monetare si dhe për oraret.
Grupi hetimor, siç bën me dije Lala ka dyshime të forta se 5 grabitësit kanë pasur persona të rekrutuar brenda aeroportit të Rinasit, por edhe shoqërive private që transportuan në aeroport paratë e 4 bankave të Nivelit të Dytë.
Po ashtu nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë edhe eksponentë të policisë. Çështja është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një grabitje, por për cënim të sigurisë.