Enveristët, historiani publikon foton e Pëllumb Xhufit me diktatorin dhe ka një mesazh per nostalgjikët..

0
775

Nga Kastriot Dervishi

Në këtë ditë morti e shenje për enveristët, që na kujton kohën kur ata kthyen “dhimbjen në forcë”, ia vlen një refleksion.
Kaq vjet pas rënies nga kalbëzimi i gjithanshëm i regjimit më gjakatar në gjithë lindjen komuniste (pas Bashkimit Sovjetik), pozitat e enverizmit qëndrojnë të forta. Kategoria e enveristëve përbëhet nga dy grupe kryesore:
1-Pasardhës persekutorësh ose nomenklature të lartë. Në këtë grup hyjnë: ushtarakë fanatikë, oficerë Siguriimi, hetues, prokurorë, sekretarë të parë apo sekretarë të komiteteve të partisë, instruktorë partie, etj.
2-Injorantë. Në këtë grup hyjnë kategoria e njerëzve që janë formuar nga propaganda, nga filmat artistikë, apo të zhvendosur nga partia në zonat e thella në qytete në kuadër të industrializimit të vendit.
Të zellshëm në propagandë janë kategoria e pasardhësve. Shtysa e tyre është veçse arsyeja biologjike, prejardhja, rrënjët. Çdo gjë e ndërtojnë mbi bazën e asaj që e kanë fikse: dashurinë për krimin dhe figurën përfaqësuese të tij.
Këta e shesin propagandën e tyre gjoja si të analizuar në bazë të fakteve, sikur Shqipëria para vitit 1944 ishte skëterrë dhe më pas erdhi një regjim që bëri “reforma” (kështu i thonë vjedhjeve komunistët). Pak a shumë kjo propagandë mbështetet në:
-Luftën nacionalçlirimtare, gjakun e derdhur, dëshmorët komunistë, koalicionin e madh antifashist (po nuk i njohin asnjë kontribut dhe i harrojnë, shokët Miladin, Dushan, etj).
-Rindërtimin e Shqipërisë pas lufte (sikur Shqipëria të kishte qenë qendra botërore e kësaj lufte), duke shtuar tharjen e kënetave, hidrocentralet e ndërtuara me kredi kineze, etj.
-Arsimin falas (siç ka qenë në kohë të Zogut, siç është edhe sot).
Në artikulimet publike këta kanë këto karakteristika:
-Shohim 100 e ca kile flori të vetat të Mbretit Zog të vitit 1939, por nuk shohin 320 ton të vjedhura në dajak e me plumb të Enver Hoxhës.
-Shohin “tradhti” në “marrëveshje” imagjinare me serbët, por nuk shohim bashkimin doganor, parifikimin e monedhës me ligj të bëra nga Enver Hoxha me jugosllavët në vitin 1946.
-Shohin 2-3 vrasje për të cilat akuzojnë Mbretin Zog, por nuk shohim mijëra vrasje të regjimit kriminal komunist.
Nuk do gjeni asnjëherë ndonjë kujtesë për triskat dhe rreckat e atij regjimi, për izolimin dhe degradimin shtetëror e shoqëror të Shqipërisë, për burgjet, për kampet tela me gjemba ku internoheshin fëmijë, gra e pleq, si asnjëherë më parë. E sigurisht, asnjë pushtues nuk e detyroi shqiptarin të gatuajë në hale si regjimi internacionalist proletar i Enver Hoxhës.

Për ilustrim të këtij teksti, zgjodha nga arkiva ime ku duhet të kem nja 2 mijë foto me Enver Hoxhën, një të fillimviteve ‘80, e cila, si shumica e gjërave që postoj nuk ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Luten sharësit enveristë të ndërrojnë ujin e ndenjur, të jenë pak më interesantë në propagandën e tyre, gjithnjë humoristike e mediokre për mua.