Edhe Gjermania i plas në fytyrë Ramës/Berlini i vë kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave

2
319

Kur jemi pak muaj nga marrja e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, Gjermania thotë se procesi varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare.” Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, shtoi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret pasi publikimit të raport progresit të Komisionit Europian.

Sipas Berlinit zyrtar, hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare”.

Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor dhe paralajmëroi se Bashkimi Europian do të tregonte “verbëri monumentale nga këndvështrimi strategjik,” nëse i hapte negociatat vetëm për Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se, ditën e mërkurë, parlamenti holandez vendosi me shumicë votash rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë për shkak të rritjes së kriminalitetit me origjinë shqiptare në vend dhe shtimit të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend.

Ndërkohë më 29 prill, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të takohen me liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë.

Duke shpjeguar arsyen e ftesës së kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon dhe në radhë të parë për dialogun Serbi-Kosovë.”

Zëdhënësi nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë nga konferenca, por shtoi se takimi “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që ka Gjermania për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor.”

Kufijtë janë të (pa)prekshëm

Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovë, i cili është një nga kushtet e anëtarësimit të Serbisë në BE, konsiderohet i ngecur në vend, që nga vera e vitit të kaluar, kur presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq dhe Thaçi, nisën të përhapin idenë e ndryshimit të kufijëve.  Ndërsa në SHBA ka mendime që nuk e përjashtojnë marrëveshjen për ndryshimin e kufijëve, qeveria gjermane e konsideron atë tabu.

Një qëndrim që e kanë thuajse të gjitha partitë gjermane të përfaqësuara në Bundestag.  Edhe eksperti i të Gjelbërve për Ballkanin, Emanuel Sarrazin, u shpreh në një deklaratë për shtyp, me rastin e anoncimit të konferencës së Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin, se “kufijtë në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë të paprekshëm”. Sarrazin pret që Konferenca e Ballkanit Perëndimor të mos “humbasë në retorikë”, por të dërgojë “mesazhe të qarta”.

Përveç mosndryshimit të kufijve në Ballkan, Sarrazin kërkoi edhe çeljen e negociatave të BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Zëdhënësi i qeverisë Seibert, i pyetur në konferencë për këto dy vende tha se kjo është kompetencë e Bashkimit Evropian dhe kjo varet nga plotësimi i kushteve të parapara. Në rastin e Shqipërisë ai tha se këtu hyn “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare”. Ai tha se vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit.

2 KOMENTET

  1. … [Trackback]

    […] Find More Information here on that Topic: startnews.news/2019/04/12/edhe-gjermania-i-plas-ne-fytyre-rames-berlini-i-ve-kushte-per-hapjen-e-negociatave/ […]

Comments are closed.