Një person misterioz që është ‘punësuar’ për të shpërqendruar policinë. Ky është një nga njerëzit që po kërkohet nga policia pas grabitjes së 10 milionë eurove nga një avion në aeroportin e Rinasit, përveç 5 personave që kanë marrë pjesë në grabitje, ku një prej tyre u vra. Por gjithsesi policia ka dyshime se grupi që ka punuar për realizimin e super grabitjes është akoma më i madh.
Mendohet se makina e djegur në Bathore u përdor si karrem për të shpërqendruar policinë. Kishte karakteristika dhe tip si ajo me të cilën u larguan autorët nga vendi ku u përplasën me armë me policinë (benz-vito), por nuk u përdor ditën e ngjarjes nga autorët.
Makina qëndronte prej 5 ditësh e parkuar në zonën ku u gjet e shkrumbuar. Pas grabitjes ajo u dogj nga një person i veshur me të zeza i pamaskuar që u largua nga vendngjarja me një biçikletë të bardhë. Policia po punon për identifikimin e tij.
Makina që dyshohet se u përdorur nga grabitësit për t’u larguar bashke me paratë u gjet në një prej tuneleve të Tapizës e brenda saj u gjet armë dhe municion.