Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në Shqipëri për shkak të protestave të organizuara nga opozita dhe qëndrimeve të qeverisë duke mos I kursyer kritikat e ashpra ndaj Ramës dhe Lleshajt.
Mehmeti shkruan se policia dhe ushtria nuk janë për të ruajtur pushtetin por shtetin, dhe ka argumentuar se “policitë e ushtritë ia kanë dalë të mbrojnë shtetin e popullin nga armiku, por jo edhe sunduesit nga populli i vet”!
“Si nuk u gjet një këshilltar i vetëm dashamirës i Kryeministrit të Shqipërisë që t’ia rikujtojë të vërtetën e dëshmuar gjatë shekujve se, me polici e ushtri mbrohet shtetit, e jo pushteti! Dhe se policitë e ushtritë ia kanë dalë të mbrojnë shtetin e popullin nga armiku, por jo edhe sunduesit nga populli i vet! Dhe si nuk doli një burrë i vetëm, e t’i tregojë Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë se nuk u janë ndërtuar përmendore lavdie gjeneralëve që kanë mbrojtur sunduesit nga populli i vet, por atyre që kanë mbrojtur vatan e popull nga pushtues e sundues të dhunshëm!”, shkruan Mehmeti.