BallinaAktualitetLETRA/Mynyr Koni kërkon ndihmën e Metës pas pezullimit si rektor i Universitetit...

LETRA/Mynyr Koni kërkon ndihmën e Metës pas pezullimit si rektor i Universitetit të Tiranës,

spot_img
spot_img

Mynyr Koni reagon pasi u pezullua nga detyra e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Ai thotë se një gjë të tillë e priste “pas gjithë atyre sulmeve të pashembullta që prej shumë kohësh, janë adresuar ndaj personit tim”, ndërsa shton se para se të merrte këtë vendim,Shahini duhet minimalisht ta kishte pritur në një takim.

Ai thotë ndër të tjera se pezullimi i tij është kërkaur nga qeveria e Ramës, prandaj i kërkon Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend”.

Ai shton ndër të tjera: “Dua të shpreh gadishmërinë time për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe mbetem i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që unë disponoj”.

LETRA E PLOTE
Ashtu sikurse e citova edhe në deklaratën time të shkurtër në rrjetin social në Facebook, pasi mësova nga media se Ministrja e Arsimit, kishte vendosur pezullimin tim nga detyra e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe i kishte kërkuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, shkarkimin tim, edhe një herë dua të theksoj me forcë se Ministrja aktuale e Arsimit, përpara se të merrte një vendim të tillë, do të thosha ekstrem, dhe aspak të mbështetur në fakte dhe prova, në asnjë çast dhe në asnjë moment, nuk më ka mundësuar një takim apo të më kishte dëgjuar se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Universitetin e Tiranës dhe sesi prej vitesh, ky vendim ishte inskenuar, ideuar, duke shfrytëzuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe duke përdorur apo detyruar në mënyrën më skandaloze drejtuesit e tyre, sikurse u vërtetua katërcipërisht edhe në rastin e vendimit më të fundit të Ministres aktuale të Arsimit.

Në fakt, ndjej detyrim moral për të bërë këtë deklaratë dhe për të sqaruar edhe një herë, sado pak qoftë, të gjithë ata që duan të dëgjojnë apo të kuptojnë të vërtetën; të gjithë ata që u “dhemb” me të vërtetë Universiteti i Tiranës, kolegët dhe studentët e UT, por së pari, familjen time dhe bashkëpunëtorët e mi, që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim të vështirë, që ka filluar që nga momenti i marrjes së detyrës si Rektor i Universitetit të Tiranës.

Në fakt ishte e pritshme nga ana ime që situata do të shkonte deri këtu, pas gjithë atyre sulmeve të pashembullta që prej shumë kohësh, janë adresuar ndaj personit tim.

Deklaratën e saj, Ministrja e fillon me protestën e studentëve, pastaj vazhdon me ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe risitë që paskërka sjell ky ligj; tek zbatimi korrekt i tij nga të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe ndalet tek Universiteti i Tiranës, duke theksuar se: ” …..Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk është mjaftuar vetëm me kompetencat akademike, por ka synuar edhe kompetenca administrative…….” dhe vazhdon dhe flet e flet, por pa thënë asgjë konkrete dhe asgjë të provuar, por vetëm duke kryer detyrën dhe porosinë që ka marrë dhe që me patjetër, duhet ta përfundojë atë…..

Sikurse e kam thënë, përpara se të merrte një vendim të tillë, minimalisht, Ministrja duhet të më kishte dëgjuar, por siç duket, e tremb e vërteta, sepse, sikurse edhe vetë e deklaroi, institucioni i Rektorit, dhe sidomos ai i Rektorit të Universitetit të Tiranës, është një institucion jo vetëm i rëndësishëm për arsimin e lartë, por është një institucion që del nga zgjedhjet dhe nga votat e më shumë se 25 mijë votuesve. Dhe kjo, është mjaft e rëndësishme për shumë arsye dhe nënkupton dhe shumë gjëra, sidomos atë që artikulohet edhe më shumë sot … “autonomia e IAL-ve”.

Që prej emërimit të saj si Ministre, pavarësisht se ajo ka qenë pjesë e drejtimit të MASR, dhe besoj se shumë gjëra mund t’i ketë dëgjuar, po sigurisht varet sesi dhe çfarë ka dëgjuar, kishte detyrimin institucional t’u kthente përgjigje shkresave dhe kërkesave zyrtare që i kam përcjellë, dhe ato nuk janë të pakta në kaq javë që ajo është në këtë detyrë.

Kështu, në mënyrë të përsëritur, i kam kërkuar të shprehet në mënyrë institucionale dhe kam kërkuar ndërhyrjen e saj për çështje mjaft të rëndësishme për Universitetin e Tiranës, siç është zgjedhja e Komisionit të Përhershëm në nivel njësie kryesore për marrjen e gradës shkencore “Doktor”; apo zbatimi i VKM nr.782 datë 26.12.2019 për zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Administrimit të UT-së, nga studentët; e kam vënë në dijeni zyrtarisht për shkeljet ligjore nga ana e dekanëve të disa fakulteteve të UT-së, të cilët nuk kishin zbatuar detyrimin ligjor për të përcjellë të dhënat e kërkuara për hedhjen e tyre në portal apo për bibliotekën online që aq shumë është përfolur kohët e fundit dhe për të cilën jam akuzuar unë sikur jam arsyeja e mosvënies së saj në punë; etj. etj,,, Dhe të gjitha këto, janë me prova dhe fakte konkrete.

Por në asnjë rast, kjo Ministre, nuk ka denjuar të kthejë as përgjigje, dhe as të ndërhyjë apo të shprehë qëndrimin e saj institucional. Ajo ka zgjedhur të heshtë, dhe tashmë është e kuptueshme që me heshtjen e saj, ka “gatuar” dhe ka përgatitur vendimin e pezullimit tim.

Atëhere përse çuditet Ministrja, që unë nuk i kam përcjellë një propozim konkret për masë disiplinore për ndonjë nga dekanët, kur ajo kishte një sjellje të tillë; kur ajo nuk kishte dhe nuk tregonte asnjë frymë bashkëpunimi apo bashkërendimi të punëve me Rektorin e UT, gjithmonë në të mirë të institucionit dhe në zbatim të ligjit; kur ajo dilte hapur në mbrojtje të tyre; kur ajo vetë organizonte takime me këta dekanë dhe Rektori i Universitetit nuk ishte askund dhe nuk ftohej, por vetëm fajësohej, fajësohej prej saj dhe prej Kryeministrit?

Sigurisht që, nuk mund të përcillja tek Ministrja një propozim të tillë. Për më tepër, dua të theksoj se Statuti i UT-së, i miratuar nga Ministrja e Arsimit, nuk i ka lënë asnjë kompetencë Rektorit për ta bërë këtë gjë, dhe jo vetëm për dekanët por edhe për personelin tjetër të UT-së, pavarësisht se Rektori është punëdhënësi dhe nënshkruan kontratat e punës me ta.
Siç duket, për këtë arsye është miratuar në këtë mënyrë Statuti i UT-së!!!

Por, ju siguroj se, në cilësinë e Rektorit dhe të detyrimit ligjor dhe moral ndaj institucionit, të gjitha shkeljet ligjore të disa dekanëve, të ish- autoriteteve apo autoriteteve të tjera të UT-së, i kam kallëzuar me prova dhe fakte konkrete në prokurori, dhe aktualisht ndodhen në hetim pranë kësaj të fundit.

Por, le të ndalemi pak tek inspektimi që përmend Ministrja në muajin Shkurt 2018 nga një grup inspektimi i MASR, për vlerësimin e zbatimit të ligjshmërisë nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT-së, i cili në përfundim të tij, ka lënë 14 rekomandime për autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe se sipas Ministres, vetëm Rektori nuk i paskërka zbatuar ato. Sapo është përcjellë raporti nga ish-Ministrja, pas analizimit të rekomandimeve të lëna për Rektorin (gjithsej 6 prej tyre), me shkresë zyrtare i jam drejtuar ish-Ministres duke i raportuar në lidhje me masat që ishin marrë dhe/ose ishin në proces zbatimi. Nuk kam pranuar të zbatoj vetëm ato rekomandime të cilat binin në kundërshtim të hapur me ligjin dhe për të cilat gjykatat kishin vendosur vlefshmërinë e tyre. Pikërisht, për këto vendime, grupi i punës kishte rekomanduar shfuqizimin e tyre nga Rektori si të nxjerra jashtë kompetencave. Për këto, kam bërë me dije ish-Ministren si edhe grupin e punës gjatë verifikimit prej tyre të zbatimit të rekomandimeve në vjeshtën e vitit 2018.

Më vjen shumë keq, pasi nuk është as në edukatën dhe as në natyrën time, por më duhet të them se Ministrja jo vetëm tjetërson të vërtetën por edhe mashtron në lidhje me këto fakte.

Edhe pse i kemi dërguar mbi 50 faqe objeksione si dhe prova e fakte që vërtetojnë se anëtarët e inspektimit kanë shkelur rëndë ligjin, Ministrja vazhdon të dezinformojë opinionin publik me gjëra të pavërteta. Universiteti i Tiranës i ka kallëzuar në Prokurori të gjithë anëtarët e inspektimit për shpërdorim detyre, mashtrim të fakteve, të kryera prej tyre në konflikt të hapur interesi. Ata, në çdo analizë dhe interpretim të çështjeve që kanë trajtuar në raport, i kanë justifikuar Bordit të Administrimit dhe Administratorit të këtij universiteti çdo shkelje ligjore, dhe u kanë njohur si të drejta çdo tejkalim kompetence. Përse e bënin këtë? Sepse ata ishin vetë anëtarë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Bordet e Administrimit në universitete të tjera publike dhe në këtë mënyrë, u paraprinin justifikimit të shkeljeve ligjore që mund të kishin bërë apo që po bënin në universitetet ku ato ishin emëruar si anëtarë të Bordeve të Administrimit.

Të gjithë anëtarët e grupit të inspektimit prej një kohe të gjatë janë persona nën hetim pikërisht për hartimin e këtij raporti, të cilin Ministrja e ligjëron duke vendosur pezullimin tim.

Kështu:

Ministrja citon se Rektorit i është kërkuar të shfuqizojë vendimet qe ka marrë në tejkalim të kompetencave të tij ligjore. Pyetja ime është: Për cilat vendime e ka fjalën kjo Ministre,….. Për ato vendime të cilat janë konstatuar të vlefshme nga gjykatat kompetente ???

Ministrja citon se Rektorit i është kërkuar të mospengojë punësimin e stafit akademik sipas nevojave të fakulteteve ….. duke përmendur se edhe sot ka akoma raste të tilla… dhe pyetja ime direkte është: Për cilat raste e ka fjalën zonja Ministre, për të gjitha ato raste që kërkohet të shkelet dhe të moszbatohet as ligji dhe as aktet nënligjore në fuqi në lidhje me rekrutimet???… nëse do të kishte denjuar dhe do të kishte lexuar sadopak Objeksionet ndaj projekt-raportit apo të shikonte korrespondencën që kam patur me dekanët e disa fakulteteve në lidhje me këtë çështje, absolutisht që nuk do ta përmendte si një nga “arsyet” absurde për pezullimin tim nga detyra….por përkundazi…Por sigurisht që nuk e ka bërë..;

Përse në disa fakultete dhe njësi të tjera të UT, rekrutimet e personelit akademik janë zhvilluar normalisht, në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi, bazuar në nevojat dhe kërkesat e tyre?? ..Si e shpjegoni ju këtë gjë zonja Ministre????
Përse unë si Rektor duhet të pengoja disa rekrutime dhe shumë të tjera t’i lejoja të bëheshin??? Kjo është e pakuptimtë nga ana ime… Sigurisht edhe për ju dhe për të gjithë, por kështu duhet të thuhet nga ana juaj… sepse kështu është porosia…

Asgjë nuk është penguar nga ana ime, asgjë nuk është “paralizuar”.., por përkundrazi, kështu kanë dashur të veprojnë dekanët e disa fakulteteve sepse kështu bëhet “arsye e fortë ” për pezullimin e Rektorit.

Ministrja flet për bllokim nga ana e Rektorit të protokoll-arshivës të institucionit…… pa u ndalur në këtë çështje sepse ndoshta ky është edhe rasti më tipik, më i qartë, dhe më flagrant sesi janë përdorur institucionet e shtetit shqiptar dhe drejtuesit e tyre për të “luftuar” Rektorin e UT-së, në këtë rast do të doja të bëja vetëm një pyetje: Ju zonja Ministre sa protokolle dhe vula zyrtare keni në institucionin që drejtoni???… Çfarë do të bënit ju nëse në institucionin që drejtoni ka më shumë se një vulë zyrtare dhe më shumë se një protokoll zyrtar???
Edhe për këtë rast, gjykata ka vendosur në favor të Rektorit, duke shfuqizuar vendimet e gjobave të vendosura nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave (edhe ky, drejtues i porositur i qeverisë).

Ministrja citon që Rektorit të UT-së i është kërkuar urgjentisht funksionimi i sistemit informativ i Universitetit…dhe sipas saj,…”kjo është një shkelje e rëndë por edhe banale…se po flasim për vitin 2019…”
Sigurisht që është një shkelje e rëndë dhe banale, por Ministrja në këtë rast, i ngatërron vetë kompetencat e rektorit me ato të administratorit…
Mos i duket ministres se funksionimi i sistemit është një kompetencë akademike???
Nuk e di Ministrja që të funksionojë sistemi informatik kërkohet një proçedurë prokurimi dhe tenderimi …
Apo tenderat në këtë rast duhet t’i zhvillojë Rektori….
Edhe në rekomandimet e grupit të punës, (rekomandimi 3) Administratori i UT-s brenda muajit Shtator 2018 ka përgjegjësinë institucionale për të vendosur në funksion të plotë sistemet informatike të Universitetit të Tiranës, në zbatim të rregullores “Për funksionimin e sistemit informatik në Universitetin e Tiranës” miratuar nga Rektori me nr. 317/1, datë 31.03.2014.

Çfarë është kjo zonja Ministre, një ngatërresë rastësore apo kështu duhet thënë?? …në këtë mënyrë bëhet një “arsye tjetër e fortë” për të pezulluar Rektorin….

Dhe sipas Ministres, mosfunksionimi i sistemit informatik paskërka penguar nismat e Qeverisë në kuadrin e Paktit për universitetin (bursat, bibkioteka dixhitale…) gjë që nuk është aspak e vërtetë…kushdo që merr vesh sado pak nga teknologjia (dhe meqënëse është viti 2019, janë shumë në fakt), e kuptojnë se këto nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën…

Ministres i ka bërë përshtypje “mungesa e inisiativës” së Rektorit për të zgjidhur situatën… zonja Ministre, si keni arritur në këtë konkluzion?…Çfarë duhet të bënte më shumë Rektori sesa të njoftonte dhe të kërkonte mirëkuptimin dhe mbështetjen e institucioneve më të larta të shtetit shqiptar?.. dhe jo kur u ngritën studentët në protestë dhe qeveria dhe MASR “të kuptonin” se çfarë po ndodhte….por shumë kohë më parë sesa studentët të ngriheshin në protesta…. por fatkeqësisht, çfarë ndodhi???… institucionet jo vetëm që nuk reaguan dhe nuk bashkëpunuan por, përkundrazi, ato mbështetën dhe përkrahën paligjshmërinë e dekanëve në disa fakultete të UT-së, të ish-kancelarit, të Bordit të Administrimit, dhe të administratorit të institucionit….. dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë.

Nuk ishte e nevojshme që të ngriheshin studentët dhe të artikulonin kërkesat e tyre që unë të kuptoja se çfarë po ndodhte….
Siç e thashë edhe me lart, unë kisha kohë që, në detyrim të ligjit dhe të atyre që më kishin zgjedhur për të drejtuar institucionin, kisha informuar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe isha përpjekur në mënyrë të vazhdueshme, me shkresa dhe komunikime zyrtare, të përsëritura, duke shpjeguar konkretisht, me nene dhe ligje të caktuara, shkeljet flagrante të ligjit nga ana e disa dekanëve apo të ish-kancelarit, të Bordit të Administrimit apo të administratorit aktual të institucionit.

Ministrja citon se nuk ka asnjë gjë tjetër në dorë për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës, përveçse të pezullojë Rektorin e UT dhe të kërkojë nga Presidenti i Republikës shkarkimin e tij. …dhe kjo …. për t’i hapur rrugë reformës në UT….
Për cilën reformë e ka fjalën Ministrja?… shkarkimi i Rektorit ia mundëson këtë Ministres dhe Qeverisë së saj? Apo Rektori, duke zbatuar ligjet, i ka penguar për të bërë atë çfarë prej kohësh duan të bëjnë me këtë institucion?

Dhe në fund, Ministrja mundohet ta mbyllë “bukur” deklaratën, me fjali të mëdha, pompoze, ashtu sikurse e ka aftësi Qeveria e saj…tregon se çfarë do të bëjnë për universitetet; tregon se çfarë duhet të bëjë një universitet për studentët e tij dhe se me çfarë dijesh dhe aftësish duhet t’i përgatisë ata, etj etj… Dhe Ministres i duhet një frymë e re bashkëpunimi…. pa Mynyr Konin… sepse me të është e pamundur…
Dhe Ministja citon se është e detyruar të marrë një vendim kaq të vështirë… nga kush është e detyruar, për çfarë arsye???

Por të gjitha janë të kuptueshme, janë fare të qarta, jo vetëm nga ana ime, por tashmë nga të gjithë.

Sulmet e vazhdueshme në media, vend e pa vend, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të Ministres, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria.

Karrierën time akademike, fatmirësisht, nuk e kam të lidhur as me karrigen e rektorit dhe as me të qenurit rektor. Në jetën time jam edukuar dhe formuar, të jem njeri i drejtë, parimor dhe me principe dhe i tillë do të vazhdoj të mbetem.

Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend.

Gjithashtu, dua të shpreh gadishmërinë time për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe mbetem i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që unë disponoj. BW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular