Sandër Lleshi është një ish-gjeneral ushtarak, mirditor nga origjina. Ata që e njohin, flasin për një njeri korrekt, i pakorruptuar dhe besimtar në Kishë.
Por duke parë këto javë, kur nën drejtimin e tij hidhet gaz lotsjellës, helmues, mbi njerëzit që protestojnë, ku ka gra, fëmijë, madje edhe gra shtatzëna, të ndryshohet perceptimi për të, siç mundohen ta përshkruajnë disa kolegë gazetarë katolikë, si Agron Gjekmarkaj etj.
Sandri mund të jetë skrupuloz si një ish-ushtarak që është edukuar ndër dekada në ‘luftë me armikun’, por ai duhet të kuptojë se protesta mbetet një e drejtë njerëzore e gjithsecilit, madje ndonjëherë edhe duke e kaluar cakun e ligjit, kur shpirti të vjen në majë të hundës nga varfëria apo nga padrejtësitë e pushtetit të radhës.
Ende kam disi bindjen, personale, se Sandër Lleshi duhet të jetë akoma ai që më ka përshkruar me nota idilike, Agron Gjekmarkaj, kur nuk po e mbështesja në fillim në kohën e dekretit të presidentit Meta. Asokohe u ndjeva keq prej përshkrimit të gazetarit të njohur, Gjekmarkaj dhe ndryshova qëndrim.
Por kur shoh gazin helmues që hidhet nga policia e garda, dhe gaz helmues, pasi kam plot oficerë miq ndër radhët e policisë, të cilët me thonë nën zë se ‘është jashtë normales nga ai që përdoret jashtë shtetit, është gaz shumë i rrezikshëm’. Fill pas kësaj, që ma pohojnë oficerë të lartë, fillon e më ndryshon mendimi që ma nguliti Agron Gjekmarkaj për Sandër Lleshin.
Nëse beson në Zot, ky njeri me emrin Sandër Lleshi, duhet të ndalojë urgjent përdorimin e gazit helmues, duhet të ndëshkojë ata që e kanë përzier me lendë kimike helmuese jashtë çdo norme botërore si dhe t’i thotë kryeministrit: Ndal, Beg se ka hendek! T’i thotë t’i thërrasim arsyes pasi nuk mbahet pushteti me dhunë e gaz!
Edhe një gjë, Sandër!
Për hir të detyrës tënde si ministër, për hir të Besimit në Zot (nëse e ke akoma), në emër të çlirimit të ndërgjegjes, por mundet edhe si katolik (po ka mbetur ndonjë gjë te ti si katolik) duhej të më telefonoje pas incidentit të dhunshëm të policisë me mua ditën e shtunë, ku tashmë dihet se nuk kisha asnjë faj.
Thjesht më njohën si Nikoll Lesi, si njeri antiregjim. Unë nuk kam thënë dhe as nuk e them, me bindje, se policët kishin urdhër nga Ju apo zoti kryeministër, por është fryma nga lart që zbret te militantët, ndër radhët e policisë, e që bën të keqen e madhe të konfliktit të pushtetit me median e lirë.
Fryma antimedia, e kryeministrit, mbetet më e rrezikshme se sa po të ishte dhënë urdhri direkt se ‘goditeni Nikoll Lesin!’.
E fundit, Sandër Lleshi!
Jeta vazhdon me ty apo pa ty, ministër. Me mua apo pa mua në këtë jetë. Por duhet të mos harrosh se kryeministri të përdor dhe të hedh. Kur të mblidhet laku, që do të mblidhet, atëherë ai do të drejtojë gishtin: Sandër Lleshi ishte ministër, ai e bëri, ai të arrestohet!
Ndaj ato flokë të bardha, mos i lër të t’i nxijnë! /Nga Nikolle Lesi-Botuar në Koha Jonë
… [Trackback]
[…] There you can find 79748 more Information on that Topic: startnews.news/2019/04/15/thirrja-e-botuesit-zoti-sander-lleshi-thirri-mendjes-se-do-te-braktisin-kryeministri-dhe-servilet/ […]
Comments are closed.