Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD. Ai është shprehur se Partia Demokratike do të futet në zgjedhje vetëm kur të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Vendimi është i qartë, PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Sot çdo shqiptar e ka kuptuar se kjo qeveri ka rënë moralisht e ndërkombëtarisht, pavarësisht pelivanllëqeve që merret sot kryeministri më i paaftë, çdokush e ka kuptuar që me Edi Ramën nuk vazhdohet më. Në bashkëpunim me të gjithë grupet e interesit do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore. Largimi i Edi Ramës është kushti i parë dhe i panegociueshëm për futjen në zgjedhje. Pa largimin e tij nuk ka dialog”, shprehet Basha. Basha shtoi: “Çdo shqiptar është në betejë me pushtetin kriminal të ngritur nga Edi Rama. Kjo është një qeveri e dalë nga krimi. Duhet ta çlirojmë këtë qeveri të dalë nga krimi, këtë ekonomi që është bërë palë me krimin. Shembja e shtëpive në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, mbyllja e bizneseve, çuarja e fermerëve në dëshpërim, shpërfillja totale e studentëve, çuarja e pensionistëve në kufijtë e ekzistencës janë pasoja të shkatërrimit të besimit të demokracisë. Do luftojmë për të zhbërë këto probleme të krijojmë kushte përmes lirisë, barazisë para ligjit, që çdokush të ketë liri dhe barazi në Shqipëri për veten dhe komunitetin. Çdo shqiptar në betejë me pushtetin kriminal, qeveri e dalë nga krimi, të çlirojmë ekonominë nga krimi, të krijojmë kushte përmes lirisë, barazisë para ligjit, që çdokush të ketë liri dhe barazi në Shqipëri për veten dhe komunitetin. Kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ndërkombëtarisht”. Kreu i PD Lulzim Basha tha se protestat për largimin e Ramës do të vazhdojnë.