BallinaTe tjeraTogeri tetovar që luftoi me emblemën e Skënderbeut

Togeri tetovar që luftoi me emblemën e Skënderbeut

spot_img
spot_img

Me rastin e 75-vjetorit të rënies dëshmor të togerit tetovar i batalionit “Luboten”, Alirami Jakupi/

ISMAIL ARSLLANI

Pas kapitullimit të Italisë, nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit të vitit 1943, në Tetovë fillojnë përgatitjet për themelimin e batalionit ushtarak shqiptar “Luboten”, që përmendet edhe si batalion i Gajur Derallës, sipas emrit të komandantit të tij. Ky komandant tetovar kishte kryer Akademinë Ushtarake në Beograd, ku kishte marrë gradën e nëntogerit. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër, Gajur Deralla vjen në Tetovë. Batalioni “Luboten” në fillim kishte 400 pjesëtarë, kurse ky numër më vonë arrin në 1.200 persona të armatosur shqiptarë.

Sipas disa dëshmive, mobilizimi për batalionin “Luboten” ishte dashur të zbatohet në të gjitha qytetet e sotme të Maqedonisë perëndimore, që ishin të bashkuara me Shqipërinë etnike. Në radhët e saj ka pasur oficerë të kualifikuar, por edhe të tjerë nga struktura të ndryshme civile, numri i të cilëve ka qenë 49. Prej tyre, një numër i vogël oficerësh kanë qenë nga Shqipëria dhe nga qytetet e tjera të Maqedonisë perëndimore, ndërsa numri më i madh ka qenë nga Tetova. Në mesin e tyre përmenden: kapedani Idriz Ibrahim-Cërcëri, togeri Alirahmi Jakupi, nëntogerët Naxhi Sulejmani, Gani Luma, Abdylvehab Kadriu, Abdulla Sulejmani, Mexhait Idrizi, Xhevahir Xhevahiri, Jusuf Raifi, Sami Ramadani, Emin Roshi e të tjerë.

Në formimin e tij rol të rëndësishëm ka pasur edhe Komiteti i qytetit. Organet civile të pushtet po ashtu janë vënë në shërbim të batalionit. Kryetari i komunës së Tetovës, Xhafer Sulejmani, ka përkrahur iniciativën dhe aksionin për formimin e batalionit “Luboten”, duke dhënë edhe mjete financiare nga arka e komunës. Ky batalion ishte formuar për mbrojtjen e popullatës në Tetovë dhe rrethinë, pas kapitullimit të Italisë. Për fillimet e këtij  batalioni ekziston një dokument i lëshuar në Tetovë, që mbanë datën 20 nëntor 1943, i cili ka vulën e batalionit “Luboten”, me nënshkrimin e komandantit Gajur Deralla. Në fillim, katër oficerë gjermanë i aftësonin oficerët shqiptarë të këtij batalioni.

Në pranverë të vitit 1944, një pjesë e batalionit “Luboten”, me oficerë e ushtarë shqiptarë, ka qenë transferuar në territorin e Shqipërisë, për të luftuar kundër njësive partizane. Gjatë depërtimit për në Shqipëri, në afërsi të Pogradecit pjesëtarët e batalionit ishin sulmuar nga partizanët. Në këtë luftë, më 18 prill të vitit 1944, kishte humbur jetën në moshën 25 vjeçe tetovari Alirahmi Jakupi, i cili kishte gradën e togerit me dy yje. Ai ka qenë oficer i këtij batalioni dhe ka luftuar me emblemën e Skënderbeut. Bashkë me këta oficerë, kishin vdekur edhe nja dhjetë ushtarë të batalionit. Sipas fjalëve të Shefqet Sulejmanit, grupi i ushtarëve të këtij batalioni ka qenë në një kamion, i cili ishte sulmuar nga një pritë e kurdisur. Vdekja e Alirahmi Jakupit kishte shkaktuar jehonë dhe dhembje të madhe në Tetovë, sepse kishte qenë një oficer trim dhe atdhetar i paepur.

“Trupi i tij i pa jetë vjen në Tetovë dhe varroset në varrezat e qytetit /në afërsi të stadiumit të sotëm/, të cilat shumë vite më parë janë shkatërruar dhe rrafshuar nga pushteti komunist”, thotë nipi i tij, Shinasi Karaxhenemi. Në varrimin e tij, që mund të dëshmohet edhe nga fotografitë e ruajtura, kanë qenë të pranishëm personalitete të shquara të kohës, patriotë, ushtarë dhe oficerë të batalionit. Pranë arkivolit kanë qenë edhe Sheh Baba Qazimi, Hafëz Xhemil Efendiu, njëri nga personat kyç të Ballit Kombëtar për Tetovën, Sulejman ef. Shehapi, një personalitet i shquar fetar dhe shumë qytetarë të tjerë të kohës. Ai është varrosur me nderime të larta fetare, kombëtare dhe ushtarake, si i takon një eprori ushtarak të Ballit Kombëtar.

Gjatë varrimit të Alirahmi Jakupit, Sulejman ef. Shehapi, personalitet fetar dhe intelektual i shquar, ka folur me pietet për personalitetin e këtij patrioti shqiptar, që ka lënë mbresa të thella te qytetarët e pranishëm në këtë varrim. Varrimi i tij ka qenë madhështor dhe ka prekur thellë tetovarët, ka thënë Shefqet Sulejmani, mësues tashmë i ndjerë, duke kujtuar me respekt të veçantë personalitetin e këtij eprori të lartë ushtarak të Ballit Kombëtar.

Në fotografinë e varrimit, shihet qartë se çfarë respekti i kishin bërë tetovarët këtij ushtaraku, i cili dha jetën me idealet për bashkimin kombëtar. Përcjellja mortore ishte bërë nga shtëpia e tij afër Kadastrës të vjetër të qytetit, me një ceremoni fetare e ushtarake, kurse arkivoli ka qenë i vendosur në një karrocë me kalë, i mbuluar me një pëlhurë të gjelbër. Kortezhi mortor ka qenë mjaft i gjatë, ka kaluar nëpër sheshin e qytetit, prej nga është drejtuar nga varrezat, ndërsa gjatë rrugës kolonën e kanë përcjellë me dhembje edhe shumë qytetarë të tjerë.

Pas ardhjes së regjimit komunist në Tetovë, familja e këtij atdhetari dhe ushtaraku trim i Ballit Kombëtar ka qenë e detyruar të shpërngulet në Turqi, ndërsa në Tetovë mbetet vetëm njëra motër e tij, Yrfete Mehmeti, me të bijtë Shinasi Karaxhenemi, Myjet Karaxhenemi dhe Menan Mehmeti. Pushteti i atëhershëm, në vitin 1948, ka marrë pasurinë e patundshme, të cilën e ka pasur në pronë ky patriot shqiptar, me pretekst se duhet të konfiskohet malli i një pjesëtari të Ballit Kombëtar, që konsiderohej si “organizatë armiqësore e pushtetit popullor”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular