BallinaAktualitetShqipëria pa Gjykatë të Lartë, mijëra qytetarë te raskapitur nga durimi presin...

Shqipëria pa Gjykatë të Lartë, mijëra qytetarë te raskapitur nga durimi presin drejtësi

spot_img
spot_img

Më 30 janar 2017, Mirela Fana i paraqiti Presidentit të Republikës dorëheqjen nga detyra e gjyqtares së Lartë me argumentin se “do t’i përkushtohej botës akademike”. Gjykatësja e karrierës u largua nga radhët e sistemit të drejtësisë brenda afatit ligjor që kishte parashikuar ligji “Për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si ligji i Vettingut. Neni 56 i këtij ligji parashikonte dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit: “jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit”. Afati i fundit ishte data 31 mars 2017. Nëse subjekti largohej nga detyra përpara kësaj date, shpëtonte nga procesi i vettingut. Dhe në fakt kështu ndodhi. Fana nuk iu nënshtrua filtrit të trefishtë të kontrollit. Por nga ana tjetër, kyçja e zyrës së saj do të shënonte dhe fillimin e shkatërrimit të gjykatës së Lartë, e cila për muaj me radhë funksiononte jo me trupë të plotë. Nuk vonoi shumë dhe gjykatësit e lartë u reduktuan edhe më shumë në numër. Më 29 qershor 2017, Gjykata e Lartë vendosi të deklarojë përfundimin e mandatit për gjykatësit Arjana Fullani, Evelina Qirjako, Aleksandër Muskaj e Guxim Zenelaj dhe Andi Çeliku. Referuar vendimit, mandati 9-vjeçar u përfundonte më datë 28 korrik 2017. Katër nga gjykatësit vendosën të dorëzonin detyrën 31 korrikun e dy viteve më parë, duke mos pritur pasardhësin, sikurse po vepronte kolegu i tyre, Ardian Dvorani. Ndërsa Andi Çeliku e dorëzoi atë me datë 6 tetor 2017. Më herët pesëshja e gjyqtarëve i kishte dorëzuar formularët e vettingut të pasurive apo formularin për kontrollin e figurës. Por duke u larguar, automatikisht i shpëtuan vettingut. Në fakt, efektet e ligjit nuk kishin nisur ende. Madje, do të duhej të kalonin edhe disa muaj derisa institucionet e reja të Vettingut të nisnin nga puna. Kjo për shkak se me datë 25 tetor 2017, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë ligjin “për rivlerësimin kalimtar” dhe t’i drejtohej për mendimin Komisionit të Venecias.

Sytë e njerëzve të drejtësisë u kthyen nga Kushtetuesja. Por kjo e fundit me 18 janar 2017 vendosi të rrëzojë kërkesën e bërë nga Partia Demokratike për shfuqizmin e disa neneve të ligjit të vettingut, me argumetin se binin ndesh me Kushtetutën.

Pas këtij vendimi u ndez drita jeshile për kontrollin e trefishtë të njerëzve të drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e zhvilloi seancën e parë degjimore publike në mars 2018. Përgjatë muajve mars-korrik 2018, katër gjykatës të lartë u rrëzuan nga procesi i rivlerësimit kalimtar, njëri prej të cilëve, Admir Thanza, rezultoi me rekorde kriminale për vjedhje marketi në Itali. Vetëm 4 prej tyre, arritën t’i mbijetonin testit të trefishtë të kontrollit. Megjithatë vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për kryetarin e gjykatës, Xhezair Zaganjori dhe anëtarin Edmond Islamaj, janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe nuk dihet nëse do të mund të kalojnë me sukses testin e vettingut, që sikurse pati thënë ish-kryegjykatësi Kushtetues Bashkim Dedja; “të kalosh vettingun është si të kapërcesh varrin për së gjati”. Ardian Dvorani krahas punës së gjyqtarit, është njëherazi edhe kreu i Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa Medi Bici, ia doli të zinte një vend në Këshillin e Lartë Gjyqësor, një institucion i ri i ngritur rishtas në kuadër të Reformës në Drejtësi, që u konceptua si një proces që do të pastronte gjyqësorin dhe prokurorinë nga të korruptuarit dhe të paaftët. Kaq lehtë dhe kaq shpejt ra si “kështjellë rëre”, Gjykata Supreme, në sallat e së cilës u shqyrtuan çështje të konsideruara si “patatet e nxehta”, të drejtësisë, për të cilat shumëkush thotë se nuk u bë drejtësi. E pikërisht këto dosje janë shndërruar shpesh në objekt debati të ashpër mes palëve të politikës. Ende sot, Gjykata e Lartë, vijon të funksionojë me numrin më të reduktuar të gjyqtarëve, në historinë e saj dhe më shumë sesa emrave konkretë, dëmi më i madh po u bëhet qytetarëve. Situata në këtë institucion, është alarmante. Arkiva është e tejmbushur nga dosjet. Në pamundësi për t’i stivuar në ambjentet e posaçme, fashikujt voluminoz, janë vendosur në zyrat e gjyqtarëve apo stivosur në raftet e korridoreve. Aq e rëndë është situata, sa kryegjyqtari Zaganjori ka marrë hua një ambjent në Gjykatën për Krime të Rënda, ku janë trasferuar dosjet e regjistruara rishtas në 2019. Janë plot 31 mijë të tilla. Treshja e gjykatëseve po bën çmos të shqyrtojë vetëm masat e sigurisë, për shkak të afateve, pasi nëse cënohen,  ekziston rreziku që personazhe problematikë të botës së krimit rrezikojnë lirinë. Dosjet e tjera as që preken me dorë.

“Në lidhje me problematikat e funksionimit të Gjykatës së Lartë, kjo e fundit ndodhet në një situatë shumë të vështirë.  Aktualisht trupa gjyqësore e saj nga 19 anëtarë që duhej të kishte sipas ligjit, është reduktuar në vetëm 3 anëtarë. Kjo situatë ka sjellë efekte tejet negative në veprimtarinë gjyqësore”, tha Ida Vodica, këshilltare për mediat në këtë institucion. Zyrtarisht gjykata sqaron se për shkak të reduktimit të numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë, është ulur ndjeshën ritmi i shqyrtimit të çështjeve gjyqësore, gjë që ka sjellë dhe një rritje të ndjeshme të stogut të dosjeve. Kjo ka sjellë për rrjedhojë edhe vonesa të tejzgjatura në shqyrtimin e tyre.

“Numri i madh i çështjeve të grumbulluar ndër vite mbetet një problem shqetësues, që  ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë”, theksoi më tej Vodica.

Referuar statistikave zyrtare, rezulton se në vitin 2015, Gjykata e Lartë mbarti 11357, ndërsa regjistroi 9051 të reja. Trupat gjykuese shqyrtuan përgjatë këtij viti dhe firmosën vendime për 7360 dosje, ndërsa nuk u hapën fletët e 13048 dosjeve të tjera. Tri vite më vonë, në 2018, numri i dosjeve që prisnin radhën për gjykim, u dyfishua. Kështu në radhë për t’u gjykuar prisnin 28863 çështje, penale, civile dhe administrative. Në tre muajt e parë të 2019, janë regjustruar edhe afro 3 mijë të tjera, duke çuar në 31 mijë numrin e dosjeve që presin radhën për gjykim. Gjasat janë që situata të rëndohet edhe më tej dhe dosjet nga pluhuri të zënë myk, pasi është e paqartë koha se deri kur gjykata supreme do të jetë plotësisht funksionale.

Me ndryshimet e reja ligjore, në kuadër të Reformës në Drejtësi, Gjykata e Lartë është pjesë e sistemit gjyqësor dhe si e tillë “qeveriset” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Referuar Kushtetutës, “Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë”.

“Qeveria” e gjyqësorit, e cila funksion prej më shumë se pesë muajsh, është duke punuar për “vënien në funksion të Gjykatës së Lartë”.

Është pikërisht KLGJ, e cila ka gjithashtu detyrimin të përcaktojë numrin e anëtarëve të gjykatës supreme. Por, për sa kohë ende nuk është miratuar “harta gjyqësore” që përcakton qartë numrin e gjykatave në vend dhe numrin e gjyqtarëve për secilën nga këto gjykata, burime të KLGJ thanë se për momentin është duke u diskutuar që gjykata e Lartë të funksionojë me 19 anëtarë, sikurse ishte parashikuar më herët.

Burime pranë Këshillit thanë se janë duke hartuar rregulloret, për përcaktimin e kritereve, për kandidatët për anëtarë të gjykatës së Lartë, ku  1/5 e tyre ligji parashikon të vijnë nga jashtë sistemit.

“Konkretisht jemi duke hartuar procedurat për verifikimin e pasurisë dhe figures, si dhe rregulloret për vlerësiminin dhe pikëzimin e gjyqtarëve”, tha një burim zyrtar.

Ende është e paqartë data se kur KLGJ do të shpallë thirrjen për çdo gjykatës apo jurist që aspiron një “karrige” në gjykatën supreme.

Megjithatë një burim tha se “pasi të miratohen rregulloret, atëherë mund të hapet thirrja për kandidatët që vijnë jashtë radhëve të sistemit”.

Për kandidatët gjyqtarë, EURALIUS, ka shprehur opinionin se duhet të pritet vettingu, pasi në të kundërt do të minohej besimi i publikut tek institucionet e reja të drejtësisë. Në të tilla kushte, lista me kandidatët do t’i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që t’i vetojnë kandidatët me përparësi. Pas kësaj, KLGJ bën vlerësimin e më pas emërimin e kandidatëve, të cilët duhet të dekretohen edhe nga Presidenti. E gjithë kjo procedurë kërkon jo pak kohë. Megjithatë, përtej kësaj, fakti që 31 mijë dosje presin radhën për shqyrtim, sikurse edhe në këtë moment, që vakancat në Gjykatën e Lartë të plotësohen, situata do të vijojë të mbetet problematike. Sepse gykatësit e rinj, do të duhen të shqyrtojnë stogun e madh të dosjeve, numri i të cilave sa vjen e rritet çdo ditë që kalon. Sipas një përllogaritje për të shqyrtuar stogun e dosjeve nevojiten të paktën dy vite. E derisa gjithçka t’i kthehet normalitetit, ajo që mund të thuhet me siguri, është se të humburit janë vetëm qytetarët, të cilët po presin prej vitesh për drejtësi. E siç thotë shprehja: “Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar”. BW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular