Forca më e re politike, Bindja Demokratike mësohet se ka gati 3000 firma për t’u regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Por, ndryshe nga ç’u raportua më herët, kryetar i “Bindjes Demokratike” do jetë Astrit Patozi pa Rudina Hajdarin dhe grupin e ri parlamentar, raporton TV Klan.
Procedura ligjore pritet të formalizohet paraditen e së martës, që përkon edhe me afatin e fundit të regjistrimit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 30 Qershorit.
Partia e re nuk e ka zyrtarizuar ende kryetarin e saj. Por Televizioni Klan mëson se ajo do të drejtohet nga ish-Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi.
Rudina Hajdari në një reagim në Facebook u shpreh se nuk do të jetë në krye të kësaj partie dhe se angazhimi kryesor për të është kryesimi i grupit parlamentar demokrat në parlament. Por Hajdari u shpreh pro krijimit të çdo forumi të ri politik, të cilin e sheh si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente, që sipas saj ka përfshirë vendin.
Teksa pritet zyrtarizimi i emrit të kryetarit, Bindja Demokratike ka formalizuar bordin e saj, në të cilin bëjnë pjesë ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si Endira Bushati, Leonard Olli, Fabian Topollaj dhe Ardian Kollozi.