Në teatro problemet me aktivitetin artistik janë dhe nga puna që bëhet për të sjellë veprat teatrore në skena. Regjisori Bruno Shllaku e quan gabim fatal, që ai kontingjent artistësh që i ka dhënë shumë teatrit mbahet larg tij. Sipas tij arti nuk bëhet dot me arna, por duhen buxhete. Përballë problemeve që janë sot me teatrin në vend, sipas tij duhet që Ministria e Kulturës të rishikojë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me teatrin: “Për teatrot në rrethe unë do ta them deri sa të jem gjallë, që duhet urgjentisht të shkëputen nga dyert e njerkës. Bashkia për teatrot është njerkë. Nuk mundet të bëhet art nën flamurin e bashkisë. Nuk është ajo përkujdesje, nuk bën ato subvencione që duhen. Duhet të jetë nën juridiksionin e Ministrisë së Kulturës, sepse po ndodh që në këto teatro janë hapur dyert për njerëz të paaftë. Janë hapur dyert, sepse nuk ka doganë. Njerëzit hyjnë në teatër dhe gdhihen në mëngjes aktorë ose aktore të pazhdoganuar, të pa provuar askund në skenë. Dhe nëse vijon kjo kështu do të mbyllen teatrot tanë, sepse ka njerëz të paaftë. Teatrin e ka mbytur paaftësia kudo. Na rroftë ne të tjerëve që bëmë diçka për të lënë trashëgim, sepse sot nuk po mbetet trashëgim asgjë, aq më tepër që i ka mbytur paaftësia në pjesët që vihen në skena, por që janë pa pjesë.
Drejtuesit e teatrove unë se di sa përgjegjësi kanë, por për të mbajtur mbi shpatull një teatër është njëlloj si të mbash një vargmal të pafund gurësh. Por duke e perceptuar të tillë drejtuesit e teatrove nuk janë në pozicionet luftarake për miratinë e teatrove. Kjo sepse teatri ka principe totalisht të tjera. Teatri ka principin mesazhor, atë që përcjell. Nëse në një teatër nuk përcillen idetë e kohës që ne i kemi të pafundme shqetësuese, nuk afrohen autorët dhe largohen aktorët e mirë me dhunën e pambuktë duke thënë hë mo se ky është plakur tani, në një kohë kur pa ata nuk ka art, kjo është problem shumë. Ne për çdo ditë po e shikojmë që nëse në një trupë të aktorëve është i aktivizuar një artist i brezit të vjetër gjithmonë aty ka një frymëmarrje tjetër teatri. Mirëpo shumë teatro janë duke larguar kontingjentin e njerëzve më të vjetër, janë duke e larguar si diçka të padëshirueshme në një kohë kur ata janë përballë me publikun salla shembet dhe thonë sa mirë që janë në skena, sa të dëshirueshëm janë për ti parë këta aktorë më të vjetër. Në teatro kanë dhe një gabim fatal. Ne kemi kontingjente regjisoriale të mrekullueshme. Pa dashur të vë emra, janë edhe në pension dhe kjo nuk është problem, por kemi përzgjedh në teatro një kontigjent me disa emra që për mua janë totalisht të panjohur. Që atje në vendin e punës së tyre në teatrot e vet as i afrojnë, por kur vijnë në Shqipëri marrin ato para dhe bëjnë një shfaqje që është natën e parë dhe të dytë, por më pas nuk ka më as spektator, nuk ekzistojnë as aktorët, nuk ekziston as ai vetë, por ka ikur dhe në drejtim të paditur. Nuk ngelet në teatër asnjë shfaqje prej regjisorëve të vetëshpallur regjisor, të cilët nuk kanë absolutisht dhe një CV sa i takon shkollës regjisoriale. Por vijnë nga disa meridiane të çuditshme, që ky është filani dhe ka emër, por kur shikon punët e tyre të kap vaji. Në një kohë kur regjisorët e mirëfilltë të teatrit shqiptar, që janë besnikë të fjalës shqiptare, që kanë thënë fjalët e mrekullueshme në alfabetin skenik mbi regjisurën rrinë dhe sodisin nga larg këtë atentat, që iu bëhet teatrove tanë.
Ministria e Kulturës duhet automatikisht duhet të bëjë një rishikim mbi të gjithë ligjet që janë mbi teatrin, mbi statuset e teatrove, sepse kështu teatrot janë si automjet ose si një kalë i bukur i një rrace indiane që turret pa pajime, pa kalorës, dhe nuk din se ku shkon nëpër natë. Ndalon aty ku i mbesin këmbët. Duhen “kalorës” të mirëfilltë. Duhen rishikuar të gjithë ligjet që janë mbi teatrot. Lum, lum se kemi godina teatri dhe nuk kemi asgjë çfarë bëjmë brenda. E theksoj sërish që vetëm në teatrin Metropol sallat nuk pushojnë së punuari dhe kjo është e lakmueshme, por kjo nuk ndodh te tjerët”.