Britania do të lejojë që firma kineze Huawei Technologies të luajë një rol të kufizuar në zhvillimin e rrjetit të saj 5G, duke hedhur poshtë paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara dhe disa zyrtarëve të lartë britanikë se ky hap mund të rrisë më tej aftësitë spiunuese të Kinës.
Vendimi, i raportuar së pari nga e përditshmja Daily Telegraph, u mor në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Britanisë, i cili kryesohet nga Kryeministrja Theresa May. Gazeta britanike njofton se zonja May do të lejojë Huawei-n të ndërtojë pjesë “jo-thelbësore” të rrjetit siç janë antenat.
Teknologjia 5G e gjeneratës së ardhshme do të ofrojë shërbime më të shpejta dhe do të lidhë më shumë pajisje në Internet.
Njoftimi i gazetës nuk thotë se nga është marrë informacioni, por zyrtarë të sigurisë i thanë agjencisë Reuters se Britania nuk do ta lejonte kompaninë Huawei të hynte në pjesët thelbësore të rrjetit dhe do të kufizonte aksesin e kompanisë tek pjesë jo-thelbësore të infrastrukturës së saj.
SHBA u ka kërkuar aleatëve të mos përdorin teknologjinë Huawei për shkak të shqetësimit se kompania mund të shërbejë si kanal për spiunazhin kinez. Huawei, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, ka thënë se shqetësime të tilla janë të pajustifikuara.
Megjithë njoftimet e medias, ministrja britanike e shtetit për industritë digjitale, Margot James, tha se qeveria britanike nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
SHBA është e shqetësuar se dominimi i tregut 5G nga Huawei do t’i krijonte Kinës avantazh. Vendet evropiane janë nën presionin e SHBA që të mbajë një qëndrim kundërshtues ndaj firmës Huawei.
Këto vende hezitojnë të përfshihen në mosmarrëveshjen mes dy ekonomive më të mëdha të botës, pasi ato synojnë të mbajnë marrëdhënie të forta tregtare dhe diplomatike me Kinën.
… [Trackback]
[…] Information on that Topic: startnews.news/2019/04/24/britania-rrjeti-5g-dhe-firma-huawei/ […]
Comments are closed.