Kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka vlerësuar gjendjen e sistemit shëndetësor shqiptar si në vendet e Afrikës qëndrore. Ai ngriti gishtin e akuzës mbi qeverinë, e cila tërë dështimin e saj për premtimin “shëndetësi falas” po përpiqet t’ia faturojë profesionistëve si dhe kryeministrit, me “cirkun e tij të përditshëm”.
Basha foli në konferencën rajonale të organizuar në Tiranë nga Fondacioni “Konrad Adenauer” mbi sfidat dhe vizionin në sistemin e shëndetësisë. “Gjendja e spitaleve është katastrofike. Mungesat janë të nivelit të Afrikës qëndrore, – tha Basha. – Rrogat më të ulëta në rajon. Rrogat më të larta të sistemit tonë shëndetësor nuk kapin gjysmën e rrogave të Ballkanit. 15 vjet prapa ka mbetur indeksimi i rrogave me rajonin.
Basha u zotua se PD do të ketë primare rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët.
“Dua të deklaroj sot nga kjo konferencë e cila do të vazhdojë me tryeza pune vendimin e PD se në 4 vjeçarin e parë të qeverisjes sonë, se paga minimale për mjekët do të arrijë 1200 euro në muaj, ndërsa për infermierët 700 euro në muaj”, tha Basha teksa prezantoi programin e PD për shëndetësinë.
“Kur deklaruam pagat për mësuesit, shumëkush i konsideroi të pamundur, sot është fakt; po ashtu infrastrukrura, rruga Durrës-Kukës, heqja e vizave apo Shqipëria në NATO”, u shpreh kryedemokrati ndërsa u zotua më tej se edhe programi në shendetësi do bëhet realitet.
Numri i mjekëve në vend kishte arritur në një për njëmijë. Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet ’70, në kohën më të errët të diktaturës. Numri i specialiteteve disa herë më i ulët se mesatarja europiane.
Kjo është shoqëruar me cirkun e përditshëm të përgjegjësit për këtë situatë që akuzon profesionistët, të njëjtën gjë që bën me universitetet, me sipërmarrjet. Nga një gënjeshtër e madhe si shëndetësia falas, tërë dështimin mundohet t’ia faturojë profesionistëve. Mjekët përpiqen në kushte spitalesh lufte.
Problemi tjetër është ulja e numrit të mjekëve, që e ka larguar shërbimin nga njerëzit. Në spitalet periferike kanë mbetur vetëm godinat dhe shtretërit. QSUT-ja është e mbingarkuar.
Në kuptimin e vizionit, një qeveri që shkon në drejtim të cetralizimit hipersovjetik të universiteteve, po shkon drejt centralizimit të sistemit shëndetësor për arsye politike dhe korruptive.
Këto probleme të mëdha nuk zgjidhen sa hap e mbyll sytë ndaj kemi kohë që kemi nisur një konsultim gjithpërfshirës me mjekë, pacientë, grupe interesi, për politikat e duhura.
Dua të them se mbështetja e miqve tanë të CDU gjermane është shumë e çmuar për të gjetur modelet më të mira që i përshtaten kushteve të Shqipërisë.”