Lüer: Në Shqipëri mungoi ndjekja penale për krimet e komunizmit

2
247

Polarizim, gjuhë denigruese në Shqipëri në debatin për përballjen me të shkuarën. E dimë se kur viktimat rrëfejnë historitë e tyre stresohen shkaktarët e krimeve, thotë drejtori i Komisionit “Drejtësi e Paqe”, Jörg Lüer.

Deutsche Welle: Nëse afër 30 vite pas rrëzimit të diktaturës një vend nuk e ka gjetur dot gjuhën e përbashkët për t’u ballafaquar me të,  – çfarë ka shkuar keq?

Jörg Lüer: Fillimisht duhet thënë, se kjo bën pjesë tek problemet tipike të vendeve që kanë kaluar dhunë masive, ato kanë nevojë për shumë kohë derisa ta gjejnë një gjuhë të përbashkët. Nuk bëhet dot si duhet, në kuptimin që, kjo kohë të merrte fund pas 5 vjetësh. Duhet të kuptojmë, se ka viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat sigurisht janë të lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e dimë se kjo u sjell stres shkaktarëve e familjeve të tyre.

Në rastin e Shqipërisë, e njohur si diktatura më e ashpër staliniste, një vend ku dosjet u mbajtën me dekada të mbyllura, ku sipas medias, ende sot, gjenden individë të ish-Sigurimit në institucione të ndryshme. Cila do të kishte qenë rruga në përballimin me të shkuarën, që të mos kishim këto zvarritje e vonesa?

Do të isha i kujdesshëm t’i jepja këshilla Shqipërisë nga jashtë, se çfarë duhet të kishte bërë më mirë. Ajo që do të thoja, e që u bë shumë vonë në Shqipëri është vëmendja e duhur që duhej t’u kushtohej vendeve, ku u bënë krimet. Tani ka ndryshuar diçka, po mund të bëhej më shumë. Ndoshta duhet edhe më shumë angazhim nga diaspora për të mbështetur proceset në Shqipëri. Sidoqoftë, rrugët e përballjes më të shkuarën janë gjithmonë shumë të gjata, ne nuk flasim për 3 vjet, por të paktën për 3 breza. Ajo që shoh tani në Shqipëri më inkurajon.

A ka të bëjë polarizimi dhe zvarritjet në përballjen me diktaturën edhe me atë që Shqipëria në masë të madhe pati një vazhdimësi elitash, ju e njihni Shqipërinë nga disa projekte bashkëpunimi për të shkuarën?

Natyrisht ka pasur një masë të madhe të kontinuitetit të elitave, kjo është shokuese kur e sheh, në të njëjtën kohë  po e marrin përgjegjësinë brezat e rinj në këtë vend duke e zbutur kështu këtë kontuinitet. Por përballja me çështjet e së shkuarës është edhe një konfrontim masiv me këtë kontuinitet elitash. Por ajo duhet bërë. Nëse një vend do të krijojë një ndjesi për të drejtën dhe drejtësinë, perspektivën për pajtimin duhet të ndodhë më shumë.

Çfarë është në këtë rast “më shumë”?

Ajo që nevojitet është zbardhja siç duhet e diktaturës, akcesi tek dosjet, këtu janë bërë përparime, nevoja për shoqërimin siç duhet të ish-burgosurve politikë, duhen mbledhur historitë e këtyre krimeve, ose ndoshta thjesht Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit ta pajisin me më shumë fonde, me më shumë mundësira. Ajo që mungon qartë është ndjekja penale. Deri më tani, me sa di unë, asnjëri nga autorët e krimeve, qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera nuk ka dalë para drejtësisë.

Por personat përgjegjës që kishin kompeteneca të caktuara në kohën e diktaturës thonë se kemi bërë detyrën. Si do mund të bëhej kjo juridikisht?

Në rastin e ballafaqimit juridik me të shkuarën nuk bëhet fjalë nëse e gjen apo jo veten fajtor i akuzuari. Konstatimi i fajit është kompetencë e gjykatës. Me këtë merret në konsideratë një instancë objektive, e ajo që është e rëndësishme, viktimave u jepet vend në diskursin publik të paraqesin historitë e tyre. Justifikimi, se kemi bërë vetëm detyrën është justifikimi tipik që dëgjohet e kjo është e gabuar. Detyrimi i parë që kemi ne është të jemi humanë. Kush e shkel këtë nocion, e për këtë kemi zhvilluar edhe nocionin e krimeve kundër njerëzimit, kush nuk e respekton këtë detyrim i ka borxh shoqërisë, të tjerëve, në një farë mënyre edhe  vetes.

Kush do ta ngrinte këtë akuzë e mbi cilën bazë ligjore?

Ne e dimë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka ende rrugë para vetes. Por faktikisht akuzën duhet ta ngrinin ish-të burgosurit politikë. Kështu ndodh në një shtet të së drejtës. Por për shkak se pala tjetër nuk është e dobët, do të thoja që ish-të burgosurit politikë duhet të mendohen mirë dhe të bashkohen, ku t’i bëjnë aktakuzat, si të organizohen.

Nuk e njoh kuadrin ligjor të Shqipërisë, por shpresoj që edhe në Shqipëri, vrasja të mos parashkruhet, edhe në vetë regjimin komunist ajo ka qenë vepër penale. Që nga proceset e Nurembergut e drejta ligjore njeh toposin e krimeve kundër njerëzimit, që kundrejt nazistëve pati efekt prapaveprues. Ky topos është edhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, fuqia shëruese e ndjekjes penale qëndron si tek krijimi i opinionit dhe bërja publike e krimeve ashtu edhe tek gjykimet. Prandaj elitat e djeshme i tremben proceseve të tilla kaq shumë, sepse ato grisin atë perden e gjoja normalitetit.

Aktualisht në Shqipëri zhvillohet një debat i madh për trajtimin e historisë së Luftës Nacionalçlirimtare. Një libër i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ISKK me titull “Krimet e komunistëve gjatë luftës në vitet 1941-1945” është në qendër të debatit. Aty ndodhet një listë me 265 emra, që sipas autorit janë përgjegjës ose të paktën kishin dijeni për krime të kryera gjatë luftës partizane për çlirim. Kjo temë i ndan frontet në Shqipëri. Për njërën palë lufta është e lavdishme, për palën tjetër, si rastin e ISKK, duhen bërë publike edhe krimet që janë bërë aty. Si mund të zhvillohet një vështrim i diferencuar për historinë për temat kaq polemizuese?

Këtë konstelacion konfrontimi, veçanërisht me partizanët komunistë e kemi parë edhe në vende të tjera, në ish-Jugosllavi psh. Në Slloveni psh. shoqëria është po ashtu e përçarë përgjatë kësaj linje. Mendoj, se baza për të filluar një dialog është respekti i përbashkët për të gjitha viktimat. Nëse ngjitesh në pozicionin, ne jemi të mirët e nuk ka rëndësi se kë eliminojmë, atëherë nga ana humane çështja është e humbur. Aftësia që duhet të zhvillojmë në këtë rast është ajo e empatisë. Të dalim e të përulemi para atyre që u vranë, pavarësisht, se cilat ishin arsyet. Kjo do të ishte baza. Ne kemi një përvojë të mirë në Bosnje, ku me përfaqësues të grupeve të ndryshme kemi vizituar vende të ndryshme. Shenja bashkuese është respekti. Por kjo nuk është e lehtë.

A mundet që një komision ekspertësh për shembull me historianë shqiptarë e të huaj të diskutonte çështjet e hapura e të kontestuara, pra zgjidhje shkencore për të qetësuar gjakrat ? Këtë vit në Shqipëri përkujtohet 75 vjetori i luftës çlirimtare. Madje edhe data e çlirimit është politizuar…

Është mirë të kesh edhe shpjegim shkencor për këto çështje. Ne në Gjermani pas rënies së Perdes së Hekurt dhe bashkimit krijuam një komision “Enquete” – për zbardhjen e diktaturës së SED, partisë së unitetit socialist që për vite me radhë u mor me analizimin e mbledhjen e çështjeve të ndryshme. Nuk e di nëse në Shqipëri këtë mund ta bënte parlamenti, por sipas vlerësimit tim, Instituti që drejton Agron Tufa është një vend që mund të merret shumë me trajtimin e këtyre çështjeve. Por sigurisht do të ndihmonte edhe tërheqja e personave nga jashtë për këtë. Jo për të gjykuar për Shqipërinë, por për të sjellë një perspektivë tjetër e për t’iu kundërvënë polarizimit.

E ky polarizim është i aq ashpër në Shqipëri, debati aktual e tregon këtë, e në media gjen herë pas here një gjuhë që ende reflekton luftën e dikurshme të klasave, ne dhe ata, në këtë polaritet zhvillohet diskursi. A mundet të krijohet një kulturë e kujtesës, kur ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët?

Më duhet të them diçka shumë qartë – jam skeptik për sa i përket gjeneratës së shkaktarëve dhe partisë komuniste të asaj kohe. Unë do ta kisha shpresën tek brezi i mëpasëm, që ndodhet në një konlikt luajaliteti me atë se si duan të jetojnë vetë e me bashkëmoshatarët, si edhe me luajalitetin kundrejt familjeve të tyre apo kontekstet nga të cilat vijnë. Por me ata duhet folur, duhet kërkuar dialogu, e ndoshta të nxisësh edhe atë ndjesinë, se gjuha pllakative e post-komunistëve nuk i përgjigjet dinjitetit të njeriut. Njerëzit e kuptojnë këtë, ajo është një farë forme dëshpërimtare, e marrë dhe nuk ndihmon aspak për të kuptuar historinë.

Fondacioni, ku jeni zëvendësdrejtor “Maximilian Kolbe” ndihmon në Shqipëri në drejtim të krijimit të kulturës së kujtesës pajtimit në shoqëri. Çfarë projektesh keni aty?

Ne kemi një përvojë që për të arritur drejt pajtimit nuk duhet folur aq shpejt për pajtimin. Sidomos viktimat fjalimet që mbahen për pajtimin shpesh i ndjejnë si fyese. Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet. Ajo që duam të bëjmë ne është që t’i mbështesim partnerët tanë, por edhe t’i afrojmë me diskursin europian. Ajo që bën Shqipëria në drejtim të zbardhjes së krimeve të diktaturës nuk është vetëm një problem shqiptar. Ai është kontribut për projektin europian. Ajo që mund të bëjmë ne është që të dëgjohet zëri i Shqipërisë në Europë. Edhe diçka të rëndësishme: Duket sikur gjërat nuk ndryshojnë, sepse ajo që kemi ne në dorë janë “mundësitë e buta”, por kjo është si ajo lufta e ujit me gurin. Për sa kohë që uji rrjedh, guri nuk ka asnjë shans.

Dr. Jörg Lüer është drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe” si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

 

2 KOMENTET

  1. … [Trackback]

    […] There you can find 28505 additional Information on that Topic: startnews.news/2019/04/26/luer-ne-shqiperi-mungoi-ndjekja-penale-per-krimet-e-komunizmit/ […]

Comments are closed.