Opozita filloi mosbindjen civile në 5 qarqe të Shqipërisë. Ndërkohë ka nisur në Tiranë një vizitë zyrtare e raportuesit për Shqipërinë në grupin parlamentar gjerman të CDU/CSU, Christian Schmidt.
Në mbrëmjen e të enjtes, ( 25.04.2019) opozita e drejtuar nga Partia Demokratike, (PD) nisi mosbindjen civile, si instrument të përshkallëzimit të protestave për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, pas deklarimit të mos pjesëmarrjes së saj dhe regjistrimit të 34 subjekteve politike për të konkurruar. Nga ora 18.00 – 19.00, mbështetësit e opozitës bllokuan rrethrrotullimet dhe akset kryesore kombëtare në 5 qarqe të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë duke paralizuar qarkullimin e automjeteve.
Fillimi i mosbindjes civile
Lideri PD, Lulzim Basha ishte i pranishëm në bllokimin e aksit kombëtar në Milot, qarku i Lezhës, ku kalon rruga drejt Veriut. Në fjalën e tij para mbështetësve të opozitës ai tha se „bllokimi i akseve kombëtare rrugore është vetem fillimi i mosbindjes civile për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale”.
”Më 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri, Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket, as nuk krijohet. Ka vetëm një opozitë dhe ajo jemi ne. Nuk do të lejojmë me asnjë formë, me asnjë ҫmim, krimin elektoral. Zgjedhje fallco, zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë”. Basha i quajti deputetët e dy grupeve parlamentare opozitare, të sapokrijuara, Grupi Parlamentar Demokrati dhe Grupi i Pavarur, „shërbëtorë dhe mercenarë të Edi Ramës”.
Largim i Ramës
Kreu i PD, Lulzim Basha përsëriti qëndrimin e koalicionit të bashkuar opozitar prej 8 partish, të drejtuar nga PD, se “largimi i Ramës është një kusht i panegociueshëm dhe krijimi i një qeverie kalimtare është shansi i fundit për të shmangur përplasjen totale të popullit me klikën që sundon në mënyrë të paligjshme”. Bllokimi i akseve kombëtare të enjten në mbrëmje u shoqërua me thirrjet “Rama ik”, me djegie gomash dhe ndezje flakadanësh. Në rreth rrotullimin në hyrje dhe dalje të Tiranës pati konfrontim fizik, kur protestuesit qëlluan me grushta drejtuesin e një automjeti që donte të thyente bllokimin e rrugës.
Kryemnistri Rama i ka sjellë në vëmendje opozitës,në seancën plenare të parlamentit, të enjten, dënimet që parashikon ligji për pengimin e proceseve zgjedhore, që nga gjobitja deri në burgim prej 5 vitesh. Opozita do të zhvillojë protestën e katërt kombëtare antiqeveritare që nga fillimi i protestave në mesin e shkurtit të kaluar. Ajo akuzon qeverinë Rama se ka manipuluar zgjedhjet parlamentare 2017 përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin.
Christian Schmidt: Të dënohen autorët e manipulimit të zgjedhjeve.
Fillimi i mosbindjes civile të enjten në mbrëmje, përkon në kohë me ditën e parë të një vizite njohëse me situatën, që ka nisur në Tiranë, raporteri për Shqipërinë i grupit Parlamebtar CDU/CSU në Bundestagun gjerman.
Në një intervistë që deputeti gjerman Schmidt i dha të enjten në mbrëmje kanalit televiziv kombëtar “Vizion Plus” lidhur me zgjidhjen e krizës politike ai është shprehur, se “problemet në Shqipëri, para së gjithash, duhet të zgjidhen nga shqiptarët. Kjo përfshin përmbushjen në mënyrë të besueshme të kritereve të BE për sundimin e shtetit ligjor. Gjermania është një partner konstruktiv dhe i përkushtuar për këtë gjë. Nëse dëshironi të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, ju duhet të pranoni rregullat e Shtëpisë Evropiane. Kjo përfshin sigurimin e zgjedhjeve të lira e te ndershme. Prandaj, unë pres që gjetjet e prokurorisë për manipulimin e zgjedhjeve të hetohen dhe autorët të dënohen. Gur prove për këtë do të jenë zgjedhjet lokale në qershor”. DW