Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Të paekspozuarit”, Ylli Rakipi, e cilëson krizën politike si më të rëndën që po kalon vendi, pas asaj të vitit 1997. Në një intervistë dhënë në televizionin “News24”, deklaroi se vendi po shkon drejt anarshisë.
“Është një nga situatat më të vështira në këto 30 vite, përjashtojmë këtu vitin 1997, që vendi kaloi në një anarshi të madhe. Por, situata është vërtetë e vështirë edhe sot opozita shqiptare, koalicioni opozitar, ka dalë jashtë parlamentit dhe ka marrë vendime të rëndësishme, dhe nuk do të shkojë në zgjedhje siç e dimë të gjithë tani, pa një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën. Edi Rama, është njeriu thotë opozita që i ka blerë votat e vitit 2017, prova të zbuluara ditë pas dite, sipas opozitës, dhe pushteti i Ramës është ilegjitim” -u shpreh Rakipi.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk bën dot zgjedhje të drejta, zgjedhje të lira, prej 30 vitesh. Rakipi deklaroi se Edi Rama nuk po qeverisë më vendin, por vetëm po punon për një grup biznesmenësh.
“Një situatë shumë e vështirë është krijuar. Situatat nuk është se i ngjajnë njëra tjetrës, po përsëritet një ’97, që vidhen depon, zbrazen pushkët, është një gjendje edhe sot, pothuajse e tillë. Po ta vësh re, Edi Ramës i dalin gjithandej, sepse ka një vendim politik për këtë punë, në mënyrë që kryeministrit t’ia bëjë gjithçka të pamundur, t’ia bëjë të pamundur qeverisjen. Dhe aktualisht Edi Rama me përjashtim të ndonjë vendimi, për koorporatat që po krijon për interesa të vetat, ai nuk është se po qeveris vendin. Dhe në këtë pikëpamje, jeta politike e vendit, drejtimi i vendit, është bllokuar. Ne nuk kemi tani një qeverisje të qartë. Mund të ketë investitorë të hyjë në Shqipëri në këto momente?”,- vijoi Rakipi.
Gazetari shtoi se Edi Ramës i kërkohet largimi si kryeministër dhe bërja e zgjedhjeve, dy kushte që ai nëse do t’i ishte i bindur në fitoren e PS duhet t’i kishte plotësuar që në nisje të krizës. “Realisht Shqipëria është drejt një konfrontimi. Të dy palët po luajnë fort me nervat e njëra tjetrës. Opozita thotë nuk ka zgjedhje më 30 qershor, dhe e ka jetike. Ndërsa maxhoranca thotë me qetësi, ne do shkojmë në zgjedhje do fitojmë partitë, etj. Opozita reale e vërtetë, se kemi edhe opozitë të opozitës, nuk do të hyjë në zgjedhje. Nëse bie Edi Rama, opozita shkon në zgjedhje, ky është kusht thelbësor. Pa këtë kusht opozita është e asgjësuar. Është përsëritje e shëmtuar e një super çadre”, -theksoi Rakipi.
Duke folur për mënyrën sesi opozita do të pamundësojë zgjedhjet, Rakipi u shpreh se “ndoshta fizikisht, me përplasje”.