Konferenca e Ballkanit Perëndimor që fillon të hënën në Berlin (29.04) ka potencialin e hapjes së një kapitulli të ri, thotë njohësi i Ballkanit dhe ish-politikani gjerman, Christian Schwarz-Schilling.
Nga Christian Schwarz-Schilling
Konferencë për Ballkanin – e pastaj? Nganjaherë disa thumbues që qesëndisin nuk e fshehin dot, se nuk kanë ç’të thonë. Që frazat e tyre kanë të njëjtat formula nuk e bën përmbajtjen e tyre më interesante.
Sepse ka ngjarje, nga të cilat shohim befas të shfaqet një potencial i ri veprues për çështje të vjetra. E një ngjarje e tillë mund të na çojë në një moment të papritur kthese të historisë e të na tregojë një kapitull të ri të së ardhmes së përbashkët. Konferenca e Ballkanit në Berlin më 29 Prill ka potencialin të jetë një ngjarje e tillë.
Asnjëherë nuk kanë dërguar një ftesë të përbashkët më parë tek krerët e Ballkanit Perëndimor me qëllim që të flitet hapur dhe me përgjegjësi për të ardhmen tonë të përbashkët dy kombet më të mëdhenj, më të rëndësishëm e më pranë gjeografikisht Ballkanit, Gjermania dhe Franca. Po t’i hedhim sytë tek e shkuara jonë, shohim në shekullin e 20-të humnera dhe katastrofa, që e kaluan masën e aftësisë sonë përfytyruese. Një dhimbje e pafund iu shkaktua popujve tanë dhe popujve të tjerë.
Asnjë diktaturë nuk e mposht dot idenë e lirisë
Nga mesi i shekullit të 20-të ne në Europë po përpiqemi me sukses të ndryshueshëm për të kuptuar shkaqet politike për një epokë të tillë çnjerëzore dhe për të ndërtuar për kontinentin një të ardhme, ku çdo qytetar ka të drejta të patjetërsueshme kundrejt shtetit dhe komunitetit, e ku kombet janë të lira, të pavarura, mbi bazën e shtetit të së drejtës. Në të njëjtën kohë, ky kontinent përmes integrimit të kombeve të veçanta është rikonfiguruar, me qëllim që të mbijetojë ekonomikisht e kulturalisht në kohët e globalizimit kundrejt kontinenteve e fuqive të tjera. Kjo përpjekje ka çuar në Europë në një bashkim vullnetar të demokracive parlamentare, unikale në historinë e njerëzimit dhe me suksese të mëdha.
Shpërbërja e perandorisë sovjetike ishte pasoja e asaj që me kohë asnjë perandori, asnjë sistem ideologjik, asnjë diktaturë megjithë gënjeshtrën, fallsifikimin e historisë, çimentimin e pushtetit dhe skllavërimin e njeriut nuk mund ta mposht dot idenë e lirisë. Kështu u përhap ideja e lirisë në Bashkimin Sovjetik, drejt Gjermanisë lindore, Europës Lindore deri në Azinë Qendrore dhe Lindore. Ajo bëri që Gjermania të bashkohej pa dhunë. Liria jonë dhe siguria u garantua nga NATO, aleanca e fuqishme euroatlantike.
Rruga fatale e ish-Jugosllavisë
Vetëm ish-Jugosllavia mori një rrugë tjetër, një rrugë fatale. Kreu i Jugosllavisë së atëhershme, Slobodan Milošević, që donte të sundonte me diktaturë në Beograd edhe pas dështimit të idesë komuniste, përdori një ideologji të re: Sundimin e popullit serb mbi të gjithë të tjerët në Ballkan. Nga të dyja rajonet erdhën qindra mijëra refugjatë në Europë dhe në botë, kështu që u bë e pashmangshme lufta për stabilitetin e perëndimit dhe lindjes.
Vetëm rrëzimi i tiranëve dhe ndihmësve të tyre mundi të hapte rrugën për shtete të reja e të pavarura në Ballkan. Tani popujt e Ballkanit Perëndimor presin shansin e tyre të hyjnë në Europë. Këtë rrugë Europa e hapi me konferencën e BE në Selanik në vitin 2003.
Luftëra ideologjike në Ballkan
Por sot gjendja është serioze, sepse në këto vende ende zhvillohen luftëra ideologjike. Milorad Dodik, një nga presidentët e sotëm të Bosnje-Hercegovinës, që mban fort një entitet, Republikën Srpska, kërcënon prej vitesh që të shkëputet nga Bosnje-Hercegovina dhe të krijojë një shtet më vete.
Në këtë përpjekje ai punon ngushtë së bashku me partinë nacionaliste të kroatëve, HDZ duke e mbështetur fort kreun e kësaj partie, Dragan Čović, në përpjekjen për të krijuar një etnitet të tretë në Bosnje-Hercegovinë, me synim përçarjen e mëtejshme të federatës. Qëllimi është që rajonet e federatës që banohen me shumicë nga kroatë, në plan afatgjatë t’i kalohen Kroacisë. Edhe nacionalistët në Kroaci luftojnë në Parlamentin Europian dhe Kroaci për këtë qëllim.
Perëndimi duhet të veprojë – jo kufij të rinj
Ajo që po ndodh aty nuk duhet të nënvlerësohet nga perëndimi si „retorikë”, por ai duhet të veprojë. Aty ku nuk respektohen sinjalet e politikanëve më të lartë europianë dhe institucioneve në Bosnje-Hercegovinë, në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, duhet që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë.
As negociatat që zhvillohen prej kohësh mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet asnjëherë të çojnë në vendosje të reja kufijsh në bazë të kritereve etnike. Do të priten edhe njëherë mijëra refugjatë si në vitin 1999? Pas gjithë asaj që ka ndodhur, propozime të tilla duhet të lihen mënjanë si ide të vjetëruara të „pastrimit etnik”. Ambicie të grupeve të caktuara për ndarje të tjera në rajonin e Ballkanit sipas „kritereve etnike”, duhet që të përjashtohen në të ardhmen njëherë e përgjithmonë, sepse në këtë rajon nuk duhet të përsëriten kurrë më luftërat e viteve 90-të.
Problemet e prekura më lart prekin edhe të ardhmen e vendeve të tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në këtë pikë duhet parë rajoni si i tërë dhe jo të mendohet e veprohet në mënyrë izolacioniste. Shteti ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu si edhe tek ne duhet të ketë prioritet kryesor –forcimin e bazës demokratike dhe zhvillimin e mëtejshëm në drejtim të ndarjes së pushteteve dhe mbështetjen e shtetit ligjor.
E në fund dua t’i drejtoj një apel urgjent Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron: Futeni në udhën e duhur me vendosmëri dhe forcë veprimi këtë hap të guximshëm – Konferencën për Ballkanin Perëndimor! Kapeni me këtë konferencë shansin tuajin dhe tonin për Europën! Kështu ju jepni për ne në Europë edhe për njerëzit në Ballkanin Perëndimor një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme të sigurtë dhe në paqe!
… [Trackback]
[…] Info on that Topic: startnews.news/2019/04/29/apeli-i-christian-schwarz-schilling-per-konferencen-e-ballkanit-ne-berlin-kapeni-kete-shans/ […]
Comments are closed.