Në Tiranë/”Mbushim ujë me gomar!”, banorët e Sharrës në revoltë: Shteti po na vret! S’do i marrim paratë nga inceneratori

0
349

Fax News ndodhet sot në landfillin e Sharrës, ku pritet që të ndërtohet inceneratori i ri i mbetjeve në Tiranë. Kanë qenë banorët ata që kanë denoncuar devijimin e punimeve, që është rritur sipërfaqa më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht. Sipas tyre hedhja e dherave jashtë rethimit të vendit ku do të ndërtohet inceneratori dëmton kullotat e bagëtive të tyre.

Po ashtu ata tregojnë se detyrohen që të mbajnë ujin në krah për rreth 20 minuta, pasi nuk ka ujë në banesat e tyre. Një prej banorëve thotë se nuk ka ndërmend që të marrë dëmshpërblimin e dhënë për 6 dynum tokë që i janë marrë për ndërtimin e incerenatorit.

Një prej banorëve shprehet: Hedhja e dherave na dëmton kullotat, pavarësisht se nuk kemi certifikatë, quhet tokë shtet, po e përdorim ne për kullota. Nuk di sit a shpjegoj, kanë marrë 120 hektarë tokë, ja kanë vendosur çmimin si iu ka dashur qejfi. Mua më kanë marrë 6 dynumë e gjysmë tokë, që kisha me certifikatë, pjesën tjetër nuk na e njeh se e kemi pasur në përdorim.

Ta marrësh tokën pa pyet? Ne na erdhi kështu, na thanë ikni dhe merrni letrat në komunën Vaqarr, pa na pyetur fare. Ne jemi fisi i vetëm këtu, ku di unë, jemi brez pas brezi. Mirë mo mirë, ti merre tokën, po si mund të ma marrësh kështu. Unë nuk kam shkuar që ti marr lekët fare, unë e kuptoj që ata janë më të fortë, po ne nuk na ka pyetur njeri.

Një tjetër prej banorëve shprehet: Ne nuk kemi qenë dakord, ne shteti pikë së pari të vijë të na shohë rrugën, dhe ujin që pimë, se këtu nuk rrihet. Duam 20 minuta që të shkojmë në këmbë dhe të mbushim ujë. Po na grabisin me këtë tokë po ushqehemi, ma ka marrë tokën deri në derën e shtëpisë, si të jetojmë ne këtu, si në ishull. Në fillim fare na kanë dashur që të na merrnin dhe shtëpijat, ne i përzumë, bënë projektin dhe pastaj na thanë që do të na merrnin vetëm tokën. Po shita dhe atë tokë, unë nuk e di më me çfarë të jetoj! Këtë tokë e kanë blerë katragjyshët tanë me flori.

Një tjetër shqetësim shumë i madh për banorët është dhe ndotja e ajrit, që vjen si pasojë e djegies së mbeturinave. Ata shprehen: Brezi i ri është i mbaruar, vjen ora 5-6 e pasdites këtu nuk rrihet!

‘’Na kanë shoqëruar disa herë në rajon, se na thonë që skemi të drejtë që të pezullojmë punimet e firmës. Mua shteti po më vret”, shprehen më tej banorët.