“Qetësia mashtron”- Deputetët gjermanë kërkojnë të hidhet poshtë ideja e ndryshimit të kufijve

3
372

Pritshmëritë gjermane në prag të takimit të Berlinit janë që të hidhet poshtë përfundimisht ideja e ndryshimit të kufijve.

Në prag të samitit të sotëm në Berlin, deputeti gjerman, Peter Beyer, në cilësinë e raportuesit për Kosovën për CDU/CSU është shprehur në një intervistë me DW-në në serbisht, se shpreson dhe dëshiron që takimi i sotëm në zyrën e kancelares të ndihmojë për një zgjidhje sa më të shpejtë në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. “E shpresojmë dhe e dëshirojmë këtë në të mirë të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të mirë edhe të Evropës”, tha Beyer.

Beyer gjithashtu kërkon që të hidhet poshtë ideja e këmbimit të territoreve, mes Serbisë dhe Kosovës.”Edhe pse ideja e shkëmbimit të territoreve mund të ketë rënë në qetësi, unë paralajmëroj se kjo qetësi mund të jetë mashtruese”, tha Beyer. “Një shkëmbim territoresh me motive monoetnike mund të shkaktonte një reaksion zinxhir, prandaj edhe ky propozim duhet të  hidhet poshtë pa ekuivok nga të gjitha palët”, kërkoi Beyer duke shtuar, se “ndryshimi i kufirit mund të sillte një konflikt të ri të armatosur”.

Korrigjim apo shkëmbim?

Ndërkohë, në prag të takimit të Berlinit, i cili fillon sot pasdite (17:30),  presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë me agjencinë e lajmeve, dpa, e hodhi poshtë idenë shkëmbimit të territoreve por promovoi atë që ai e quan “korrigjim kufijsh” e që nënkupton “përfshirjen e krahinave shqiptare të Serbisë jugore në territorin e Kosovës”. Thaçi i tha dpa-së sesi shpërblim për këtë do t’i hapej Serbisë rruga drejt Evropës.

Por edhe ideja e zhvendosjes së kufirit do të sillte destabilizim në Ballkan, mendon deputeti Josip Juratoviç. “Një zhvendosje e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çonte në destabilizimin e të gjithë rajonit, siodmos po të kemi parasysh Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë”, tha për DW shqip, raportuesi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestag. Juratoviç tha se ky do të ishte një “kapitullim përpara vlerave demokratike – ku përfshihet një shtet me qytetarë me të drejta të barabarta dhe që nuk orientohet sipas kritereve etnike”. Juratoviç tha gjithashtu se ndryshimi i territoreve bie në kundërshtim me kushtetutën dhe do ta vinte në diskutim identitetin multietnik të Kosovës dhe Serbisë.

Dokument ku do të përmblidhen rezultatet

Në samitin që nis punimet sot në mbrëmje në zyrën e kancelares ë gjermane Angela Merkel, marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron  dhe krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, Sllovenisë dhe Kroacisë.Veç tyre janë ftuar edhe tre presidentë, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, i Serbisë, Alexandar Vuçiç dhe i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Siç i konfirmuan Deutsche Welles diplomatë në Berlin, Gjermania dhe Franca përpiqen kështu të demonstrojnë unanimitet në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe të tregojnë  se Ballkani duhet të mbetet në përgjegjësinë e shteteve të Evropës. Megjithatë diplomatët janë të vetëdijshëm se BE-ja aktualisht nuk është në gjendje t’i zgjidhë konfliktet në Ballkan, ku konflikti mes Serbisë dhe Kosovës konsiderohet më kyçi.

Megjithëse Mogherini, drejtuesja e negociatave të ngecura mes Serbisë dhe Kosovës, do të jetë e pranishme në takim, nuk mund të pritet se nga takimi do të dalë një marrëveshje konkrete përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, tha të premten, 26 prill 2019, në Berlin se takimi synon shkëmbimin e mendimeve dhe ka karakter joformal. Megjithëse pritet që të ketë një dokumet ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të tij, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.

Takime biletarele Merkel me Zaev dhe Ramën

Edhe pse perpspektiva evropiane konsiderohet si motori kryesor i gatishmërisë së këtyre vendeve për kompromis dhe reforma, zgjerimi nuk do të jetë temë bisede. Qarqet diplomatike rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit.

Kancelarja Angela Merkel dëshiron të japë një sinjal në drejtim të dy vendeve që janë në pritje të çeljes së negociatave, si  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ajo do të takohet kështu në takime bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, (16:00) dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, (16:30).  Temë këtu do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE. Merkel dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep Gjermania këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE.

 

 

3 KOMENTET

  1. … [Trackback]

    […] Find More on on that Topic: startnews.news/2019/04/29/qetesia-mashtron-deputetet-gjermane-kerkojne-te-hidhet-poshte-ideja-e-ndryshimit-te-kufijve/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Info on that Topic: startnews.news/2019/04/29/qetesia-mashtron-deputetet-gjermane-kerkojne-te-hidhet-poshte-ideja-e-ndryshimit-te-kufijve/ […]

Comments are closed.