BallinaAktualitetBetoninizimi i Tiranës/Supertenderi i Veliajt, 1 miliard lekë për Parkun Rinia

Betoninizimi i Tiranës/Supertenderi i Veliajt, 1 miliard lekë për Parkun Rinia

spot_img
spot_img

Bashkia e Tiranës hap tenderin për transformimin e sipërfaqes së Parkut Rinia. Fasada për të mbuluar betonizimin dhe kullat, nuk justifikon shpenzimet. Parku i ngjashëm me këndin e lojërave te Liqeni Artificial

Shpenzimet marramendëse të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj nuk ndalen. Përmes tenderit të hapur dje, tashmë radhën e ka Parku Rinia, i cili për një rikonceptim të ngjashëm me parkun e lojërave te liqeni Artificial do të kushtojë plot 104 milionë lekë. Ky është fondi limit i vendosur në prokurimin e hapur dje, ndërsa operatorët do të ftohen për të marrë pjesë deri në datën 3 qershor. Plani për ndërhyrjen në Parkun Rinia, në fakt u shpall edhe në projektet e investimeve të planifikuara këtë vit nga bashkia dhe ishte llogaritur të kushtonte 160 milionë lekë, por akuzat për dhënie tenderësh abuzive dhe me kosto mbi logjikën e tregut kanë detyruar bashkinë që në preventivin përfundimtar të ulë çmimin.

Nëse do t’i referoheshim një premtimi të vitit 2015, atëherë kur Veliaj nisi të ndërtonte parkingje publike me pagesë, edhe Parku Rinia do ta kishte një të tillë nëntokë dhe me kapacitet prej 1000 vendesh parkimi, por në këtë projekt fjala parkim del vetëm një herë dhe ai do të jetë mbi sipërfaqe i dedikuar vetëm për një numër të kufizuar biçikletash. Pra, 1 miliard lekë do të shkojnë vetëm për sipërfaqen e dukshme të sheshit, ndërkohë që parkimi për mjetet mbetet për një prokurim në të ardhmen që me siguri, jo vetëm do të vjelë miliarda lekë, por do të shkatërrojë edhe parkun e planifikuar. Rikonceptimi i parkut Rinia, si transformim fasadë për kryeqytetin, gjithashtu tenton të kamuflojë betonizimin që është bërë 3 vitet e fundit me kulla e pallate, por edhe nëse në këtë rast shihet ana pozitive, ajo kurrsesi nuk mund të mbulohet me shpërdorimin e 1 miliard lekëve të taksapaguesve të Tiranës, një pjesë e madhe e të cilëve jetojnë në periferi dhe nuk kanë për ta gëzuar këtë investim. Firma që përzgjidhet për të nënshkruar kontratën, do të marrë të drejtën për punimet në një periudhë kohore që kufizohet në 8 muaj.

Projekti

Parku Rinia ndodhet në qendër të qytetit dhe aktualisht është zonë e gjelbër e qytetit në një sipërfaqe që mbërrin afro 8000 m². Sheshi do të konceptohet me material ekologjike ku edhe koshat e plehrave do të jenë material druri. Sheshi do të ndahet në minizona, shkallaret propozohen si bordura ku njerëzit mund të qëndrojnë dhe përkojnë me 2800 metra katrorë hapësirë; pjesa lëndinë është 7950 metra ndërsa nuk do të mungojë edhe sheshi për fëmijë; sheshi për lojëra tavoline (shah dhe tavëll) apo sheshi për kafshët. Sipas dokumentit standard, “projekti do të konsistojë në rikonceptimin e parkut publik për t’ju përshtatur kërkesave të kategorive të ndryshme të qytetarëve që frekuentojnë këtë park. Parku do të organizohet në mënyrë të tillë ku do të ketë mini- sheshe, si: shesh për fëmijë, shesh pushimi i qetë, shesh për lojëra tavoline, shesh për kafshët, shkallare, lëndina, etj, ku parashikohet vendosja e ndriçimit rrugor dhe rrjeti i linjave rezervë për internet-telefoninë, elemente të mobilimit urban (stola, kosha të vegjël). Kategoritë e Punimeve të parashikuara janë: punime dheu; bimësia; punime hekur-beton-dru; punime shtresash; mobilim urban; punime hidroteknike; punime elektrike etj. Projekti elektrik parashikon furnizimin me energji elektrike të ndriçimit dhe pajisjeve mekanike të sistemit të ujitjes së parkut. Llogaritjet janë bërë duke u bazuar në fuqitë e ndriçuesve elektrikë të dhëna nga arkitekti dhe në fuqitë e pajisjeve mekanike të dhëna nga projektuesi Mekanik”, thuhet në relacionin teknik.

Zona

Zona për të cilën realizohet ky projekt, ndodhet pranë qendrës së qytetit të Tiranës, në një distancë afërsisht 300 metra. Zona në studim paraqet një interes të veçantë pasi është një hapësire publike. Në afërsi të zonës në studim ndodhen objekte të rëndësishme si institucione shtetërore, kulturore, objekte të kultit etj. Në lindje, zona në studim kufizohet me Galerinë Kombëtare të Arteve si dhe Hotel Dajtin në një distancë prej 90 metrash. Në perëndim janë pallatet e shallvareve në një distancë prej 20 metrash. Në veri ndodhen institucionet shtetërore siç është Ministria e Financave dhe Ekonomisë rreth 17 metra larg, ndërsa në jug kufizohet nga lumi Lana.

Zona paraqitet si një pjesë që ka nevojë për rehabilitim. Aktualisht në zonë ekziston një bar-restorant, si dhe shatërvani, ndërsa pjesa tjetër është terren i pastër i parkut që ka nevojë për zhvillim dhe një ndarje të re të hapësirave. Ndërhyrja në territor do të bëhet sipas propozimeve të PDV-së, të cilat duhet të mbajnë në konsideratë përmirësimin dhe shtimin e infrastrukturave publike për nënnjësinë si dhe për legjislacionin në fuqi.

Shpenzimet

Për vitin 2019, Bashkia e Tiranës planifikon të shpenzojë 18.3 miliardë lekë, ku peshën më të madhe e zënë shpenzimet operative dhe ato te personelit me 62 për qind. Sipas projektbuxhetit 2019-2021, shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë për periudhën 3-vjeçare, për të gjitha funksionet parashikohen respektivisht në masën 18,3 miliardë lekë, 17,2 miliardë lekë dhe 16,4 miliardë lekë, me rënie nga viti në vit.  Në parashikimet e tre viteve buxhetore është përfshirë edhe fondi që planifikohet të mbartet nga vitet paraardhëse. Konkretisht,  sa i përket vitit 2019,  shpenzimet kapitale apo ato që shkojnë për investime, zënë rreth 7 miliardë lekë. Ndërsa pjesa tjetër prej 11.3 miliardë lekësh do të shkojë për pagat e personelit dhe shpenzimet e tjera operative. Raporti mes shpenzimeve korente dhe atyre kapitale është respektivisht 62% me 38% për vitin e ardhshëm, ndërsa në periudhë afatmesme parashikohet një rritje e lehtë investimesh në vitin 2020 me 7.1 miliardë lekë dhe më pas rënie në vitin 2021, në 5.9 miliardë lekë.

Premtimi për parkim, projekti ndryshoi

Në fund të vitit 2015, kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili asokohe kishte inauguruar parkingjet publike pranë stadiumeve “Qemal Stafa” dhe “Dinamo”, (parkingje këto që joshën kreun e bashkisë për të vendosur vija blu edhe në rrugët kryesore), deklaroi se edhe pjesa nëntokësore e parkut Rinia do të bëhet parking publik. Veliaj shtoi se institucioni që ai drejton është angazhuar t’u vërë në dispozicion të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve një tjetër vend parkimi, i cili pritet që të ketë 1000 vende. Sipas tij, ky parkim pritej t’i jepte frymëmarrje trafikut të rënduar që krijohet shpesh në këtë zonë. Kryebashkiaku sqaroi se projekti i parkut do të rifillojë menjëherë pas miratimit të buxhetit të ri të bashkisë, për vitin 2016. “Ajo që po planifikojmë për buxhetin është se ne do të rifillojmë projektin e parkut, parkimit nëntokësor në Parkun Rinia. Me hapjen e parkimit nëntokësor, i cili do të lehtësojë shumë edhe çështjen e trafikut në qendër të Tiranës, pjesa e atij projekti do të jetë edhe sistemimi i themeleve”, u shpreh Veliaj.

Vendet e parkimit në Tiranë mbeten një nga problemet më të mëdha të qytetarëve rezidentë apo jo.  Sot kur jemi pranë mesit të vitit 2019, premtimi ka rezultuar vetëm një mashtrim, pas të cilit projekti është ndryshuar dhe ende qëndron në pikëpyetje fakti nëse do realizohet apo jo. Gjasat për periudhën afatshkurtër janë për jo, por titulli i tenderit për rehabilitimin  e parkut Rinia i lë të hapura mundësitë për ndërhyrje, për planifikimin në seri të lotit nr.3. Por sa kushton një parkim nëntokësor në Tiranë? Për analogji, sjellim dy projekte të ekzekutuara nga bashkia, ai i parkimit nën sheshin Skënderbej dhe parkimi pranë stadiumit “Qemal Stafa”, i cili do të rindërtohet. 225 milionë lekë kushtoi ai në sheshin qendror, ndërsa çuditërisht parkimi te Sheshi Italia u vlerësua 346 milionë lekë edhe pse me sipërfaqe dy herë më të vogël. Pra, kjo praktikë e çuditshme krijon konfuzion për vlerësimin që do të marrë parkimi në Parkun Rinia, por le të mendojmë se do të vlerësohet brenda këtyre vlerave. Shekulli

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular