BallinaRajoniNënkryetari i CDU: S'ka anëtarësim për Shqipërinë në konflikt, negociatat Kosovë-Serbi të...

Nënkryetari i CDU: S’ka anëtarësim për Shqipërinë në konflikt, negociatat Kosovë-Serbi të mos ngecin në grindje për territor

spot_img
spot_img

Intervistë ekskluzive me DW me nënkryetarin e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për samitin e Berlinit, negociatat Serbi-Kosovë, zgjidhjen e krizës në Shqipëri dhe çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Deutsche Welle: Zoti Wadephul, cili është vlerësimi juaj për samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin?

Johann Wadephul: Samiti ishte shumë pozitiv. U gëzova shumë që erdhën kaq shumë liderë nga rajoni për të biseduar me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ishte një impuls i rëndësishëm që Angela Merkel me Emmanuel Macron dhanë dhe ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit. Dhe sidomos  mes Serbisë dhe Kosovës na nevojiten negociata shumë konkrete.

Si mendoni ju se mund të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë?

Problemi i njohjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, askush nuk e pret këtë. Por mund të flitet për çështje të veçanta, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e pakicave, për asociacionet e komunave. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë e të mos ngecet në ca grindje të panevojshme për territore. Këto janë çështje të dorës së dytë. Nëse negociatat do të fillojnë tani me zgjidhjen e këtyre çështjeve praktike dhe shumë konkrete, atëherë kjo është një shenjë e mirë. Gjithsesi, ishte një nismë e rëndësishme nga Parisi dhe Berlini, sepse tani mund të rifillojnë negociatat.

Ju  u takuat edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave?

Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.

A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave?

Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së.  Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.

Shqipëria është momentalisht në një krizë ku është përfshirë edhe partia simotër e partisë suaj, PD-ja. A shihni ndonjë mundësi për ta zgjidhur krizën?

Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Mos është ky një apel për kolegët e partisë simotër, pra, për Bashën, që ai të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha,  janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci. DW

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular