Gjatë gjashtëmujorit të dytë 2018, ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë rënie të nivelit të shitjeve me një balancë neto negative prej -5.6% dhe ulje të fitimeve me 3.3%
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë situata ka rezultuar pozitive për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë shënuar balanca neto pozitive të shitjeve, respektivisht me +18.6% dhe +23.4%, në gjashtë mujorin e dytë në raport më të parin, por duke mbetur nën nivelet e një viti më parë.
Lidhur me pritshmëritë për nivelin e shitjeve të përgjithshme për gjashtëmujorin e ardhshëm, të tre grupet e ndërmarrjeve paraqiten optimiste, duke pritur një rritje të nivelit të shitjeve. Gjithsesi, subjektet janë shprehur më pak optimiste në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, veçanërisht në rastin e ndërmarrjeve të vogla.
Rezultatet ecin në mënyrë të ngjashme edhe për ndryshimin e rezultatit financiar në gjysmën e dytë të vitit 2018, duke ndjekur ecurinë e balancës së shitjeve të përgjithshme.
Kështu, ndërmarrjet e vogla vijojnë të vlerësojnë ulje të rezultatit financiar për gjashtëmujorin e dytë 2018, me një balancë neto negative -3.3%, por me ngushtim të kësaj balance në krahasim me periudhat e mëparshme.
Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca pozitive të rezultatit financiar të tyre, respektivisht +13.4% dhe +21.7%, duke shënuar përmirësim krahasuar me periudhën e kaluar, por duke mbetur nën nivelet e deklaruara një vit më parë.
Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pozitive për të gjitha ndërmarrjet, pra në favor të një rezultati financiar më të lartë, por më pak optimiste se në gjashtëmujorin paraardhës. Ky rezultat shkon në të njëjtën linjë me pritshmëritë për ecurinë e shitjeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019.
Për sa i takon zgjerimit të veprimtarisë apo rritjes së investimeve për gjysmën e dytë të vitit 2018, me përjashtim të ndërmarrjeve të vogla, dy grupet e tjera të ndërmarrjeve kanë shënuar balanca neto pozitive,- përkatësisht +11.0% për ato të mesme dhe +22.9% për ndërmarrjet e mëdha, duke mbështetur ecurinë e rezultatit financiar të tyre gjatë periudhës.
Për gjashtëmujorin e parë 2019 të gjitha ndërmarrjet presin një zgjerim të veprimtarisë së tyre, me një balancë neto pozitive. Në rastin e ndërmarrjeve të mëdha, pritjet për një zgjerim të veprimtarisë kanë qenë optimiste dhe në rritje gjatë tre vrojtimeve të fundit, ndërkohë që tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, pritjet paraqiten më pesimiste krahasuar me periudhën paraardhëse.
Pritshmëritë përgjithësisht pozitive të ndërmarrjeve të të gjitha madhësive, lidhur me shitjet, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre, vijojnë dhënien e sinjaleve optimiste mbi ecurinë e veprimtarisë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, por me një rritëm më të moderuar.