Nuk dalim dot nga kriza pa hyrë në të

2
236

Nga Sokol Shameti

Jemi në mes të një farë krize. Disa e quajnë krizë politike, disa demografike. Disa e quajnë krizë e sistemit (mos keqkuptohemi: e sistemit elektoral). Disa, deri krizë e vlerave. Por, të paktën që është krizë, për këtë s’ka më dyshim. Një situatë vërtet shqetësuese kjo, por ama le të mos i humbim shpresat. Ka edhe një stad më keq se të qenurit në krizë. E ajo është, të mos dalësh prej saj me mësimin e duhur, ose të paktën me një mësim.

Po çfarë mësimi mund të nxjerrësh prej krizës? Të paktën dy. E para, mund të hetosh çfarë e përbën krizën dhe të ndërhysh në strukturën e saj duke ia hequr gjarprit dhëmbët e helmatisur. E dyta, në realitetin e ri të krizës, mund të ristrukturosh veten duke u vaksinuar që helmi të mos të të bëjë dot asgjë. Në të dyja rastet, qëllimi është po ai: ti dhe kriza të mos jeni të përputhshëm, sepse kjo do të ishte ose shndërrim i krizës në normalitetin tënd, ose shndërrim i normalitetit tënd në një krizë.

Për shqiptarët, kriza është një gjendje konstante – çka do të thotë se s’po mësojmë që s’po mësojmë dot as si të ristrukturojmë krizën, e ç’është më e rënda – as si të ristrukturojmë veten. Në kulmin e krizës financiare në Greqi, një gazetar çek që kishte ardhur të përshkruante reperkursionet e saj në Shqipëri bëri përcaktimin lapidar të arsyes pse Shqipëria nuk do të vuante kurrë një situatë të ngjashme: Nuk mund të hysh në një krizë pa qenë fillimisht jashtë saj.

Sepse kushti i parë për ta gjetur rrugëdaljen nga kriza është ta perceptosh krizën si krizë. Kriza ekonomike, fjala vjen, e cila vazhdon të gërryejë këtë vend të varfër në mënyrë kronike prej dekadash, as që përjetohet më si e tillë. Ky është rasti klasik i shndërrimit të krizës në normalitet. Njerëzit janë mësuar dhe janë pajtuar me të. Kjo është Shqipëria. Këtu gjërat janë kombinuar në mënyrë të atillë, saqë sido të rrotullohesh, përfundimi është po ai. Varfëri, papunësi, pamjaftueshmëri, korrupsion, imoralitet etj. Pra, asgjë e jashtëzakonshme. Një jo-krizë. Ironia më e madhe është fakti se në momentin e parë kur ndodh një avari në mekanizmin i cili prodhon këtë krizë të stabilizuar si normalitet, atëherë menjëherë kjo paraqitet si kriza e vërtetë, por për këtë do flasim pak më vonë.

Në gjuhën shqipe, kriza filtrohet përgjithësisht me kuptimin e goditjes, ngërçit apo bllokimit. Kriza gjithashtu asociohet në sistemin tonë kuptimor me paradhomën e urgjencës spitalore ose në rastin më të keq, me një lloj biletarie për në botën tjetër. Me pak fjalë, të jesh shqip në krizë, është të ndodhesh befas në një situatë të cilën njeriu e pëson si një verdikt hyjnor pa pjesëmarrjen e asnjë faktori të deshifrueshëm tokësor. Kriza është kësisoj një gjendje pa histori e pa të ardhme. Shkurt muhabetit, diçka mbi të cilën ti nuk luan dot asnjë rol, as si shkaktar e as si shpëtimtar.

Por në fakt, siç do të shohim, mund të jetë edhe e kundërta. Shqipëria mbetet në të gjitha kuptimet, 30 vjet pas ndryshimit të sistemit ekonomik dhe politik, vendi më i prapambetur i Europës. Sistemi jo dhe aq i ri tashmë, nuk po prodhon dot mirëqenie dhe dallimi i vetëm me sistemin e kaluar është se të paktën nëse jeton në Shqipëri mund të modifikosh/korruptosh veten dhe t’ia gjesh anën sistemit e të përfitosh prej tij, ose në të kundërt, mund t’ia mbathësh tok me ndershmërinë tënde diku tjetër ku ta sigurosh jetesën pa u detyruar për akrobaci kaq të forta. Për shumë kohë, statuskuoja është themeluar mbi besimin foshnjor se gjithçka që ndodhi gjatë pesëdhjetëvjeçarit “komunist” ishte gabim. Si rezultat mjafton të bëjmë të kundërtën dhe të presim pa shumë lodhje sesi gjithçka do të rregullohet vetvetiu.

Kjo logjikë krejt mendjelehtë, sipërfaqësore dhe semplifikuese është përjetësuar madje edhe në një narrativë apo më mirë të themi në një rrëfenjë politike e cila justifikon pastaj edhe gjithë vendimmarrjen prej së cilës rrjedh performanca e ekonomisë, edukimit, kulturës, arsimit, shëndetësisë e me pak fjalë, gjithçkaje që rregullon jetën tonë.

Për ta thjeshtuar shpjegimin, nëse në sistemin e kaluar çdo produkt ushqimor kalonte fillimisht nëpër filtrat e rreptë të planifikimit dhe kontrollit shtetëror, sot kjo praktikë përbën pikërisht manualin sesi nuk duhet të veprohet me ushqimin. Si rrjedhojë “iniciativa e lirë” helmon me pesticide dhe dend me substanca kancerogjene cilindo që s’ia mban xhepi të ndërtojë laboratorin e vet privat të kontrollit së cilësisë ushqimore – pra, 99.99% prej nesh.

Duke bërë mekanikisht të kundërtën e gjithçkaje që bënim dikur në kohën kur është pranuar në mënyrë të panegociueshme se gabonim, kemi arritur me sukses në gjendjen ku ndodhemi sot. E kundërta e ekstremizmit nuk është moderimi, por sërish ekstremizmi. Ky lloj kërcimi nga një ekstrem në tjetrin, ka prodhuar përsëri një përbindësh. Për meraklinjtë e aksiomës universale “fajin e ka Enveri”, një lajm i keq: Nga enverizmi i shtetit, jemi sërish në një enverizëm tjetër, enverizmin e tregut. Dhe për këtë nuk e ka fare fajin Enveri, por urrejtësit e tij robotikë. Pra, faleminderit!

Në një këndvështrim deri diku ironik, e shkëmbyem sistemin kur vendimet mbi jetën tonë përcaktoheshin në mënyrë të hapur nga një grusht të privilegjuarish, me një sistem ku ke mundësinë të zgjedhësh midis një jete që nuk e arrin dot ekonomikisht dhe asaj të përcaktuar për ty nga një grusht të privilegjuarish. Domethënë, një sistem të barazisë ekstreme e këmbyem me një sistem të lirisë ekstreme.

Për të mos rënë në përsëritje, barazia pa liri është enverizmi i shtetit, ndërsa liria pa barazi është enverizmi i tregut. Asnjëra prej tyre siç e kemi provuar, nuk funksionon. Për daljen nga gjendja e enverizmit, duhet thjesht ekuilibrimi i lirisë me barazi. Një lloj socializmi demokratik ku nga sistemi socialist i së kaluarës të ruhen garancitë shoqërore dhe një lloj drejtësie në shpërndarjen e pasurisë, ndërsa nga sistemi demokratik i ditëve tona të mos humbasë shpirti i lirisë së zgjedhjeve si dhe eficiencës në prodhim.

Kjo do të ishte përgjigjja ndaj krizës së vërtetë që ka goditur këtë vend dhe fundi i prapambetjes së thellë që ende nuk po çrrënjoset. Socializmi demokratik në formën e një shteti ku mbrojtja sociale zbut efektet dramatike të konkurrencës së lirë është kërkesa e pavullnetshme, por ulëritëse që shtrojnë sot shqiptarët. Kjo kërkesë, mjerisht, nuk po merr ende përgjigje nga të gjitha alternativat për zgjidhje krize që ofrohen sot te ne. Kriza ende nuk po adresohet me emrin e vërtetë. Ajo ende nuk është artikuluar në kuptimin e saj të mirëfilltë, duke mbetur rob i narrativave gjysmake dhe tabuve idioteske që ende shohin djallin te “socializmi”. Si rezultat, alternativat që po shtrohen, nuk janë me tërë mend përpjekje për të zgjidhur krizën ku janë shqiptarët, por thjesht përpjekje për të paraqitur në formë të re të njëjtën krizë.

Kriza e rëndë ekonomike, politike dhe sociale nuk zgjidhet duke supozuar se atë e krijoi deformimi i sistemit zgjedhor. Nëse nga zgjedhjet dalin fituese në çdo rast parti të cilat besojnë tek enverizmi i tregut, atëherë pak rëndësi ka për qytetarët e thjeshtë nëse njërës parti apo tjetrës iu vodhën votat. Si çdo sistem tjetër totalitar, edhe enverizmi i tregut ka nevojë për legjitimim moral dhe këtë legjitimim ia jep atij një procedurë formale zgjedhjesh që nuk janë realisht zgjedhje, të cilat sido që të jetë rezultati, nuk do ta ndryshojnë dot kurrë thelbin e vërtetë të enverizmit të tregut. Fakti që njëra parti e enverizmit të tregut dominon mbi të tjerat duke manipuluar, blerë apo kërcënuar nuk ndryshon asgjë. Asnjë rol nuk ka as centralizimi i pushtetit partiak në duart e liderit.

As fakti nëse deputetët do të zgjidhen sipas stilit mazhoritar, apo atij proporcional. Asnjë nga këto probleme procedurale të mënyrës sesi legjitimohet enverizmi i tregut nuk u japin shqiptarëve përgjigje të vërtetë për arsyet përse ekonomia është e varfër, pse shoqëria është e kriminalizuar, pse ushqimi është i helmuar, pse mjedisi është i degraduar etj. etj. Kriza është një fjalë që vjen nga greqishtja e vjetër në të cilën ajo ka njëkohësisht edhe kuptimin e zgjedhjes në një udhëkryq. Po ashtu, në gjuhën kineze, kriza përshkruhet nga dy hieroglife nga të cilët njëri do të thotë “rrezik” ndërsa tjetri “mundësi”.

Kriza e stabilizuar si normalitet në Shqipëri nuk merr zgjidhje nëse rreziku në të cilin ajo e ka futur ekzistencën tonë, nuk shikohet në mënyrë të hapur, konstruktive dhe krijuese, pikërisht si një mundësi për të dalë më në fund prej saj.

2 KOMENTET

Comments are closed.