Presidenti Donald Trump tha të shtunën se një aleancë e fortë SHBA-Rusi mund të rezultojë në një bashkësi më të mirë botërore.
“Ka potenciale shumë të mëdha për marrëdhënie të mira me Rusinë,” shkroi presidenti Trump në Twitter një ditë pasi kishte zhvilluar një bisedë telefonike të cilën e cilësoi shumë pozitive, me presidentin rus Vladimir Putin. “Bota mund të jetë më e mirë dhe më e sigurt”, tha ai.
Në bisedën që zgjati më shumë se një orë, presidenti Trump tha se Venezuela ishte një nga temat që diskutoi me presidentin rus Putin.
“Ai nuk mendon të përfshihet në krizën që ka përfshirë Venezuelën, përveçse dëshiron të shohë diçka pozitive atje. Ndjehem po ashtu“, u tha presidenti Trump gazetarëve të premten pasdite në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur së bashku me kryeministrin sllovak Peter Pellegrini, zoti Trump e cilësoi diskutimin e tij me Presidentin Putin mbi Venezuelën si “shumë pozitiv”.
Tensioni është rritur ditët e fundit mes Uashingtonit dhe Moskës për shkak të ngjarjeve gjithnjë e më destabilizuese në Karakas. Administrata Trump ka akuzuar rusët për moslejimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro të heqë dorë nga pushteti e të largohet nga vendi.
“Kjo është hemisfera jonë. Nuk është vendi ku rusët duhet të ndërhyjnë“, tha të mërkurën këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, gjatë një telefonate zhvilluar më parë këtë javë, njoftoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për ato që i cilësoi, “pasoja të rënda” nëse do të kishte hapa të mëtejshëm agresivë në Venezuelë, çka u interpretua si një paralajmërim për Uashingtonin që të mos ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë.
Dy diplomatët e lartë pritet të takohen gjatë sesionit ministror të Këshillit të Arktikut që mbahet në Finlandë javën e ardhshme dhe Venezuela është një nga çështjet që pritet të diskutohet mes tyre.
“Ata do të kenë mundësi, sigurisht, që të takohen dhe të shqyrtojnë çdo temë që ata zgjedhin“, u tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit gazetarëve në një tele-konferencë përpara udhëtimit të sekretarit Pompeu.
Ekipi i Sigurisë Kombëtare të presidentit përfshirë këshilltarin John Bolton, Sekretarin e Mbrojtjes Patrick Shanahan, nënsekretarin e Mbrojtjes John Rood dhe komandandin e Forcave Jugore Craig Faller u takua të premten në Pentagon për diskutime të nivelit të lartë mbi çështjet e ndjeshme dhe operacionet ushtarake.
Zyrtarët e mbrojtjes thonë se ata diskutuan mbi alternativat për Venezuelën.
“Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme,” tha zonja Sanders si përgjigje ndaj një pyetje të Zërit të Amerikës, nëse ky takim kishte si temë një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.
Ajo përsëriti se “të gjitha opsionet vazhdojnë të jenë në tavolinë“, siç kanë thënë vazhdimisht disa zyrtarë të administratës gjatë javëve të kaluara.
Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore nuk e njohin më Nikolas Maduron si udhëheqësin legjitim të Venezuelës, duke njohur Juan Guaidos, si president president të përkohshëm të vendit.
Përveç kësaj, u diskutua mundësia e një “marrëveshjeje bërthamore” që do të përfshinte Shtetet e Bashkuara, Rusinë ndoshta dhe Kinën.
Presidenti Trump tha se gjithashtu se diskutoi me presidentin Putin rreth raportit të Prokurorit të Posaçëm Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016.
“Ai (Putini) buzëqeshi kur tha se nisi si një mal e dhe përfundoi të ishte një mi”, tha zoti Trump.
I pyetur nga Zëri i Amerikës rreth asaj se çfarë mund të bënte për të përmirësuar marrëdhëniet dhe komunikimin e tij me mediat, kur më 3 maj u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, presidenti Trump u përgjigj se kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me disa gazetarë.